Tirana në “shtetrrethim”/ 1200 forca policie, kamera, FNSH dhe Shqiponjat të angazhuara për protestën e PD-së.
Opozita do të zhvillojë protestën kombëtare para Kryeministrisë në orën 20:00. Dhe policia ka marrë masa për mbarëvajtjen e tubimit të Partisë Demokratike.
Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1200 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Shpërndarja e uniformave blu pritet të jetë e ngjashme me protestat e mëparshme që janë mbajtur nga opozita më parë. Përballë protestuesve me një kordon që do të jetë përgjatë perimetrit të Kryeministrisë do të jenë punonjësit e rendit dhe ata Shqiponja ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri në pjesën e pasme.
Ndërkohë për protestën para Kryeministrisë do të vendosen kamera sigurie me rezolucion të lartë në vende të ndryshme për një panoramë sa më të gjerë të aktivitetit të protestuesve, për të pasur nën mbikëqyrje situatën. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike.