Pas denoncimeve nga “RAI 3” për lidhjet e politikës me krimin, Gazmend Bardhi kërkesë për mocion me debat në Kuvend
Nënkryetari i Rithemelimit, Gazment Bardhi i ka dërguar dje një shkresë krye parlamentares Lindita Nikolla, ku i kërkon mocion me debat mbi lidhjet e politikës me krimin. Duke marrë shkas nga emisioni i transmetuar dje në “Rai3”, Bardhi shprehet se ka mjaft prova për të vërtetuar lidhjet e krimit me politikën. Sipas tij mjafton të përmenden hetimet e SPAK dhe operacionet si Metamorfoza për të kuptuar se si shteti bashkëpunon me krimin. “Hetimet e kryera nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, veçanërisht në kuadër të operacionit “Metamorfoza” kanë dëshmuar se individë të larguar nga postet publike nga dekriminalizimi, familjarë dhe miq të tyre, kanë krijuar grupe të strukturuara kriminale, me shtrirje dhe bashkëpunim të gjerë në të gjithë territorin e vendit. Këto grupe kanë lidhje të forta politike dhe në strukturat më të larta drejtuese, të cilat i përdorin me qëllim vijimin e aktiviteteve të tyre kriminale, përkatësisht kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, pastrimin e parave që vijnë nga aktivitete kriminale dhe korruptive, vrasjen e kundërshtarëve të tyre etj”, thuhet në letrën drejtuar Nikollës. Gjithashtu në të përmendet dhe emisioni i “RAI 3” i cili u transmetua ditën e djeshme, ku pamenden takimet e Ramës me eksponentë të krimit në zyrën e tij. “Në pjesën e dytë të emisionit investigativ “Report” në RAI 3, u paraqitën fakte se si kryeministri Edi Rama kishte pritur dhe takuar njerëz të skeduar për rekordet e tyre kriminale, të cilët më pas ishin përfitues të lejeve apo kontratave publike”, thuhet më tej në letër. Këto lidhje, sipas Bardhit, minojnë besimin e qytetarëve te institucionet publike dhe prish imazhin e vendit në lidhje me SHBA-në dhe BE. “Kriminalizimi i jetës politike dëmton rëndë besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe përbën një regres të theksuar marrëdhëniet e shtetit shqiptar me partnerët e saj ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre dhe pa kontakte me elementë të krimit të organizuar”, shkruan Bardhi në letrën drejtuar Nikollës.