Propozimi i PDIU bën bashkë PS-PD, Shqipëria kërkesë zyrtare Greqisë të heq Ligjin e Luftës
Propozimi i PDIU bën bashkë PS-PD, Shqipëria kërkesë zyrtare Greqisë të heqë Ligjin e Luftës, javën tjetër kalon në Kuvend.
Një projektdeklaratë e propozuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), përmes së cilës synohet t’i bëhet thirrje Greqisë të heqë ligjin e luftës më Shqipërinë ka unifikuar politikën në vend. Mazhoranca dhe opozita (PS dhe PD) si rrallë herë kanë rënë dje dakord dhe të dyja palët i thanë “Po” propozimit të ardhur nga grupi parlamentar për “Demokraci dhe Integrim”. Projektdeklarata mori dritën jeshilë sot (9 korrik 2024) në konferencën e kryetarëve, për t’i kaluar për seancës plenare për diskutime dhe votim të enjten e 18 korrikut.
Kalimi i kësaj deklarate ka rëndësi të jashtëzakonshme pasi pas kaq shumë vitesh merret një hap politik dhe pozicionim politik lidhur me këtë absurd që ekziston ende mes dy vendeve tona. Të dyja vendet jemi anëtarë të NATO-s, kemi traktat miqësie që presupozon krijimin e grupeve parlamentare mikse që do të krijojnë mundësi për abrogimin e këtij ligji dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj”, tha dje deputetja e PDIU-së, Mesila Doda.
Reagon PS
Ndërsa mazhoranca e shprehu qëndrimin e saj përmes ministres së shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, duke e cilësuar si një hap tejet pozitiv për marrëdhëniet mes dy vendeve. “Qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke për abrogimin e ligjit të luftës që është një ligj absurd, krejt i panevojshëm dhe i dalë kohe. Ligji nuk reflekton as marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve, as marrëdhëniet miqësore mes dy qeverive dhe as marrëdhëniet miqësore mes dy popujve tanë”. Në një prononcim për mediet në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ministrja Spiropali u shpreh se, “qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke për abrogimin e ligjit të luftës që është një ligj absurd, krejt i panevojshëm dhe i dalë kohe”.
“Jo vetëm në përpjekjet tona dypalëshe, jo vetëm deklaratat e ministrave të jashtëm të Greqisë ndër vite , si deklaratat e z. Kotsias që e quan ligjin “një budallallëk historik”, apo deklarata e z. Dendias, ish-ministri i jashtëm që e quan “një atavizëm i panevojshëm”, por edhe në takimet më të afërta me homologët tanë dhe me qeverinë greke ne e kemi prezente qëndrimin tonë”, tha Spiropali. Projektrezoluta iu propozua Kuvendit nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim” më 4 korrik 2024 dhe do të shqyrtohet në seancën e kuvendit të 18 korrikut.
Projektdeklarata nga ana e Kuvendit të Shqipërisë “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës” kërkon të njëjtin vullnet edhe nga Kuvendi i Greqisë. Në teori pala greke përmes qëndrimeve të ministrave të saj të jashtëm ndër vite, ka shprehur vullnet për heqjen e ligjit të luftës, që qëndron aktiv në absurditet që nga viti 1940, por iniciativa reale deri më tani nuk ka pasur. Edhe vetë Kryeministri Rama, në takimin me emigrantët shqiptarë më 12 maj në Athinë, e konsideroi ligjin e luftës si një absurditet, që qëndron në fuqi dhe që lidhet kryesisht me pronat e shqiptarëve çamë.