Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë për shfuqizimin e akcizës së birrës, mbetet në fuqi ligji aktual, nuk cenohet…
Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë për shfuqizimin e akcizës së birrës, mbetet në fuqi ligji aktual, nuk cenohet liria ekonomike.
Gjykata Kushtetuese vendosi të mbajë në fuqi ligjin e ri “Për akcizat”, që unifikoi nga 1 janari 2023 akcizën te prodhuesit e birrës. Me vendimmarrjen e sotme Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike për shfuqizimin e pjesshëm të ligjeve nr. 81/2022 dhe nr. 94/2023 për akcizat, për pjesën që parashikon unifikimin e akcizës së birrës nga malto për të gjithë prodhuesit pavarësisht sasisë së prodhimit vjetor. Në njoftimin për vendimmarrjen thuhet se Gjykata Kushtetuese çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional.
“Në lidhje me bazueshmërinë në themel të këtij pretendimi, Gjykata, duke mos vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të shtetit në fushën e taksave dhe tatimeve, vlerësoi se unifikimi i akcizës përbën ndërhyrje në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Kjo ndërhyrje plotëson kriteret kushtetuese “të vendosur vetëm me ligj” dhe “për interes publik”, të parashikuara në nenet 11 dhe 17 të Kushtetutës. Lidhur me këtë të fundit, Gjykata rithekson qëndrimin e mbajtur në jurisprudencën e saj në lidhje me prezumimin e rëndësisë së objektivit të ligjvënësit dhe pranisë së interesit publik për një sistem tatimor efektiv. Për sa i përket analizës së kritereve të parimit të proporcionalitetit, Gjykata mbajti në konsideratë diskrecionin e shtetit në fushën fiskale dhe kohëzgjatjen prej 15 vjetësh të akcizës së diferencuar si një mjet i përzgjedhur nga ligjvënësi për të lehtësuar barrën tatimore për kategorinë e prodhuesve të produktit të birrës nga malto.
Gjykata çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash: Rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj. Njëzëri prodhuesit vendas kanë paralajmëruar disa herë se dyfishimi i akcizës jo vetëm do të rriste peshën e birrës së importit në treg, por do të çonte drejt falimentimit industrinë vendas.