SPAK fillon aksionin për t’i paraprirë krimeve elektorale përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025…
Zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen në Shqipëri në vitin 2025, do të jenë kusht për vijueshmërinë e reformave integruese për Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Do të jetë Prokuroria e Posaçme nën patronazhin e ndërkombëtarëve që do të kujdesen që ato të jenë të lira dhe të ndershme. Kreu i SPAK ka filluar që tani nga puna. Për herë të parë po hartohet një strategji e re për t’i paraprirë krimeve elektorale përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Në janar, ashtu siç paralajmëroi Altin Dumani do të zbulohet i gjithë plani i veçantë që po bëhet gati në mënyrë që të eliminohen të gjitha krimet zgjedhore. Nga ajo që është zbuluar deri më tani nga aksionet e SPAK, është se po goditen rrënjët e problemit. Po tentohet që të pritet simbioza e politikës dhe krimit. Prokurorët kanë futur në skaner Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili prej vitesh ka luajtur sipas rregullave të veta.
SPAK ka marrë nën hetim kreun e KQZ Ilirjan Celibashin. Ai dyshohet se ka abuzuar në lidhje me tenderin e pajisjeve elektronike për identifikimin e votuesve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Nga ana tjetër, SPAK në javët e fundit ka bërë operacione historike duke fundosur grupe të fuqishme kriminale të lidhur me politikën, të cilët kanë qenë të paprekshëm prej vitesh. Çdo ditë dëgjojmë lajme se ka ekstradime për në Tiranë të të “fortëve” që luanin “fijet” jashtë shtetit dhe bënin ligjin që atje për Shqipërinë.
Çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri?
Ky aksion ka filluar fuqishëm pasi në zgjedhjet vendore të vitit 2023, ngjashëm me proceset zgjedhore të mëparshme të mbajtura në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, janë shoqëruar me një lumë akuzash dhe kundër-akuzash për krime zgjedhore, kryesisht nga opozita në drejtim të Partisë Socialiste në pushtet.
Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore është vepra penale që zë peshën më të madhe të procedimeve në fushën e krimeve zgjedhore, ky është përfundimi i Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me krimet elektorale të hetuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Nga të dhënat e analizuara nga BIRN, rezulton se përgjatë vitit 2023 janë regjistruar 25 procedime për çështjet në fushën zgjedhore, ku kanë qenë 19 të pandehur. Pavarësisht numrit relativisht të lartë të procedimeve, vetëm 2 procedime penale janë dërguar në gjykatë me 14 të pandehur dhe prej tyre vetëm 2 janë dënuar.
Prokuroria e Përgjithshme në raportin vjetor, të depozituar në Kuvend, thekson faktin se “mund të bëhet shumë më tepër për sa i përket krimeve në fushën zgjedhore”. Kryeprokurori Olsian Çela, gjatë raportimit para deputetëve më datë 15 Korrik, pohoi se ky është “një shqetësim që jam munduar ta trajtoj si në analizat vjetore të prokurorive të rretheve, por edhe në kontributin për sa i përket mbështetjes që u kemi dhënë organizatave të ndryshme që kanë bërë studime të thelluara në lidhje performancën e prokurorisë duke asistuar ata dhe duke u përpjekur që rezultatet dhe gjetjet t’i bëjmë pjesë të analizave të punës dhe përmirësimit”.
Nga ana tjetër të dhënat e SPAK flasin për 50 procedime penale, me 17 persona të hetuar gjatë vitit 2023 për krimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Gjatë të njëjtit vit 8 procedime penale janë dërguar për gjykim nga SPAK me 16 të pandehur, janë dorëzuar në gjykatë 6 kërkesa për pushim, 2 janë transferuar, një është pezulluar dhe një procedim është bashkuar. Ndërkohë, 32 procedime penale janë mbartur për vitin 2024.
Shumë hetime, pak të dënuar
Ajo që bie në sy nga statistikat e dy institucioneve, është hendeku mes çështjeve që hetohen dhe të dënuarve. Ky shqetësim është ngritur edhe nga partitë politike opozitare, të cilat shpesh herë kanë hedhur akuza ndaj organit të akuzës se po amniston zyrtarët që kryejnë krime zgjedhore. Për avokatin Indrit Sefa, i cili ka mbajtur dhe postin e Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, në kohën kur vula dhe logo kontrolloheshin nga Lulzim Basha, problematika qëndron tek fakti që “kallëzimet penale që bëhen nga partitë politike janë kallëzime që lidhen me fakte penale që nuk kanë provueshmëri në momentin e bërjes së kallëzimit”.
Sefa shton se partitë politike nuk janë prokurori që të hetojnë dhe të gjejnë prova, por sipas tij në shumicën e rasteve edhe kanë administruar prova që i kanë depozituar në prokurori. “Fakti është që është me mbarimin e procesit zgjedhor bie dhe aktualiteti i ndjekjes penale të këtyre veprave, normalisht dhe prokuroritë nuk janë më të vullnetshme për ndjekjen e veprave penale që e kanë humbur aktualitetin, apo nuk sjellin një rrezik të vazhdueshëm”, shprehet avokati duke shtuar se organi i akuzës pavarësisht kohës, duhet të hetojë krimet zgjedhore që në këtë mënyrë edhe çështjet të mos zvarriten.
Por kreu i SPAK, Altin Dumani, në raportimin para deputetëve më 15 Korrik, i cilësoi të kënaqshme statistikat e institucionit që ai drejton, për sa i takon krimeve zgjedhore. “Këta janë tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e prokurorisë së posaçme në raport me hetimin e krimit zgjedhor,” tha Dumani. “Janë tregues ndoshta modestë, por tregojnë që prokuroria e posaçme ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre”, shtoi ai. Këto të dhëna detyrojnë SPAK që këtë herë të krijojë strategji të veçantë.