Plas sherri brenda mazhorancës, Xhafaj-Braçe dalin kundër ministrit Manja dhe sulmojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Nikolla shtyn votimin e projektligjit pas debatit

0
image-273

Tentativa për të votuar në seancën e djeshme rritjen e pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pas muajsh të tërë në kërkim të 84 votave dështoi sërish, ndërkohë që socialistët u përplasen me njëri-tjetrin, ku deputetët Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe dolën hapur kundër ministrit Manja dhe anëtarëve të GJK. Me kërkesë të kreut të grupit të PS, Bledi Çuçi, votimi për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese u shty sërish. Projektligji në fjalë, parashikon se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të jetë e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Me ndryshimet e propozuara rroga tashmë bëhet sa 96 % e pagës së presidentit, plus 58 % shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës. Pra paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë. Ndërsa drejtuesi i Gjykatës ka 20% shtesë për shkak të pozicionit dhe paga e tij arrin 773 mijë lekë. Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj, i cili dikur ka mbajtur dhe postin e ish ministrit të Drejtësisë janë kundër. Kundër janë dhe deputetët e opozitës, ndërkohë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja renditi tre arsyet pse duhet votuar pr/ligji.

Xhafaj: Absurditet

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj në fjalën e tij nga foltorja e Parlamentit doli kundër projekt-ligjit. Xhafaj u shpreh se shtesat mbi pagë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të parashikuar në projekt-ligj është një absurditet. “Mbështetja për sistemin e drejtësisë përfshirë rritjen e pagave ishte arritje kryesore. Sot pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të pakrahasueshme me epokën para reforme. Nuk ka qenë aspak lajthitje ajo që kemi bërë me reformën. Rezultatet e SPAK dhe BKH, rritja e treguesve të punës në Gjykatën e Lartë, dëshmojnë se jemi në rrugën e duhur. Sot kemi një projektligj, e cila në thelb ka rritjen e pagave për gjyqtarëve kushtetues. Gjykata Kushtetuese është një institucion kyç në shtetin e së drejtës, garant i mbrojtjes së Kushtetutës. Kemi qenë me fat që me gjithë tranzicionin e çmendur në këtë vend, Gjykata Kushtetuese në vite ka dëshmuar integritet, profesionalizëm, e vlerësuar nga opinion publik. Gjykata aktuale ka sfidën për ta ruajtur me fanatizëm këtë traditë të mirë, me paanshmëri objektive. Gjykata Kushtetuese aktuale ka një përbërje të mirë, ka profesionistë me përvojë. Gjykata ka dhe një staf këshilltarësh, të cilët mund të jenë burim për drejtësinë kushtetuese. Personalisht bëj pjesë tek ata që shpresoj se pas kalimit të kësaj faze tranzicioni, është momenti që Gjykata Kushtetuese të bëjë ndryshimin e duhur, të dëshmojë paanshmëri, profesionalizëm, koherencë në rruajtjen e praktikave më të mira në vote. Jemi në pritje të shohim autoritetin kushtetues të këtij institucioni. Paga e ndihmon pavarësinë, por nuk është baraz integritet, profesionalizëm. Për pozicionin e rëndësishëm që ka Gjykata Kushtetuese, por rolin që luan në forcimin e shtetit të së drejtës, formimi financiar është i rëndësishëm. Jam dakord për rritjen e pagës referuese, por nuk jam fare dakord për shtesën mbi pagë të aplikuar mbi të për arsye vështirësie. Argumentet që diskutohen nuk janë bindëse dhe e bëjnë të diskutueshme këtë vendimmarrje. Gjykata Kushtetuese nuk është maja e piramidës në sistemin e drejtësisë. Është pakujdesi në të shkruar, apo reminishencë e praktikave të mëparshme. Përpjekja për ta futur në këtë rol Gjykata Kushtetuese në raport me vendimet e SPAK dhe GJKKO do ishte kthim prapa me pasoja për shtetin e së drejtës. I bie që një gjyqtar kushtetues të paguhet më tepër se presidenti, ministrat apo kryeministri. Bie argumenti i hierarkisë së pagave në piramidën shtetërore. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar nga statusi i kësaj gjykate që nga krijimi. As nga reforma. GJK nuk bën ndonjë rol ndryshe nga GJK e vendeve të tjera. Nuk ka logjikë të përafrojë ngarkesën e punës së kësaj gjykate me ngarkesën e Gjykatës së Lartë dhe SPAK. Të mendosh pastaj se gjyqtarët kushtetuese me prokurorët e SPAK është lajthitje. Do të ishte mungesë vlerësimi për punën e SPAK, në punën ndaj krimit dhe korrupsionit”, shprehet Fatmir Xhafaj.

Braçe: Jam kundër, por refuzoj gjuhën e shantazhit

Ndërkohë edhe deputeti i PS, Erjon Braçe është kundër por refuzon gjuhën e opozitës të cilën e quan si shantazh. “Këtë lloj gjuhe, që ne nuk ju rrisim rrogat, se keni një vendim për të marrë, është shantazh i drejtpërdrejtë, nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Sa për dijeninë tuaj edhe unë jam kundër këtij projektligji, por refuzoj kategorikisht që të përdor gjuhën që ju përdorni”, deklaroi dje nga foltorja e Kuvendit, deputeti Braçe.

Opozita kundër rritjes

Qëndrimin kundër rritjes së pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Partia Demokratike e lidhi edhe me vendimet kundër padive që kjo e fundit ka bërë. “Nëse kjo do të miratohej do ishte njollë turpi për Parlamentin e Shqipërisë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese si respektoni. Ka demonstruar shpeshherë një qasje pro-mazhorancës, pro-qeverisë”, tha deputeti i PD, Dashnor Sula. Më pas një koment e pati edhe deputetja e PD, Jorida Tabaku. “Aventurë që prish balancën e drejtësisë…. Gjykata Kushtetuese me 18 shqyrton tatimin mbi profesionet e lira”, tha Jorida Tabaku. Ndërsa për Erion Braçen këto argumente ishin shantazh i drejtpërdrejtë ndaj Kushtetueses. “Këtë lloj gjuhe, që ne nuk ju rrisim rrogat, se keni një vendim për të marrë, është shantazh i drejtpërdrejtë, nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Sa për dijeninë tuaj edhe unë jam kundër këtij projektligji, por kjo gjuhë nuk pranohet”, nënvizoi Braçe.

Tabaku: Nëse funksiononi me shantazhe, është rruga juaj, jo e imja.

Sula: Ne nuk jemi nga ata që çojmë kode mafioze drejtësisë…

Nga premtimi për votën pro, devijoi edhe Lulzim Basha, i cili një ditë pasi humbi vulën tha se do ta rishikojë vendimin për të votuar pro rritjes së pagave të anëtarëve të Kushtetueses. “Do marrim vesh çfarë kulisash ka, pse ka ardhur prapë këtu”, tha ai dje.

Si përllogaritet paga e gjyqtarit të Kushtetueses

Kthimi i Gjykatës Kushtetuese në majën e piramidës së pagave, është një detyrim ligjor”, tha dje ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë fjalës së tij në Kuvend. Ai dha detaje dhe për mënyrën e llogaritjes së pagës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. “Paga e gjyqtarit të kushtetueses do të jetë sa 0.96 e pagës së Presidentit. Edhe paga e këtyre subjekteve, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të indeksohet sipas të njëjtave dispozita sipas ligjit të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kemi parashikuar që përveç pagës mujore, gjyqtari i Kushtetueses do të përftitojë një shtesë na masën 58% të pagës. Kështu vendosim Gjykatën Kushtetuese në majën e piramidës së sistemit. … , theksoi Manja.

Tre arsyet e Manjës pse duhet rritur paga

Sipas Ministrit të Drejtësisë, çështja e pagave të Gjykatës Kushtetuese është çështje e zbatimit të ligjit dhe nuk është çështje dëshire. Sipas tij, “reforma në drejtësi në 2016, e zhbëri sistemin piramidal të pagave që ekzistonte deri në atë moment, për shkak të nevojës akute të rindërtimit të sistemit të drejtësisë, me reformën e madhe në drejtësi që ndërmorëm në vitin 2016. Deri në atë moment Gjykata Kushtetuese qëndronte në majën e piramidës së pagave të sistemit të drejtësisë, pasi kjo gjykatë është paradhomë e Gjykatës së Strasburgut”, u shpreh Manja. Po ashtu, ministri i Drejtësisë rreshtoi dhe tre pika kryesore se përse propozohet rritja e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Së pari, Gjykata Kushtetuese ka juridiksion përfundimtar kontrolli mbi kushtetutshmërinë e vendimeve që japin gjykatat e zakonshme, apo të gjykatave të Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni. Së dyti, Kushtetuta e ka veshur Gjykatën Kushtetuese me përgjegjësi ekskluzive për kontrollin e ligjeve dhe akteve normative. Vendimet e Gjykata Kushtetuese mbi këto çështje kanë fuqi rregulluese, dhe qëndrojnë në një nivel më të lartë se ligjet në sistemin e hireakisë së normave. Vendimet kanë fuqinë e ligjit. Së treti, kryetari i Gjykata Kushtetuese është personaliteti i katërt në hireakisë protokollare pas Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit”, nënvizoi Manja. Rritja e pagave të Gjykatës kushtetuese zvarritet prej muajsh në kërkim të 84 votave në Kuvend. Edhe në shtator të vitit të shkuar kjo pikë u fut në rendin e ditës, por më pas u tërhoq me dakordësinë e të dyja palëve.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading