Asambleja Parlamentare e NATO-s del  me deklaratë zyrtare për Kosovën, pranohet si anëtare e asociuar.

0
image-227

Asambleja Parlamentare e NATO-s, që po zhvillon punimet tre ditore në Sofie të Bullgarisë, vendos të hënën (27.05.) për avancimin e statusit të Kosovës nga vend vëzhgues në vend anëtar të asociuar të kësaj organizate. Megjithë kundërshtimin e Serbisë çështja e avancimit të statusit të Kosovës në NATO, është futur në agjendën  e organizatës. Zyrtarisht njoftohet se deputetët e AP të NATO-s, ndër të tjera “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asociuar”.

“Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, ashtu si edhe strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe për rritjen e angazhimit me Jugun Global”, thuhet në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Qysh në mars të këtij viti Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në aleancë, ndërsa sot votohet përfundimisht.

Serbia angazhohet kundër statusit të asociuar

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë që kryesohet nga kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiq, i cili që po merr pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përmes një letre kërkoi që Kosovës të mos i jepet statusi i anëtarit të asociuar. Edhe Instituti Ndërkombëtar për Siguri në Serbi i ka bërë thirrje AP së NATO-s që mos ta avancojë statusin e Kosovës në këtë organizatë, duke argumentuar se “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”. “Nëntë anëtarët aktualë të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht dhe se dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”, thotë Instituti Ndërkombëtar për Siguri me seli në Serbi.

Asambleja Parlamentare e NATO-s si urë lidhëse

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova pritet të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. AP e NATO-os,  përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Aktualisht anëtare të asociuara në Asamblenë Parlamentare të NATO-os, janë nëntë vende  në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta dhe mund të shërbejnë si raportues special të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare. Megjithatë, vendet me statusin e asociuar në AP të NATO-os, nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e organizatës.

KFOR e quan të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave

Në Kosovë ka aktualisht rreth pesë mijë trupa të NATO-s, KFOR-i të cilët janë përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Në fillim të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-os, raportuesi Mark Lancaster, prezantoi pjesë të një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku thuhet se “KFOR-i negocioi me sulmuesit e Banjskës” për të ikur në Serbi. Në sulmin e 24 shtatorit të vitit të shkuar nga një grup serbësh u vra një rreshter i policisë së Kosovës, ndërsa, përgjegjësinë për këtë sulm e mori Milan Radoiçiq, deri atëherë nënkryetar i Listës Srpska, i cili tash vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate e ka quajtur “të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave”, pjesë të cilit u përfshinë në draftraportin, në nisje të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga raportuesi Mark Lancaster. Në reagimin e KFOR-it, thuhet se “kjo nuk është e vërtetë pasi në asnjë moment KFOR-i nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”. “Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në reagimin e KFOR-it. Në reagimin e KFOR-it thuhet, po ashtu, se NATO-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se sulmuesit e Banjskës duhet të përballen me drejtësinë. “Pas dhunës, NATO-ja i ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë brenda një dekade, dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading