Ja pse SPAK pritet të trokasë shumë shpejt tek dera e Klodian Allajbeut, zbardhen dokumentet që kanë përfunduar në duart e prokurorëve specialë
Katër koncensionet në shëndetësi, me vlerë mbi 500 milionë euro (hemodializa, sterilizimi, check up-i dhe laboratorët), po hetohen nga Prokuroria e Posaçme. Ka dyshime se në këto koncesione fituesit janë diktuar me pazar në tavolinë, përmes një procedurë fasadë dhe me shumë implikime të rënda, ku natyrisht janë ndarë fitimet sipas roleve. Së dyti, dhe që është më e rëndësishmja, janë vjedhur paratë publike përmes zbatimit jo të rregullt dhe të deformuar të kontratave koncensionare. Gazeta “SOT” ka mësuar nga burime të sigurta se raportet e KLSH për koncensionin e dializës për të sëmurët nga veshkat, me vlerë 84 milionë euro, që ka dalë se është po aq korruptiv se edhe 3 koncensionet e tjera kanë përfunduar të gjitha në SPAK. Me provat dhe faktet që janë kapur për këtë koncesion, këtë herë SPAK nuk e amniston dot Klodian Allajbeun, pronarin e Spitalit Amerikan, i cili vazhdon t’i shkaktojë dëme marramendëse shtetit shqiptar me hemodializën. Janë disa raporte të KLSH, por ne po përmendim vetëm “majën e ajsbergut”.
Skandali
Qeveria shqiptare shpenzon mesatarisht 21 milionë euro (2.3 miliardë lekë) në vit për shërbimin e dializës gati sa 5% e buxhetit të FDSKSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), por Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditi që bëri për cilësinë e këtij shërbimi në 13 indikatore, 8 prej tyre i vlerësoi me rrezik të lartë me ndikim negativ në jetën e pacientëve. KLSH vërejti se shpenzimet publike për shërbimin e hemodializës se nga 2026-2022 u rritën me 43%, duke arritur në 2,3 miliardë lekë, por ende pacientët nuk marrin shërbimet e duhura edhe pse është aktivizuar një koncesion i posaçëm për këtë qëllim. Në Shqipëri, Shërbimi i Hemodializës është i ofruar dhe kryhet nëpërmjet 3 mënyrave: 1-Kryhet nëpërmjet paketave të shërbimeve shëndetësore që financohen nga FSDKSH, i cili lidh kontratë me spitale publike dhe jopublike për rastet që janë përtej kapaciteteve mjekësore të institucioneve shëndetësore publike. Konkretisht nëpërmjet këtyre kontratave, pacienteve iu ofrohet shërbim në QSUNT dhe në (në 3 spitale). Seanca e dializës që financohet nga FSDKSH, në bazë të protokolleve të miratuara përfshin ekzaminimet e nevojshme biokimike klinike dhe mikrobiologjike dhe kryerjen e procedurës. 2- Kryhet nga Klinika e nefrologjisë dhe Klinika e Dializës në QSUNT. Ky shërbim kryhet nga klinika e nefrologjisë dhe klinika e dializës (hemodializë dhe dialize peritoneale) për pacientët kronike të cilët janë të hospitalizuar në QSUNT si dhe për të gjithë pacientët me raste akute (nga e gjithë Shqipëria) apo raste të tjera të veçanta. 3-Kryhet nga PPP e Hemodializës. Me kontratën koncesionare me 2016 ndërmjet MSHMS-së dhe Shoqërisë tregtare DIa Vita për ofrimin e shërbimit të hemodializës, realizohet kryerja e këtij shërbimi në 5 qendra pranë spitaleve rajonale, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë. Objekti i kontratës së koncesionit/PPP është ofrimi nga ana e shoqërisë koncesionare, (përkundrejt një kostoje prej 11,203 lekë për seancë).
1.15 miliardë lekë pa nisur shërbimin
Skandalet te hemodializa nuk kanë fund. Shoqëria koncesionare e ofrimit të shërbimit të dializës në disa rajone të vendit ka përfituar më shumë 1.1 milonë USD pagesa për shërbime të pakryera. Një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka evidentuar se shoqëria koncesionare ka arritur të përfitojë pagesa për shërbimin e dializës në dy rajone të vendit, për periudha kur shërbimi në rajonet në fjalë nuk ka ekzistuar. Përfitimi i pagesës është mundësuar falë një vendimi të formës së prerë të marrë nga Gjykata Administrative e Apelit. Mosmarrëveshja midis FSDKSH dhe koncesionarit lidhet me datën e fillimit të pagesës për qendrat e dializës në rajonet Korçës dhe Elbasanit, ku Fondi ka zbatuar si datë të fillimit të pagesës, datat e njoftuara zyrtarisht nga MSHMS, për fillimin e aktivitetit në secilën prej qendrave, përkatësisht për Rajonin e Elbasanit më datë 27.03.2017 dhe për Rajonin e Korçës më datë 21.04.2017. Koncesionari ka pretenduar që pagesat duhet të fillojnë që nga data 1 nëntor 2016 (sipas kontratës së koncesionit), pavarësisht se shërbimi nuk ka ekzistuar: pra, për periudhën 01.11.2016-27.03.2017 për Rajonin e Elbasanit dhe 01.11.2016 -21.04.2017 për rajonin e Korçës.
Faktet e zbuluara nga KLSH
Në një raport tjetër të KLSH, gjithashtu evidentohet fakti se qeveria ka rritur fondet për koncesionet në shëndetësi. Madje, Vilma Nushi e Check Up dhe Klodian Allajbeu i Dializës, marrin para nga taksat e qytetarëve për punë të pakryera. “Nga auditimi në FSDKSH për vitin 2022 është konstatuar rritje e shpenzimeve për koncesionin e sterilizimit për shkak edhe të ndryshimit të strukturës së setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë me rritje 17 % të kompleksitetit të lartë, 3% i mesëm dhe 16% kompleksitet i ulët; rritje të shpenzimeve për koncesionin e dializës, përfshirë faturime për shërbime të pakryera për 8854 raste në shumën 99 milionë lekë pa TVSH; janë kryer pagesa për shërbim të pakryer për Koncesionin e Kontrollit Mjekësor Bazë (Check-up) për 20172 raste, me një kosto në shumën 31,004 mijë lekë pa TVSH; në zbatimin e Kontratës Koncesionare “Për ofrimin e hemodializës” janë kryer pagesat për 8854 raste, nga të cilat 6918 raste nën projeksion dhe 1936 raste mbi projeksion, në shumën 99,191 mijë lekë, që përfaqëson pagesë për shërbim të pakryer; mungesa e barnave alternativë e parë dhe vetme në vitin 2022 ka sjellë për pasojë ulje të numrit të recetave, duke ndikuar te një numër i konsiderueshëm pacientësh; kufizimet buxhetore për financimin e shërbimit të analizave laboratorike të lidhura me tavanin buxhetor, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, kanë rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi te subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse”, thekson KLSH.
Mungesa e stafit
KLSH vëren së qendrat spitalore të kurimit të pacientëve me hemodializë, rezultojnë prezentë një sërë problemesh të cilët prekin në mënyrë direkte shëndetin e pacientëve. Një pjesë e stafit të mjekëve specialiste është i punësuar në spitale shtetërorë ç’ ka sjell si pasojë mungesën e tyre të vazhdueshme pranë pacientëve që kryejnë hemodializën, si dhe punësimi i tyre me kohë të pjesshme duke sjellë kështu një ulje të nivelit të kërkuar të shërbimit për pacientët në qendrat e shërbimit të koncesionit. Mungesat e evidentuara në stafin mjekësor dhe atë mbështetës në qendrat e shërbimit të HD së koncesionarit, si p.sh. mungesa e mjekëve specialistë në endokrinologji, gastrohepatologji, radiologji, dhe kirurgji vazal, mungesa e dietologut e mjekëve laborantë, e teknikëve të pajisjeve mjekësore si dhe e shoferëve të ambulancave mund të vështirësojë menaxhimin e situatave emergjente dhe trajtimin e përgjithshëm të pacientëve, raportohet më tej.