“Përbërje të rikonstruktuar”, kryeministri malazez bën propozimin e papritur: Të kemi pjesë të qeverisë dhe prorusë.

0
388

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i propozoi Kuvendit të këtij vendi një përbërje të rikonstruktuar të Qeverisë, e cila nëse votohet, do të përfshijë partitë e Frontit Demokratik prorus (DF) dhe Partinë Boshnjake (BS).

Duke iu adresuar deputetëve, Spajiq tha se Mal i Zi sot është më i bashkuar se kurrë.

“Kjo qeveri është garantuese e stabilitetit dhe pjekurisë. Ne jemi tregues se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë dhe punojnë së bashku”, tha Spajiq.

Me propozim të tij, DF-ja do t’i merrte dy poste zëvendëskryeministrash dhe tre ministra.

Ky është riformatizimi i parë i Qeverisë së Spajiqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar me votat e 46 deputetëve nga 81 sa janë gjithsej.

Qeverinë, atëkohë, e mbështetën 13 deputetë të partive të DF-së, që u shpërbë së voni – përkatësisht Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit – me kushtin që t’i bashkohen Qeverisë këtë vit.

Politika e këtyre partive është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë – të vendosura për shkak të agresionit të saj në Ukrainë – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtare të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, etj.

Përveçse mbështesin presidentin rus, Vladimir Putin, udhëheqësit e këtyre partive kanë marrëdhënie të ngushta politike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, shkruan REL.

SHBA-ja, në disa raste, ka shprehur shqetësim për përfshirjen në pushtet të partive që kundërshtojnë vlerat euroatlantike.

Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe institucionet evropiane.

Megjithatë, Kuvendi i Malit të Zi ka zgjedhur Andrija Mandiqin për kryetar në fund të tetorit të vitit 2023. Ai është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes së Spajiqit Evropa Tani.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading