Kokaina nga Durrësi në Angli, policia zbardh identitetin e pritësit të 7,3 kilogramëve të sekuestruara në port

Policia ka identifikuar këtë të hënë dhe ka shpallë në kërkim personin që po priste 7,3 kilogramë kokainë të kapura dy ditë më parë në Portin e Durrësit.
Gjatë operacionit “Pakot”, i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike.
Ndërkohë, policia ka identifikuar si pritës të lëndës narkotike shtetasin Fatbardh Cuni, i cili sipas policisë, e priste kokainën t’i shkonte në Angli.
“Si rezultat i hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, identifikohet dhe shpallet në kërkim pritësi i 7.3 kg kokainë që u sekuestruan në portin e Durrësit, gjatë operacionit.
Gjatë operacionit “Pakot”, i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike.
Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. C., 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli. Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.