Dështon Censusi i popullsisë, s’është anketuar më shumë se gjysma e shqiptarëve, skandali..

0
image-479

Dështon Censi i popullsisë, nuk është anketuar më shumë se gjysma e shqiptarëve, ja skandali i drejtoreshës së INSTAT, hidhen në erë 16.9 milionë euro për të nxjerrë shifra të falsifikuara

Drejtoresha e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli ka shpërdoruar 16.9 milionë euro për të nxjerrë shifra të falsifikuara për numrin e saktë të popullsisë në Shqipëri. Nga këto para 9.35 milionë euro janë marrë nga Buxheti i Shtetit, 4.8 milion euro janë donacione nga Bashkimi Evropian, 1.59 milion euro nga SIDA, 726.7 mijë euro nga SDC dhe 16.9 mijë nga UNFPA. Dyshimet për manipulimin e rezultateve të Censit u përforcuan për shkak të vonesës së publikimit të rezultatit. Intervistimi i popullsisë nisi në shtator dhe supozohej të zgjaste vetëm 6 javë. Por pas mbylljes së procesit u tha se rezultatet do të publikoheshin në datën 19 Qershor. Më vonë, drejtoresha e Instat e shtyu akoma më tej shpalljen e rezultateve deri dje në 28 Qershor.

Detajet

Edhe pse nuk u anketua më shumë se gjysma e shqiptarëve, në raportin e INSTA doli se gati gjysmë milioni shqiptarë janë larguar nga Shqipëria përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, një shifër marramendëse që pritet të hapë një debat më të gjerë mbi shkaqet dhe pasojat, përfshirë cilësinë e qeverisjes dhe llojin e sistemit politik që shtyn kaq shumë njerëz të lënë vendin e vet për ta nisur jetën nga e para në një vend tjetër. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se numëruesit e Censit të dymbëdhjetë në historinë e shtetit shqiptar, popullsia rezidente ishte 2,402,113 banorë. Dymbëdhjetë vjet më parë, në Censin e vitit 2011, popullsia faktike ishte 2.8 milionë banorë ndërsa shtesa natyrore për periudhën 2012-2023, pra diferenca mes qytetarëve të lindur dhe atyre të vdekur, është 88 mijë vetë. Kjo do të thotë se në rast se Shqipëria nuk do të kishte emigrim, popullsia do të shtohej me 88 mijë vetë në vend që të tkurrej me 400 mijë. Numri i shqiptarëve që kanë përjetuar emigrimin ka gjasa që është më i lartë se sa kaq për shkak se në popullsinë rezidente 2023, përfshihen edhe shqiptarët që emigruan në dekadat e mëparshme dhe u rikthyen në vend në dekadën e fundit. Këto janë vetëm rezultatet e para, pasi INSTAT do të publikojë në tetor një platformë me të gjitha të dhënat e detajuara në nivel bashkie. Kësisoj vonesa zgjatet për thuajse një vit, pa një arsye të qenësishme. Dyshimet shtohen pasi në Kosovë rezultatet e Censit u publikuan për rreth një muaj pasi përfundoi procesi.

Opozita ngre akuza për manipulim të dhënash të Censit

Edhe opozita ngriti dje akuza për manipulim të dhënash të Censit.  Sipas Ines Nurja, drejtuese e departamentit të statistikave në Partinë Demokratike janë manipuluar të dhënat si me numrin e popullsisë ashtu dhe me atë të banesave. “Sipas INSTAT popullsia në Shqipëri është 2.4 milionë dhe për 12 vjet janë shtuar vetëm 70 mijë banesa. Ky është një mashtrim krye e këput”, tha ajo në një konferencë për shtyp. Sipas Nurjes, janë të dhënat nga EUROSTAT që sugjerojnë se nga Shqipëria janë larguar mbi 900 mijë banorë vetëm në vendet e Bashkimit Europian, shifër që bie ndesh me shifrën popullsisë të nxjerrë nga INSTAT. “E dyta, numri i banesave nuk mund të jetë shtuar vetëm me 70 mijë për 12 vite sepse në një llogaritje të thjeshtë vetëm në Tiranë për 3 muaj Erjon Veliaj ka dhënë 231 mijë metra katrorë për ndërtim”, tha më tej zyrtarja e PD-së. “Shifra të trukuara” i cilësoi të dhënat dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Nga ana tjetër, ish-kryetari i PD, Lulzim Basha tha se censi i publikuar dje nga INSTAT ishte i arnuar, zvarritur, i deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës. “Shpopullimi i vendit, i fshehur pas arnave të një Censi të zvarritur, të deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës, është produkt i drejtpërdrejtë i një qeverie të korruptuar që punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish, duke lënë në varfëri familjet shqiptare, që mpaken vit pas viti. Eksodi masiv i shqiptarëve nuk e shqetëson qeverinë, as thagmat korruptive që po i bëjnë gjëmën vendit, si skandali dramatik i Onkologjikut, apo i dhjetëra zezonave të tjera që e kanë bërë vendin të pajetueshëm. Shqipëria nuk meriton shpërbërjen e saj, shpërbërjen e familjes, largimin e rinisë, plakjen e popullsisë. Që kjo hemorragji të ndalë, kërkohet një ndryshim i menjëhershëm dhe rrënjësor. Shqipëria meriton më shumë, prandaj ne kemi prezantuar përpara shqiptarëve një plan konkret dhe reformues, që lufton korrupsionin dhe siguron mirëqeverisjen, për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë”, përfundoi Basha.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading