Katër copëza në një
Syrja Kurti –
1.Ajo u shtri në shezlong.
Pastaj, duke u zgjatur paksa, tërhoqi dicka nga rëra. Ishte një libër.
-“Sara, hajde më bëj një foto!”
Shoqja u afrua dhe u bë gati me iPhone në dorë.
Ajo e hapi librin diku nga gjysma dhe u fiksua në pozë gjoja të shkujdesur “duke lexuar”.
-“Budallaqe, ktheje librin nga ana tjetër se e ke përmbys! Hahaha…”
-“Uaaa për pak lashë nam! Oki, tani gati…”
Foto u bë. Ajo u ngrit e iu drejtua çadrës ngjitur.
-“Faleminderit”, – tha duke buzëqeshur shpenguar dhe i zgjati librin të zonjës së çadrës.
-“Kaq më duhej” – shtoi shpejt duke ia lexuar habinë në fytyrë.
Pas pak në FB e saj:
“Diell dhe det i shkëlqyer para meje, por asgjë nuk më shijon më tepër se leximi i një libri…”
2
Në palestër. Ai sapo hyri. Kishte veshur Adidas. Të reja akull.
Shkoi para pasqyrës. Pa veten. Jo mirë mesa duket, sepse prishi pak buzët.
Tërhoqi barkun brenda. Ok, pak më ndryshe tani.
Kapi një girë. E rëndë. E la atë dhe mori një më të lehtë. Ok.
Ngriti girën me një dorë dhe me tjetrën shkrepi një selfie para pasqyrës.
E pa. Mesa duket nuk i pëlqeu. E la atë girë dhe mori prapë atë më të madhen.
E ngriti me sforco dhe shkrepi përsëri selfie. E pa. Qeshi.
La girën në vend dhe… iku.
Pas pak në FB e tij:
“Hard work @gym!”
3.
Jahti u parkua buzë molit, pranë lokalit.
Teksa dy zonja sportive po zbrisnin, vajza u ngrit vërtik nga tavolina e lokalit dhe u afrua. U nguli sytë zonjave pa droje fare, aq sa ato e pyetën me sy. Po ajo nuk turbullohet fare. E sqaron çështjen shpejt:
– “Zonjë, a mund të bëj një foto te jahti, ju lutem?”
– “Ahaa…Po”- përgjigjet ftohtë njëra prej tyre duke e parë me qesëndi.
Ajo vrapoi brenda jahtit, u shtriq dhe pozoi. Shoqja i shkrepi foton. E pa. I pëlqeu. Shkuan të lumtura përseri te tavolina e lokalit para filxhanëve të machiato-s.
Pas pak në FB e saj:
“Duke bërë plazh në jahtin e miqve të mij. Si mund t’ua refuzoja ftesënJ?!”
4.
– “Shpejt, se po vjen! Shpejt, shpejt! E ke gati aparatin?”
– “Gati zoti Z, mos kini merak…”
– “Siç të thashë, para fjalimit ai do u japë dorën të gjithëve. Ti do jesh gati! Kur të më vijë rradha mua, tak – shkrepe menjëherë! Kujdes, të na kapësh vetëm ne të dyve. Edhe nëse duket ai më shumë se unë, nuk ka problem. Madje më mirë ashtu! Rëndësi ka të mos duken të tjerët. Ok?“
-“Ok, pa merak fare zoti Z!”
Pas pak në FB e zotit Z :
“Moment nga biseda e ngrohtë me Ministrin…J”
*
Jemi kthyer në njerëz-spray.
Spray, si ai i famshmi i arbitrave të Botërorit. Sprayyyy…Shkëlqen bardhësia dhe efekti zhduket pas 60 sekondave… Mjaft në modë është bërë këto kohë të dukemi ata që s’jemi, të kemi diçka që nuk e kemi, të bëjmë diçka që nuk e bëjmë. “Të shkëlqejmë”…
Qoftë edhe për 60 sekonda…