August Leon dhe vila e Esat Pashës në Rreth.
Fotografi i shquar francez August Leon në vitin 1909 u punësua nga milioneri francez, filantropi Albert Kahn për të punuar në projektin “Arkivat e Planetit” (frëngjisht: “Les Archives de la Planète”). Duke qenë pjesë e këtij projekti ai vizitoi shumë vende të botës në të cilat bëri seri autokromesh.( kështu emërtoheshin fotografitë e para me ngjyra), të cilat ndodhen sot të ruajtura në muzeun Albert Kahn në Paris.
Në vitet 1912-1913 gjatë kohës së luftrave ballkanike së bashku me një fotograf tjetër francez të quajtur Jean Brin, ndërmorën një tur fotografik në Balllkan , ku si edhe në vendet e tjera bënë seri të tjera autokromesh dhe mund të quhen pionerët e parë të fotografive me ngjyra në Balllkan.
Gjatë turit në Ballkan ata vizituan edhe Shqipërinë, ku bënë shumë fotografi të cilat siç e thashë dhe më lart, sot ndodhen në muzeun Albert Kahn. Pikërisht këto fotografi janë edhe pika e takimit tim me August Leon-in dhe që më bashkon mua me të. Disa prej këtyre fotove në të cilat është shënuar edhe data, janë bërë në vilën e Esat pashës në fshatin Rreth të Shijakut i cili është fshati i gjyshes time, ose e thënë ne dialekt, i nëndajës time të cilën ne e thirrnim “Ije”, dhe i dajave të mi bashkë me famlijet e tyre dhe ku në shtëpitë e tyre unë kam kaluar një pjesë të mirë te fëmijërisë dhe kam kujtime shumë të bukura.. Sot dy nga dajat nuk jetojnë më, por i treti është gjallë dhe është si kokra e mollës.
Ne fakt origjina e gjyshit tim( babait të nënës) me mbiemër Marku është nga fshati Shetel që ndodhet në malësitë e Shijakut aq thellë në male sa pas këtij fshati fillojnë fshatrat e malësisë së Tiranës .Këtë fshat e mbaj mend mirë sepse aty ka jetuar familja e gjyshit deri kur unë isha rreth dhjetë vjeç.. Pastaj familja e gjyshit u transferua më afër Shijakut, në fshatin Rreth, një fshat i cili ndodhet pranë Katër Rrugëve siç quhet kryqëzimi i famshëm para se të hysh në Shijak. Nga ky fshat ishte dhe fisi i gjyshes time, “Ijes” e cila mbiemrin e vajzërise e kishte Domi një nga mbiemrat mbizotërues të fshatit.. Meqë një nga dajat e mi ishte rritur nga familja e gjyshes , kishte marre mbiemrin Domi, kështu që unë i them “dajë” edhe anëtarëve të fisit Marku por edhe atyre të fisit Domi (që në fakt janë dajat e nënës), dhe po ashtu të dyja palët më konsiderojnë dhe më quajnë nip të vërtetë të tyre.. Për fshatin Rreth në fakt mund të flas shumë dhe ndoshta do e bëj ndonjëherë tjetër sepse ishte një fshat i emancipuar për kohën dhe një nga të paktat fshatra të zonës që kishte dhe ka popullsi të përzier, muslimanë dhe të krishterë të cilët kanë shkuar shumë mirë me njëri tjetrin.
Nuk e di në ç’rrethana është gjendur August Leon tek vila e Esat Pashës në Rreth në 17 tetor 1913 kur ai ka fotografuar vilën e cila nga fotoja duket që është një ndërtim modern për kohën. Gjithashtu ai ka fotografuar dhe vetë Esat Pashën por nuk ka harruar të bëjë edhe një foto të rojave të tij që ruanin vilën..
Vila në vetvete ka edhe një farë historie sepse përmendet edhe nga disa personalitete të asaj kohe. Në pranverën e vitit 1914 vila është vizituar nga Princ Vidi gjë që përmendet edhe nga Esati në një intervistë por përmendet edhe nga vetë Vidi në kujtimet e tij. Gjithashtu në fillim të vitit 1916 në vilë eshtë strehuar për një farë kohe, princi serb i kurorës Aleksandër kur mbërriti në Durrës me ushtrinë e shpartalluar nga austro-hungarezët dhe ishte pikërisht Esati që e shpëtoi ushtrinë serbe nga shqiptarët në marshimin raskapitës nga Shkodra në Durres .(Për këtë edhe sot e kësaj dite serbët vendosin kurora me lule në varrin e Esatit në varrezat e Per-Lazhez (Per Lashes) në Paris. Gjithashtu në shkurt të vitit 1916 Esati ka sjellë në Rreth komandantin e frontit lindor të fuqive aleate të Antantës, gjeneralin francez Piarron de Mondesir, i cili thotë në kujtimet e tij që pasi Esati e shëtiti në pronat e veta e ftoi të pinte një çaj në ballkonin elegant të vilës. Gjithashtu gjenerali tregon se Esati i kishte thënë që kjo vilë dymijë vjet më parë kishte qenë shtëpia verore e Ciceronit. Dihet nga historia që oratori dhe prozatori i njohur romak është strehuar në Durrës nga frika e Jul Cezarit sepse kishte marrë anën e Pompeit gjatë luftës civile. Ne fakt në letrat që i shkruan gruas dhe vëllait të tij Ciceroni u tregon që jetonte në rrethinat e Dyrrakiumit por saktësisht nuk mund ta dimë se ku. Ndoshta Esati ja ka fut kot, por edhe mund të ketë ditur diçka nga ndonjë zbulim i rastësishëm në vilë ose në zonën rreth saj të ndonjë mozaiku ose të ndonjë artefakti.
Nga gjërat e veçanta të fëmijërisë time kur shkoja në Rreth dhe që më bënte shumë pështypje ishte gjyshi i nënës time i cili quhej Abdullah . Ai ka jetuar me dajën tim dhe ka jetuar gjatë. Ishte një burrë i shkolluar, i gjatë dhe me fizik të forte. Vitet e fundit të jetës u verbua por kujtesën e kishte shumë të fortë, dhe unë si fëmijë kureshtar që isha nga natyra, e pyesja për shumë gjëra. Ai tregonte për shumë ngjarje edhe të asaj periudhe ku kishte qenë protagonist dhe dëshmitar por nuk e kam dëgjuar kurrë të permendte vilën. Kuptohet që ndoshta edhe druhej sepse Esati quhej armik edhe nga regjimi i asaj kohe dhe mund të përfundoje keq edhe ndoshta vetëm duke e përmendur.. Vetëm njëherë shkarazi më ka treguar që vellai i tij Muhamedi , kishte shërbyer si sekretar “i pashës” se kështu e quante Esatin , dhe shpeshherë ky shkonte ta ndihmonte të vëllanë në administrimin e protokollit dhe të dokumentave. Por vetëm kaq. Tani të gjithë ata që dinin diçka më shumë nuk janë më. Fotot unë i kam parë shumë vonë. Nuk ka mbetur askush gjallë për të na thënë një fjalë më shumë, ose për të na treguar se ku ka qenë vila.
Tashmë vitet kane ecur, koha ka bërë punën e saj dhe ndoshta ne nuk do të marrim vesh asnjëherë diçka më shumë për vilën në Rreth përveç fotove të August Leon që tregojnë se për kohën kur ka egzistuar ishte një ndërtim elegant dhe mjaft modern.

