Zbulohet raporti konfidencial i KLSH për Bankën e Shqipërisë. Lekë me thasë për shpenzime, vetura e Guvernatorit 165 mijë euro!*
Një projekt-raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i sigluar konfidencial, hedh dyshime se Banka Qendrore është përfshirë në shkelje të shumta ligjore, duke shpenzuar për mallra luksi si dhe emetimin e parave për të investuar në pasuri të patundshme.
Shtatë vjet pas nisjes së punimeve për rikonstruksion dhe afro 1 dekadë e gjysmë pas blerjes së godinës ikonike të hotelit të famshëm “Dajti” në bulevardin qendror të Tiranës, Banka e Shqipërisë hapi dyert për të pritur punonjësit e saj në një ceremoni që kishte në fokus promovimin e turizimit.
“Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ambientet e reja të Bankës së Shqipërisë, dikur të njohura si Hotel Dajti,” tha guvernatori Gent Sejko, ndërsa i drejtohet kryeministrit Edi Rama gjatë përurimit të ndërtesës së rikonstruktuar.
“Ky monument kulture, i cili i është kthyer tashmë thesarit të trashëgimisë tonë kulturore, u rikonstruktua me një vizion të qartë, atë të ruajtjes së vlerave dhe stilit arkitekturor të kohës,” shtoi Sejko, ndërsa pranoi se “projekti i rijetëzimit ishte sa impenjativ aq dhe shpërblyes”.
Vetë kryeministri Edi Rama e falënderoi guvernatorin që zhvilloi një takim me fokus turizmin si aktivitetin e parë në godinën e rikonstruktuar.
“Faleminderit guvernatorit dhe Bankës së Shqipërisë për këtë aktivitet, që me sa kuptoj është i pari në mjediset e këtij institucioni, që përveçse institucion qendror i Republikës është monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, tanimë i rikthyer në identitet por me një funksion tjetër,” tha Rama.
Vetëkënaqësia e shprehur nga dy zyrtarët e lartë të shtetit për rikonstruksionin e ndërtesës mund të jetë e kuptueshme, duke llogaritur kohën e gjatë që projekti ka marrë.
Por një raport ‘konfidencial’ auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2017, i siguruar nga BIRN, tregon se falenderimet e dy zyrtarëve duhet t’u drejtoheshin qytetarëve, pasi ata kanë dhënë kontributin kryesor për blerjen dhe rikonstruksionin e godinës.
KLSH ka konstatuar në auditin e saj se Banka Qendrore ka printuar kartëmonedha për të blerë me 4 miliardë lekë [30 milion euro me kursin e kohës] në vitin 2010, godinën e rrënuar të hotelit dhe truallin përreth.
Raporti sugjeron se dhe financimi i shpenzimeve për rikonstruksionin e godinës qendrore në sheshin “Skënderbej” është bazuar në emetimin e parave, pasi rezervat në llogari për këtë qëllim nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se i emetimi i parave nga Banka e Shqipërisë ka sjellë kosto shtesë për qytetarët nëpërmjet rritjes së inflacionit.
“Në momentin që merret vendimi për printimin e parave dhe efekteve që prodhon ky vendim, rritet niveli i inflacionit sepse vendimi përkthehet në ofertë monetare të shtuar dhe çmime më të larta, veprim të cilin e pësojnë në kurriz qytetarët,” tha Pano Soko, ekspert i ekonomisë dhe anëtar i Nismës Thurje.
Printimi i parave për investime në pasuri të patundshme nuk është i vetmi problem i identifikuar nga KLSH. Sipas raportit, Banka e Shqipërisë në një rast dyshohet se ka ndihmuar një kompani private të shmangë pagesën e detyrimeve tatimore dhe kredisë bankare.
Raporti i auditit të KLSH-së shtrihet si në periudhën kur banka drejtohej nga ish-guvernatori Ardian Fullani, ashtu edhe gjatë periudhës së drejtuar nga guvernatori aktual, Gent Sejko. Emetimi i parasë i filluar gjatë periudhës që Fullani drejtonte bankën për blerjen e hotel Dajtit, dyshohet se mund të jetë vazhduar nga pasardhësi i tij Sejko për të financuar rikonstruksionin e godinës.
Sejko gjithashtu akuzohet nga grupi i auditit i KLSH-së se pas marrjes së drejtimit të institucionit më të lartë financiar të vendit, u përfshi në një procedurë të dyshimtë prokurimi për blerjen e një makine luksoze ‘Range Rover’.
Banka e Shqipërisë tha në një përgjigje për BIRN se gjetjet e audituesve që sugjerojnë shkelje janë pjesë e raportit paraprak, por jo përfundimtar, që sipas Bankës u rishikua pas vënies në dispozicion të dokumenteve.
“Nuk ka patur gjetje dhe asnjë rekomandim në raportin e KLSH, por pjesë e raportit paraprak, i cili, sikurse parashikon procesi, u rishikua nga ana e auditorëve si rrjedhojë e paraqitjes të dokumentacionit përkatës dhe bazës ligjore relevante nga ana e palës së audituar,” tha BSH.
“Emetimi i monedhës, sikurse parashikohet në ligj, bëhet në funksion të plotësimit të nevojave të ekonomisë me para, dhe në asnjë moment për të financuar shpenzimet e vetë institucionit”, shtoi Banka Qendrore.
Ish-kreu i KLSH për vitet 2011-2020, Bujar Leskaj i tha BIRN se vendimi i tij për ta klasifikuar raportin si konfidencial merrte parasysh specifikat e Bankës Qendrore.
“Duhet të jetë shpjeguar në Vendimin e Kryetarit, mbështetur në specifikën e subjektit që auditohet dhe sensibilitetin e çështjeve të trajtuara dhe se i është përcjellë Këshillit Mbikëqyrës të BSH,” tha Leskaj, duke shtuar se gjetjet kryesore janë edhe në Raportin për Zbatimin e Buxhetit dhe Raportin e Performancës së KLSH, që i janë përcjellë Kuvendit dhe Komisionit të Ekonomisë.
Ish-guvernatori Ardian Fullani nuk i’u përgjigj një kërkese për koment të drejtuar nga BIRN deri në publikimin e këij shkrimi.