PS tërhiqet nga “Venecia” dhe pranon propozimin e PD, mandati i Xhaçkës shqyrtohet më 12 shtator.
PS tërhiqet nga “Venecia” dhe pranon propozimin e PD, mandati i Xhaçkës shqyrtohet më 12 shtator, zbardhet draft raport me 4 rekomandime Kuvendit, debate dhe akuza mes palëve.
Seanca e 12 shtatorit, e cila përkon dhe me seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, duket që do të jetë vendimtare për mandatin e deputetes së ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçkës. Për të tretën herë në 2 vite, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të ngrenë sërish kartonët për çështjen “Xhaçka”. Mazhoranca duket se ka bërë një hap pas nga qëndrimi i saj i prerë për mos ta çuar në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimin e mandatit të koleges së tyre dhe me Partinë Demorkatike që kërkon heqjen e këtij mandati ranë dakord që pr/vendimi “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka” të kalojë sërish për votim në seancën e 12 shtatorit.
Diskutimet u bënë dje në Këshillin e Legjislacionit, në një seancë të jashtëzakonshme jashtë sesionit, të thirrur nga kryetarja e Parlamentit ku përmes një raporti të hartuar nga Dhurata Çupi e opozitës, si kryetare në detyrë, Kuvendit i kërkohet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Ne kemi detyrimin të veprojmë me përparësi, të respektojmë dhe kërkojmë të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Përmes një vendimmarrje të detyrueshme të Kuvendit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese”, deklaroi kryetarja e Këshillit të Legjislacionit, Dhurata Çupi.
Debati
Por edhe pse ra dakord, mazhoranca fillimisht refuzoi që kryetares së Kuvendit t’i dërgohej një tjetër mendim i arsyetuar nga anëtarët e këshillit veç vendimit të kushtetueses, çka përfshiu palët në debat. Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit, – si organ këshillimor – Dhurata Çupi kishte hartuar një draftraport me 4 pika ku i sugjeron kryetares Elisa Spiropali hapat që duhet të ndërmarrë për zbatimin e vendimit. Pika 3 ishte dhe detyrimi i deputetëve për të votuar pro projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Socialistët nuk komentuan pikërisht këtë pikë por debatin e përqendruan tek panevoja për të realizuar një raport të tillë pasi ata janë dakord. pasi e përgatit administrata. Deputetja socialiste Klotilda Bushka tha se nuk ka nevojë për mendim të arsyetuar nga ana e këshillit, pasi kemi të bëjmë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. “Biem dakort që kryetares t’i propozohet që projektvendimi të përfshihet në seancën e parë plenare”, tha Bushka. Nuk e përgatit raportin administrata. Por ajo thjesht e zbardh. E motamo do ti dërgohet Kuvendit. Nëse mazhoranca kërkon që në seancën e 12.9 2024 të jetë në rend të ditës edhe shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese e vendosim”, deklaroi Çupi.
Ndërsa nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, i kërkoi Gazment Bardhit të shmangë komentet për retorikë politike e të mos shfaqet si ithtar i mbrotjes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Seanca vendos! Është organi më i lartë vendimmarrës i Kuvendit. Por të bësh të flasësh si ithtar i mbrojtjes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të vonosh zbatimin e vendimit të Gjykatës duke bërë diskurs politik për një orë do të thotë që po bën xhonglerin politik. Zonja Kryetare, ne nuk kemi nevojë ta rikomentojmë me raporte. Ne e çojmë në seancë e mbarojmë.
E nuk zgjatemi. E kuptoj që doni të bëni si mëndja pas Gjykatës Kushtetuese por nuk e nderoni gjykatën. Na lini të zbatojmë vendimin. Ta çojmë në seancë e ta zbatojmë”, deklaroi deputeti i PS, Toni Gogu. “Më vjen mirë që dielli i verës ju ka futur në kushtetutshmëri, e përgjegjësi për të zbatuar ligjin”, në replikë Dhurata Çupi.
Këshilli: Të detyrohen deputetët të votojnë pro
Këshilli i Legjislacionit si organ këshillimor përgatiti një draft raport ku renditen 4 hapat që duhet të ndërmerren për zbatimin e vendimit.
1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.
2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin.
Opozita e PS me 2 opinione për Xhaçkën
Seancës së 12 shtatorit, palët do t’i dërgojnë dy opinione të ndryshme, njërin prej të cilin deputetët do të duhet ta votojnë për ta dërguar në Kushtetuese. Do të jetë gjykata Kushtetuese ajo që më pas do të vendosë nëse mandati i deputetes Olta Xhaçka është në konflikt interesi sipas nenit 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës. Opozita pretendon se Xhaçka është në konflikt të hapur interesi për shkak të titullit investitor strategjik që i është dhënë bashkëshortit të saj nga qeveria, pretendim që mohohet nga deputetja.
Çfarë ka ndodhur dhe çfarë tha Gjykata Kushtetuese?
Mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt, tha Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 10 korrik 2024 ku shfuqizoi vendimin e parlamentit i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Në muajin prill, socialistët e interpretuan votën e tyre me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas kushtetutës janë të lirë në vendimmarrjen e tyre. Por me vendimin e 10 korrikut iu bë e qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj. Më 8 gusht 2024, kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali thirri jashtë sesioni mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit më 27 gusht. Thirrja e Këshillit të Legjislacionit pa përfunduar ende pushimet e verës për deputetët jashtë sesioni u bë pas kërkesës së grupit parlamentar të partisë Demokratike.
Çështja “Xhaçka” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita e cila pretendon se deputetes socialiste duhet t’i hiqet mandati me argumentin e konfliktit të interesit, për shkak të statusit të investitorit që ka bashkëshorti i saj. Vetë socialistët kanë vendosur që t’i drejtohen Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, siç e cilëson ajo, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Sekuestrimi i 10 mije metrave katrore ku Gaçi do të ndërtonte hotel
Çështja e mandatit të zonjës Xhaçka vijon prej gati dy vitesh të endet mes parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Pikëpyetjet mbi rastin e zonjës Xhaçka, lindën pasi kompania e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, mori statusin e investitorit strategjik për një hotel turistik, gjë e cila sipas opozitës përbën konflikt interesi. Çështja mori sërish vëmendje pasi pak muaj më parë pasi Gjykata e Posaçme vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ngrihet hoteli.
Trualli i blerë nga zoti Gaçi, prej personave privatë, rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit, përmes falsifikimit të dokumentave dhe se sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Më herët, pikërisht për dyshimet mbi pronësinë e kësaj sipërfaqeje ishte arrestuar dhe ish kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro.