Edi Rama u prish qetësinë deputetëve dhe ministrave, paralajmëron furtunë në listat e zgjedhjeve të 2025, shtyhet për në shtator takimi me emigrantët në Londër e Gjermani, ja kur do të mbahet Kongresi i PS

0
image-240

Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi një ditë më parë, kryeministri Edi Rama ka mbledhur dje online Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ndërsa ka zbardhur detaje nga axhenda e tij në javët në vijim, si dhe ka lëshuar disa mesazhe të forta, duke u prishur qetësinë deputetëve e ministrave, për shkak se askush nga bashkëpunëtorët e tij nuk e ka vendin të sigurtë në listat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025. I drejtpërdrejtë në ato që thoshte, kryeministri Rama zbuloi gjatë fjalës së tij se do të ndryshohet skema e përcaktimit të listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025. Kjo do të thotë se shumë nga deputetët e ministrat aktualë mund të largohen. Kryesocialisti njoftoi se skema e re do të prezantohet në Kongresin e PS që do të mbahet më 20 korrik, teksa theksoi se do të jetë më e gjerë se ajo e 4 viteve më parë, ku u hap platforma “Deputeti që duam”. Rama u dha sinjale deputetëve e ministrave që të shfrytëzojnë kohën që u ka mbetur për të siguruar një vend në listën e kandidatëve. “Në Kongres do të paraqesim edhe platformën e re të përzgjedhjes së deputetëve të PS, duke u nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të shkuara ku siç ju kuptohet ne krijuam për herë të parë një platformë të quajtur Deputeti që Duam dhe mblodhëm një numër jo të vogël për hir të së vërtetës, shprehje interesi për tu bërë pjesë e përzgjedhjes së deputetëve të PS. Disa nga ata të rinjtë që u paraqitën në atë platformë u bënë edhe pjesë e listave. Por në zgjedhjet e ardhshme platforma do të jetë më e gjerë dhe do të parashohë një proces më të artikuluar dhe është mirë t’i japim vetes kohën e nevojshme nga Kongresi deri në momentin kur do të bëhet përzgjedhja finale e listës së kandidatëve për deputetë”, deklaroi ai. Por kjo lëvizje e Ramës është deri diku e diktuar edhe nga situata, pasi shumë prej bashkëpunëtorëve të tij ose janë duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ose janë kandidat për të rënë në rrjetën e drejtësisë së re. Kështu që për të shmangur çdo të papritur, kryeministri Edi Rama po mendon ta spastrojë partinë nga zullumqarët, ku pritet të lihen jashtë listave të zgjedhjeve parlamentare të 2025 emrat problematikë.

Turi i diasporës

Më tej kreu i qeverisë, Edi Rama lajmëroi se turi me diasporën do të shtyhet për në muajin shtator, ndërsa pritet të mbahet edhe një takim me emigrantët shqiptarë që jetojnë në SHBA. Rama tregoi edhe arsyet e shtyrjes së takimit në Londër e Dusseldorf. “Në Greqi dhe në Itali, takimi nuk ka qenë thjesht një qëllim në vetvete, as thjesht një takim pa vazhdim, por ka qenë edhe një trokitje në derën e shqiptarëve të Europës, përtej mureve të sallës, ku ka filluar një punë domethënëse për të rienergjizuar tërësisht rrjetin e anëtarësisë dhe simpatizantëve të PS. Turi do të vazhdojë në shtator, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër, u bë problem marrja e sallës që kishim prenotuar më parë. Një situatë zgjedhore, ishte normale të shmangnim një takim, sidoqoftë është takim politik. Po kështu, duke qenë se parashikimi apo përgatitja për të bërë takimin e Dyseldorfit, shumë afër me ndeshjen e skuadrës kombëtare, nuk donim të krijonim ide të përzierjes së dy gjërave. Në shtator do të marrim përsëri turin dhe do të zhvillojmë takimet e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Do përgatitemi për një takim në SHBA”, u shpreh ai.

Riorganizimi i brendshëm dhe energjizimi i PS

Ndërkohë duke folur online para anëtarëve të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama zbuloi 32 mijë anëtarë të rinj i janë bashkuar PS. “Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve për kongresin, të miratojmë vendimin për thirrjen e Kongresit të PS më 20 korrik. Aktualisht mund të jemi të inkurajuar nga fakti që në këtë proces rienegjizimi kemi pasur një rritje domethënëse të anëtarësisë reale, që do të thotë të anëtarësisë aktive, Ndërkohë, kemi pasur edhe një pjesëmarrje domethënëse në zgjedhjet që u zhvilluan me parimin 1 anëtar 1 votë për delegatët e kongresit të ardhshëm të PS. Kemi 93 mijë anëtarë të regjistruar dhe identifikuar si të tillë në territorin e Shqipërisë, pa llogaritur 7 mijë të tjerë që i janë bashkëngjitur PS pas mbylljes së këtij regjistrimi në funksion të zgjedhjeve për delegatët e Kongresit. Janë 93 mijë anëtarë. 78.6% e trupës së anëtarëve të regjistruar mori pjesë në zgjedhjet për delegatët e kongresit. Shifra më e lartë që kemi pasur. Janë shtuar 32 mijë anëtarë të rinj në të gjithë territorin. 11 mijë e 400 janë të rinj deri në moshën 30 vjeç. Nga i gjithë procesi i zgjedhjeve për kongres janë propozuar 10 mijë delegatë, prej të cilëve ka dalë numri i 1200 delegatëve të kongresit”, nënvizoi kryeministri Edi Rama. Kujtojmë se kjo është hera e katërt që Rama mbledh Asamblenë brenda vitit, ndërsa në tre mbledhjet e kaluara, të zhvilluara në muajin shkurt dhe mars, ka kërkuar më shumë angazhim në terren nga anëtarët e asamblesë dhe rritje të aktivitetit të tyre në rrjetet sociale. Në punimet e Kongresit të ardhshëm do të zgjidhet asambleja e re e Partisë Socialiste, për të përfunduar kështu procesin zgjedhor brenda kësaj force politike. Asambleja miraton gjithashtu kandidatët për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të re që do të zgjidhet nga Kongresi si edhe për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës së PS-së.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading