Dasma e çiftit të së njëjtës gjini në tarracën e bashkisë së Tiranës, Reagojnë komunitetet fetare: Feja dhe ligji e ndalon
Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, çifti i së njëjtës gjini, kurorëzuan në një ceremoni simbolike të veshura me fustane nusërie, dashurinë e tyre në tarracën e bashkisë së Tiranës mbrëmjen e 19 majit.
Kurorëzimi i tyre u bë nga dy pastorë britanikë, si një lëvizje simbolike për të promovuar të drejtat e LGBT+.
‘Nuk ka pastor, prift dhe imam imam që të mbështesë këtë kauzë tonën. Duhet ta gjenim mirëkuptimin diku tjetër. Mentaliteti shqiptar është shumë i vështirë për tu ndryshuar. Bashkimi im me Edën nuk ka pse të jetë çështje e Shqipërisë. ‘- u shpreh Alba Ahmetaj.
Në ceremoninë private ishin rreth 80 të ftuar, si edhe vajzat e tyre 3-vjeçare, binjaket që erdhën në jetë me metodën invitro. Alba, tha se ende nuk kanë një përgjigje nga gjendja Civile, megjithëse pritshmëritë i ka negative.
‘Kërkesa është bërë më datë 17. Përgjigjen e dimë cila do të jetë thjeshtë donim të ishim korrekte. Kjo nuk ka asnjë anë ligjore, ishte një ëndërr e imja dhe e Edës e cila u realizuar dje dhe tani do të vazhdojmë të luftojmë për të realizuar ëndrrat që vijonë. Do të vazhdojmë të luftojmë që ajo të jetë e ligjshme.’- tha Alba.
Pastori që erdhi nga Anglia në Tiranë për të bekuar historinë e parë të dashurisë në vendin tonë mes së njëjtës gjini, është Andy Fitchet. Zgjedhja nuk është e rastësishme. Vetë ai kuptoi pas martesës me një grua me të cilin ka një djalë, se nuk ndihej i plotësuar dhe deklaroi publikisht se është gay, çka solli përjashtimin nga Kisha dhe kalimin e tij në shërbesa të Kishës metodiste.
‘Unë jam pastor në Britani dhe administroj dy kisha. Jam i kredituar nga Bashkimi Baptist Anglez dhe i autorizuar me kishën metodistë.’- u shpreh ai.
‘Unë jam i krishterë dhe jam person LGBT dhe besoj se mund të jesh të dyja njëkohësisht pa dashur të zgjedhësh.’- tha pastori tjetër.
Por ceremonia e kurorëzimit të 2 grave në tarracën e bashkisë nuk është pritur mirë nga komunitetet fetare në vend. Në një reagim, Kisha Katolike thotë se feja e ndalon martesën brenda së njëjtës gjini, si edhe ligji. Për këtë arsye, sipas Kishës, lejimi i ceremonisë është i papranueshëm ndërsa pastori i veshur si katolik, s’përfaqëson kishën katolike.
‘Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën!’- thekson Kisha Katolike.

Gjithashtu edhe Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka reagur me nje deklaratë zyrtare ku thekson se në asnjë fe dhe në asnjë kulturë nuk lejohen martesat e të njëjtës gjini. Gjithashtu kane reaguar ashpër edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane të cilët dënojnë me forcë martesat e të njëjtës gjini.