“Ka pranuar 14 vrasje” – Gazetari nxjerr videon e Dumanit dhe shpërthen në akuza ndaj SPAK: Çojeni dhe me pushime në jug.
Gazetari i njohur i kronikës, Flamur Vezaj ka bërë një reagim të fortë për skandalin e ditëve të fundit, ku Nuredin Dumani është akuzuar se i ka vendosur tritol dy motrave që jetonin në një apartament me qira në Elbasan, pas divorcit me njërën prej tyre.
Alda Nikolli kërkoi të dëgjohej dhe të merreshin masa, por siç pretendon, SPAK i tha se Nuredin Dumani “kishte pasur si qëllim ta trembte, jo ta vriste”.
Flamur Vezaj nxjerr një video tjetër të të penduarit të drejtësisë duke bërë stërvitje në qelinë që e kishte kthyer si dhomë hoteli me 5 yje, ku kishte televizor, telefon, internet, kompjuter personal ku fliste në “Skype” dhe krijonte madje lidhje me vajza.
Ai i kujton prokurorëve të posaçëm se Nuredin Dumani është në fakt njeriu që ka pranuar në SPAK se ka vrarë 12 persona dhe 4 eleminime të tjera kanë mbetur në tentativë.
“Ta shikojnë familjet të cilëve u ka vrarë djemtë se në çfarë kushte mbahet ky vrasës me pagesë nga SPAK-u, më saktë nga prokurorët Altin Dumani dhe Behar Dibra”, shkruan gazetari, duke bërë një thirrje të fortë për marrjen e menjëherëshme të masave, sepse Nuredin Dumani nuk ëhstë më shumë se një vrasës.
“Pra, njeriu që ka bërë 12 vrasje kundrejt parave, ka ekzekutuar 12 të rinj, jeton në kushte luksi vetëm se ka pranuar t’i tregojë prokurorëve Dumani dhe Dibra krimet e tij”, vijon Flamur Vezaj, duke ironizuar prokurorët që në këtë vapë të madhe korriku ta dërgojnë të penduarin e tyre në ndonjë resort në jug të relaksohet.
Shënimi i plotë i gazetarit Flamur Vezaj:
Dumani, i penduari i SPAK-ut me 12 vrasje në kurriz, vazhdon aktivitetin nga qelia e luksit!
Ky që shikoni është Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë i 12 personave! Po, po, ka vrarë 12 persona dhe ka tentuar të vrasë 4 të tjerë! Këto krime janë ato që ai ka “rrëfyer” vetë, pasi prokurorët ende nuk kanë zbuluar të tjerat pas zbardhjes së SkyEcc etj.! Ta shikojnë familjet të cilëve u ka vrarë djemtë se në çfarë kushte mbahet ky vrasës me pagesë nga SPAK-u, më saktë nga prokurorët Altin Dumani dhe Behar Dibra!
Pra, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, ky vrasës me pagesë (që nuk është treguar i sinqertë në disa raste) në qelinë e tij të paraburgimit 313 ka kompjuter (biseda Skype) telefon, kondicioner, gira, shtanga, televizor me programet Digitalb etj.! Me gjithë këto kushte luksoze, ai ka rrahur të burgosur tjerë dhe ka mundësi edhe të komunikojë me femra, t’i zërë “dashnore”, të kërcënojë apo të detyrojë të bëjnë punë për të, të vendosë gjoba, por edhe të flasë lirshëm me persona jashtë burgut! Për të gjitha këto, ndaj tij ka një kallëzim në SPAK ku është denoncuar, e çfarë po bëhet me këtë kallëzim?!?
Pra, njeriu që ka bërë 12 vrasje kundrejt parave, ka ekzekutuar 12 të rinj, jeton në kushte luksi vetëm se ka pranuar t’i tregojë prokurorëve Dumani dhe Dibra krimet e tij! Përveç kushteve të luksit, ai do të përfitoi edhe një dënim të ulët në fund të gjykimit dhe do të dërgohet në një vend të sigurt për të vazhduar jetën i qetë!
P.S. Unë kam një kërkesë: duke qenë se është shumë vapë, dërgojeni në një resort në jug ku ka edhe pishinë që të ndihet më i relaksuar që të kujtojë krimet që ka bërë e më pas t’i rendisë në letër!