Ngecin sërish bisedimet për armëpushim në Gaza, Hamasi kundërshton kushtet e vendosura nga SHBA
Bisedimet për të sjellë një armëpushim dhe një marrëveshje pengjesh që mund të ndalonte luftën në Gaza u vunë në dyshim kur Izraeli e karakterizoi një përgjigje të Hamasit ndaj propozimit të fundit si një refuzim, duke nxitur një lojë fajësimi midis dy palëve. Hamasi i kishte paraqitur përgjigjen e tij ndërmjetësuesve të Katarit, duke propozuar ndryshime në propozimin izraelit, duke përfshirë një afat kohor për një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë izraelite nga Gaza, tha një burim me njohuri për bisedimet për median amerikane “CNN” të martën. Një burim diplomatik i njohur me negociatat në vazhdim, megjithatë, i tha “CNN” dje se Hamasi as nuk e ka pranuar e as nuk e ka refuzuar marrëveshjen dhe se përcaktimi i përgjigjes së Hamasit si refuzim është mashtrues. Duke folur në një konferencë shtypi në Doha të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se “Hamasi ka propozuar ndryshime të shumta në propozimin që ishte në tryezë” për një armëpushim të përhershëm dhe lirimin e pengjeve. “Disa nga ndryshimet janë të zbatueshme. Disa jo”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme. Blinken tha se ai diskutoi ndryshimet me partnerët egjiptianë dhe katar, por theksoi se marrëveshja e propozuar “ishte praktikisht identike” me një propozim që Hamasi e kishte pranuar më parë. “Hamasi mund të përgjigjej me një fjalë të vetme – po”, tha ai, duke shtuar se ndërsa Hamasi propozoi më shumë ndryshime, ai vuri në dyshim nëse grupi po negocion “me mirëbesim”. “Është koha që pazaret të ndalen dhe të fillojë një armëpushim. Është kaq e thjeshtë,” tha Blinken. Gjithashtu, një zyrtar izraelit e përshkroi përgjigjen e Hamasit ndaj marrëveshjes origjinale si një refuzim.