Hartimi i regjistrit (fjalësit) të njësuar të “Enciklopedisë shqiptare” do të përfundojë deri në fund të vitit.
Projekti madhor në albanologji “Enciklopedia shqiptare” do të zbatohet nga Akademitë e Shkencave të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Mbledhja e redaksisë qëndrore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kishte të pranishëm anëtarët e saj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku ndër të tjera deri në fund të këtij viti do të mbarojë hartimi i regjistrit (fjalësit) të njësuar të Enciklopedisë. Mbledhja u drejtua nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akademik Skënder Gjinushi. Sipas Akademisë së Shkencave për veprimtarinë e dy redaksive vendore, të ngritura në Tiranë dhe në Prishtinë, informuan akademik Mehmet Kraja, zëvendëskryeredaktori i RQ e drejtues i redaksisë vendore të Kosovës dhe akademik Shaban Sinani, drejtues i redaksisë vendore të Shqipërisë.
Sipas ASH-së për këtë mbledhje, një informim të tabelizuar me të dhëna statistikuara për prirjet që shfaqen gjatë takimeve dhe komunikimit midis redaksive të fushave për përgatitjen e fjalësit të përbashkët të “Enciklopedisë” paraqiti dr. Arian Leka, përgjegjës i sektorit të enciklopedisë në QBEA. “Kësaj mbledhjeje iu paraqitën për miratim rekomandimet për zgjidhje të unifikuar të problemeve që dolën gjatë punës së redaksive të fushave. Këto rekomandime qenë diskutuar e miratuar edhe në takimin e datës 3 qershor 2024 të dy redaksive vendore. Rekomandimet u miratuan dhe do t’u bëhen të njohura redaksive të fushave si zgjidhje instruktive. Gjithashtu u diskutua dhe u miratua kalendari për gjashtëmujorin e dytë për redaksitë e të tre niveleve. Deri në fund të vitit do të përfundojë hartimi i regjistrit (fjalësit) të njësuar të “Enciklopedisë shqiptare”, që, me miratimin nga redaksia qëndrore, do të shërbejë si projekt për zbatim”, thuhet nga ASH. “Enciklopedia shqiptare” do të përbëhet nga 10 vëllime, me nga 400 faqe secili, ku do të përfshihen ngjarje historike, kulturore, politike, sociale dhe personalitete që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.
Projekti dhe financimi
Në financimin e enciklopedisë do të kontribuojnë dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë. Projekti që pritet të zgjasë rreth 5 vite që nga nisja e tij përfshin edhe institucione të tjera kërkimore shkencore, si dhe studiues shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora. Struktura e redaksisë është e përbërë nga strukturat qendrore dhe vendore, ku krahas 11 anëtarëve të redaksisë qendrore janë ngritur sipas fushave përkatëse 30 redaksi në Shqipëri dhe 30 në Kosovë për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”. Puna për këtë enciklopedi ka nisur në janar të vitit 2023, e cila do të dokumentojë origjinën e shqiptarëve, historinë, drejtshkrimin dhe arkeologjinë. Puna për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare ishte vendim i mbledhjes ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë në qershor të vitit 2022.