Hakerat iranianë godasin sërish, nxjerrin të dhënat e kartave të identitetit dhe numrat e telefonit të mbi 65 mijë shqiptarëve

0
image-380

Në datën 1 maj 2021, 95% e shërbimeve për qytetarët shqiptarë kaluan online përmes portalit e-Albania. Kryeministri Edi Rama e deklaroi këtë përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, si një hap që do shmangte ryshfetin:“ S’ka më sportele! S’ka më radhë! S’ka më orare! S’ka më as edhe një arsye në botë për të dhënë ryshfet për marrjen e një dokumenti shtetëror!”, tha ai. Por miliona eurot që janë shpenzuar vitet e fundit nga taksat e qytetarëve për të mbajtur “në këmbë” shtetin i cili ka kaluar i gjithi online kanë nxjerrë zbuluar abuzimet që janë bërë nga Agjencia Kombëtare Shqiptare e Informacionet (AKSHI) që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj. Faktet tregojnë se dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve publike ka shtuar korrupsionin në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por sistemi i sigurt që pretendon drejtoresha e këtij institucioni vazhdon të japë provat se është i dështuar. Këtë vazhdojnë ta tregojnë hakerat iranianë. Edhe pse AKSHI dhe qeveria “Rama” e mohoi në atë periudhë se ata nuk arritën të marrin asnjë të dhënë, “Homeland Justice”  vërteton me fakte të kundërtën. Ky grup, pasi nxori në shesh disa të dhëna të shqiptarëve, këtë radhë publikoi kartat e identitetit. Bëhet fjalë për një dokument 1311 faqësh me të dhënat e 65614 shqiptarëve që përfshijnë numrin personal të ID, emër, mbiemër, vendin e lindjes dhe të banimit si edhe numrin e telefonit. Gazeta “SOT” e disponon dokumentin e plotë, por ka vendosur për të mos e publikuar. Kjo nuk është hera e parë që të dhëna sensitive dalin në publik pas dy sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë. Më herët, hakerat kanë publikuar të dhënat kreut të SHISH, Helidon Bendo, të dhënat personale dhe udhëtimet jashtë vendit të kryeministrit, emailet e ish drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të dhënat personale të qytetarëve, numrat e telefonit, targat dhe llojet e automjeteve që posedojnë, dokumente dhe emaile të administratës publike, etj. Më 10 shtator, Shqipëria u përballë me sulmin e dytë kibernetik, kësaj herë ishte sistemi TIMS, pas sulmit të shërbimeve online qeveritare dhe e-albania. Po ashtu pre sulmeve të tyre kibernetike ra edhe INSTAT. Pas këtij sulmi, Instituti i Statistikave reagoi duke thënë se të dhënat e shqiptarëve janë të mbrojtura dhe nuk janë prekur të dhënat e Censit.

Miliardat që treten

Gazeta e raportoi pak ditë më parë se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli edhe një tender me vlerë 14.6 milionë euro për të ribërë nga e para portalin e shërbimeve qeveritare e-Albania. Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit, kontrata parashikon implementimin e programit të ri me vlerë 12.8 milionë euro dhe mirëmbajtjen e portalit për dy vjet me vlerë 1.8 milionë euro. Pra Shqipëria shpenzon qindra milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës dixhitale, tani qytetarët do të paguajnë qindra milionë euro të tjera për ta përmirësuar atë dhe në fund të dhënat tona private dalin sheshit. Tek AKSHI paratë vërshojnë lumë dhe shumica e kontratave tenderohen me çmime të fryra disa fish mbi koston reale. Pak kohë më parë, për shkak të abuzimeve me dy tendera, atë të laboratorëve smart në shkolla dhe mbikqyrjen e burgjeve, në zyrat e AKSHIT zbarkuan hetuesit e BKH, të cilët sekuestruan masivisht kompjutera dhe celularët e shumë punonjësve.

Kush do të mbajë përgjegjësi?

Deri më tani, për gjithë këto skandale, askush nuk mban përgjegjësi. Kryeministri Edi Rama ta shkarkonte menjëherë Karçanajn nga detyra që në momentin kur u publikuan listat e pagave të të gjithë shqiptarëve. Ajo nuk e dha dorëheqjen pasi tha se nuk ka asnjë përgjegjësi për publikimin e listës së pagave dhe kreu i qeverisë nuk mori asnjë masë për këtë skandal të madh që shkaktoi “tërmet” në opinionin publik. Jo vetëm kaq, por masa e saj duhet të ishte më e rëndë kur plasi skandali i patronazhistëve. Të dhënat personale duhet të mbrohen me ligj dhe institucionet shtetërore e kanë detyrim ligjor për ti mbrojtur ato. Karçanaj, dështoi dhe socialistët që i kanë siguruar nga AKSHI, apo diku tjetër të dhënat personale duhet të mbanin përgjegjësi. Jo vetëm kaq, por shkarkimin urgjent ajo duhet ta merrte nga tenderat e dyshimtë që ka dhënë, pasi ato janë kthyer në monopol dhe i fitojnë të njëjtat kompani. Le ta marrim të mirëqenë se AKSHI-t po i bie në qafë. Le ta marrim të mirëqenë po ashtu se AKSHI nuk ka asnjë përgjegjësi për patronazhistët, për rrjedhjen e të dhënave dhe skandalet e tjera dhe fajtorët kryesorë janë hakerat. Po për lekët e taksapaguesve shqiptarë si do i bëhet? Kush do të mbajë përgjegjësi nëse fajtore nuk është Karçanaj e cila është shndërruar si një monument kulture që vazhdon të mbrohet nga Edi Rama?

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading