Edi Rama ndez “motorët” për zgjedhjet e 2025.

0
uh

Edi Rama ndez “motorët” për zgjedhjet e 2025, Belinda Balluku pritet të marrë “frenat” si drejtuese politike e PS në Fier, Blendi Klosi mes Vlorës dhe Tiranës, ja çfarë po ndodh brenda selisë rozë.

Ndërsa na ndajnë rreth 10 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025, kryeministri Edi Rama duket se ka ndezur “motorët” dhe është vënë në lëvizje për të rigjenerizuar Partinë Socialiste. Pak ditë më parë nga Kongresi i PS, kryeministri Rama hodhi akuza të forta në adresë të deputetëve socialistë, ministrave dhe drejtuesve politik të Partisë Socialiste në qarqe. Kështu “kurban” i parë duket se është bërë ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Nuk dihet ende se ku ka gabuar, por Taulant Balla po e humbet gjithmonë e më shumë pushtetin brenda Partisë Socialiste. Pasi kryeministri Rama e shkarkoi si Ministër të Brendshëm pas vetëm 1 viti në detyrë, pa ndonjë motivacion, tashmë Taulant Balla duket se do të humbë edhe pozicionin si drejtues politik në qarkun e Fierit. Këtë vend pritet ta marrë Belinda Balluku, zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës që po fiton gjithmonë e më shume pikë në sytë e Ramës, aq sa ministritë më të rëndësishme po drejtohen nga ish vartësit e saj. Balluku ka publikuar një video nga Fieri pak ditë në parë ku është pritur me një tortë që mban emrin e saj “Belinda”, teksa ishte e shoqëruar nga deputetja Antoneta Dhima.

Nga ana tjetër, nuk dihet nëse Balla do të zhvendoset të drejtojë ndonjë qark, apo do të mjaftohet vetëm me emrin në listën e sigurt të deputetëve. Ndërkohë gazeta “SOT”, ka mësuar se Blendi Klosi që aktualisht është drejtues politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës ose mund të qëndrojë në këtë zonë, ose pritet t’i besohet Qarku i Tiranës, duke zëvendësuar Erion Veliajn. Ky i fundit nuk e ka më të sigurtë nëse do të jetë drejtues politik, duke qenë se po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pasi dyshohet se është përfshirë në disa afera korruptive. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e tjerë politikë të PS në 10 qarqet e tjera sipas burimeve nga brenda selisë rozë nuk e kanë të sigurtë nëse do të mbajnë ato poste e ofiqe, sepse me prurjet e reja që ka bërë kryeministri Edi Rama në qeveri dhe parti, askush nuk e ka më vendin e sigurtë, veçanërisht të vjetrit që kanë llogari të hapura me drejtësinë apo që janë konsumuar nga pushtetit dhe që në adresë të tyre janë hedhur akuza të forta se janë përfshirë në zullume korruptive e kriminale. Megjithatë mbetet të shihte në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Paralajmërimi i Ramës

Por këto lëvizje brenda PS duken edhe të paralajmëruara. Kjo pasi kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër deputetët e Partisë Socialiste gjatë fjalës në Kongres, duke i cilësuar përtacë. Rama tha pak ditë më parë se disa deputetë dalin në popull vetëm kur shoqërojnë atë ose për ndonjë foto. Ai theksoi se ka deputetë që u dëgjohet zëri vetëm kur trokasin në zyra shteti për punët e tyre ose të familjarëve, flasin në Parlament shumë rrallë dhe gjuajnë duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. “Jeta parlamentare nuk është vetëm arena e seancave kuvendore dhe as nuk nis e mbaron në mbledhjet e komisionit. Karrigia e Kuvendit është për t’u ulur për vendimmarrjen, por detyra e deputetit është me kilometrat te zgjedhësit, me grupet e interesit tek anëtarësia, ku dora, fjala, urtësia e deputetit, janë kusht për shëndetin e mirë. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë asgjë veçse shembulli i komunikimit me njerëzit, që ka ambicie të zgjidhë problemet, të rritet, të lartësohet në sytë e njerëzve, përmes punës që bën për vendin. Kjo duhet të vlejë për këdo që ka nderin të jetë deputet i PS-së. Të jesh deputet i PS-së, është diçka që e konsideroj privilegj, të pakrahasueshëm me asgjë, të zgjidhesh deputet është një borxh që nuk lahet dot kurrë deri në fund. Kush më pyet ku e gjen gjithë këtë energji e durim, ua kthej me buzëqeshje, por nuk kam si rri asnjë orë rehat, derisa ata që ma kanë bërë këtë nder nuk rrinë rehat. U kërkoj ndjesë sot, që deputet nuk janë, por kanë investuar mundin e tyre që një grusht njerëzish të jenë këtu sot si deputetë. U kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu të ulur mes nesh dhe nuk e kanë përmbushur ende as minimumin etik, të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë për detyrën për të cilën paguhen.

U kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull për të më shoqëruar mua apo për një foto. Për ata deputetë që u del zëri vetëm kur trokasin në zyra shteti për punët e tyre e të familjes së tyre. Apo edhe ata që duken në foltore një herë në hënë e flasin sikur kanë ardhur nga Hëna, ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë për të rejat e fundit nga portalet e thashethemeve për qeverinë. Ndjesë për disa që u është bërë ves me komente, apo të gjuajnë duke hedhur gurin e fshehur dorën, po duke harruar jashtë gjuhën e tyre që nuk pushon. Ndjesë deputetëve që nuk u takojnë këto fjalë, pasi nuk janë të gjithë dembelë”, deklaroi Rama.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading