Ja si e mori Spitali Amerikan i Klodian Allajbeut koncesionin e hemodializës pa garë
Ja si e mori Spitali Amerikan i Klodian Allajbeut koncesionin e hemodializës pa garë, avokati nxjerr dokumentet që fundosin Ilir Beqajn dhe Ogerta Manastirliun, zbardhen pazaret në tavolinë.
Avokati Arben Llangozi ka nxjerrë dokumentet që vërtetojnë skandalin e kontratave të koncesioneve në shëndetësi. Një nga ato që vazhdon të gllabërojë lekët e taksapaguesve shqiptarë, është hemodializa që e ka në duar Spitali Amerikan i Klodian Allajbeut. Sipas tij nëse kjo aferë hetohet nga Prokuroria e Posaçme çon në burg ish-ministra dhe ministra.
“Sipas informacioneve dhe provave që unë kam marrë, koncesionin për hemodializën e ka fituar shoqëria tregtare Evita sh.p.k, me nr Nipt, L31714005J e cila nuk ka pasur asnjë kusht për ta përfituar atë. Në njoftimin e shpalljes së fituesit të datën 17.09.2015 i është lënë kohë 30 ditë kohë subjektit tregtar Evita shpk me nr Nipt, L31714005J për të lidhur kontratën koncensionare pasi edhe pse fitoi e vetme për shkak të skualifikimit të subjekteve të tjera ajo nuk është paraqitur të lidhin kontratë brenda afatit ligjor 30 ditor.
Më pas është lidhur kontrata kocensionare në datën 10.02.2016 për shërbimin e hemodializës ndërmjet Ministrisë së shëndetësisë dhe Shoqërisë tregtare Dia Vita shpk, me nr Nipt, L52305009L me adresë Rruga “Papa Gjon Pali”, Pallati 11/1, (ish Telesport), një subjekt që nuk ka marrë fare pjesë në garë, pasi në garë ka marrë pjesë subjekti Evita shpk me nr Nipt, L31714005J që është shpallur edhe fitues.
Ajo që është me e çuditshme është se në kontratën e lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar nga Ilir Beqja dhe Shoqërisë Dia Vita shpk, palët i referohen faktit se Autoriteti ka publikuar më datë 21.05.2015. Dokumentet e Procedurës së Konkurrimit për dhënien e Koncesionit “Për ofrimin e shërbimit të hemodializës”, në 5 qendra pranë spitaleve rajonale Lezhë Shkodër Elbasan Vlorë Korçë, pra bëhet fjalë se kemi të njëjtin prokurim publik ku fitues është shpallur subjekti tregtar Evita shpk me nr Nipt, L31714005J”, shkruan ai.
Kontrata
Sipas avokatit, procedurat janë bërë pa garë dhe konkurrim. “Pra për konçensionin është shpallur fitues kompania E – Vita por Ilir Beqja ka lidhur kontratën me shoqërinë Dia- Vita , shoqëri e cila është krijuar 6 muaj pas shpalljes së fituesit të këtij Prokurimi.
Po në kontratën kocensionare datë10.02.2016 për shërbimin e Hemodializës ndërmjet Ministrisë së Shëndetsisë dhe Shoqërisë tregtare Dia Vita shpk, në faqen 7 të saj është përcaktuar se, Meqenëse Shoqëria Evita sh.p.k dhe Shoqëria American Hospital, ortak të Koncesionarit, në cilësinë e Ofertuesit kanë paraqitur më datë 03.08.2015 propozimin e tyre në përgjigje të procedurës konkurruese për “Ofrimin e shërbimit të hemodializës në 5 qendra pranë spitaleve përkatësisht në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”, këtu bashkangjitur si Aneksi 3 i kësaj Kontrate, propozim i cili është pranuar nga Autoriteti.
Dhe po në kontratën kocensionare datë 10.02.2016 për shërbimin e Hemodializës ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shoqërisë tregtare Dia Vita shpk, në faqen 7 të saj është e përcaktuar se,Autoriteti i ka dërguar Koncesionarit më datë 01.10.2015 “Njoftimin e Fituesit”, (Dokumenti Nr 1503/30 prot.) duke pranuar propozimin e paraqitur nga Koncesionari dhe duke caktuar këtë koncesion ndaj këtij Koncesionari dokumenta këto të falsifikuara.
Ajo që është me çuditshme është fakti se fitues në këtë koncension është Shoqëria Evita sh.p.k dhe jo subjekti Dia Vita shpk. Mënyra e përzgjedhjes së kësaj kompanie është bërë pa garë dhe konkurrim, fakt ky që përbën vepër penale dhe përgjegjës për këtë krim nuk është vetëm nuk është vetëm Ilir Beqja por është edhe Ogerta Manastirliu e cila ka vijuar të zbatojnë kontratën por edhe Albana Koçiu që vazhdon aktualisht zbatimin. Ngelet për tu hetuar nga ana juaj fakti se si është përzgjedhur ky subjekt fitues në këtë konçension.
Pra duket qartë se kemi të bëjmë me një vepër penale të cilën e kemi te parashikuar në Kodin penal dhe pikërisht në nenin 258 të K.Penal, është e parashikuar si vepër penale edhe shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në këtë dispozitë është e parashikuar se kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me burgim gjer në tre vjet.