Belinda Balluku,arkitektja e aferës së mbetjeve toksike të Kurum,pak ditë para skandalit firmosi kontratën me firmën kroate.
Belinda Balluku, arkitektja e aferës së mbetjeve toksike të Kurum, pak ditë para skandalit firmosi kontratën me firmën kroate pas të cilës nuk dihet se kush fshihet, ja si kompania pagoi 13 milionë euro për një koncension që nuk ekziston dhe mbi të cilin ka një arbitrazh.
Në këtë artikull, do të nxjerrim disa fakte që hedhin dyshime shumë të forta se në Shqipëri organizohet një aktivitet i mirëfilltë mafioz me tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Kjo tregti është e pamundur të realizohet pa korruptimin e institucioneve shtetërore që përgjigjen për sigurinë e kufijve duke filluar nga autoriteti portual, doganat dhe më tej policia kufitare. Një prej arkitekteve kryesore që ka lëvizur fijet në skandalin e mbetjeve me përmasa që tejkalon kufijtë e Shqipërisë është Belinda Balluku.
Detajet
Të dhënat e deritanishme tregojnë se mbetjet e prodhuara nga kompania turke “Kurum”, e cila operon në zonën e Elbasanit, janë eksportuar jashtë Shqipërisë nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” shpk, nën hundën ose, me shumë mundësi, me dijeninë e plotë të Autoritetit Portual të Durrësit, pasi siç e tregoi qartë Artur Meçollari, ish-zv.komandant i Forcave Detare, Kodi IMDG (Kodi Ndërkombëtar i Mallrave të Rrezikshme Detare) është i detyrueshëm sipas Konventës Ndërkombëtare për Sigurinë e Jetës në Det (SOLAS) dhe Konventës Ndërkombëtare për Parandalimin e Ndotjes nga Anijet (MARPOL) dhe në Portin e Durrësit, autoriteti i zbatimit të tij është Autoriteti Portual Durrës. Por gjithë kjo situatë nuk mbaron me kaq. Nuk mund të dënohet vetëm drejtori i Portit të Durrësit, pasi faktet që do të renditim më poshtë të shoqëruara me pikëpyetje dhe mistere për pazare të pista që janë bërë nën tavolinë, implikojnë gjithë shtetin.
Implikimi i Ballukut
Para se skandali për mbetjet toksike te Kurum drejt Tajlandës të bëhej publik, kompania gjermane EMS Shipping and Trading GMBH, që menaxhon portin lindor të Durrësit prej 11 vjetësh, e ka shitur koncesionin tek një kompani kroate. Në vendimin e aksionerëve të shoqërisë, që është depozituar në QKB më 26 gusht 2024, thuhet se kompania EMS e ka nënshkruar marrëveshjen për shitjen e të gjithë kapitalit aksionar tek SCAPHA D.O.O. më 7 qershor 2024. Kompania kroate me pronar të vetëm, Filip Rogosiç. SCAPHA D.O.O menaxhon edhe portin e Splitit në Kroaci. “EMS do t’i transferojë Blerësit 100% të aksioneve të zotëruara në shoqërinë e projektit EMS APO që po kryen aktivitetet e koncesionit sipas Kontratës së Koncesionit dhe do t’i transferojë Blerësit të gjitha të drejtat dhe detyrimet e Shoqërisë që rrjedhin nga kontrata e koncesionit dhe/ose dispozitat ligjore përkatëse”, thuhet në vendim.
Sipas transaksioneve të bëra mes kompanive, rezulton se koncesioni është shitur për një vlerë prej 13 milionë euro. Ndërkohë vlera e këtij koncesioni të miratuar nga qeveria Berisha më 6 maj 2013, ishte 2,069,371,737 lekë, për një periudhë 35 vjeçare. Një dekadë më pas, vazhdimësia e koncesionit u vendos në pikëpyetje nga planet për zhvendosjen e portit dhe zëvendësimin e tij me “Durrës Port Yachts and Marina” i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me investitorin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhamed Alabbar. Referuar dokumenteve të depozituara në QKB, akti i transferimit total të aksioneve është bërë më 31 korrik 2024, në favor të kompanisë kroate, e cila do të operojë në port 24 vite të tjera. Kjo shitje e koncesionit ka marrë edhe firmën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë vetë Balluku më 28 gusht e bëri përgjegjëse kompaninë gjermane EMS për lejimin e ngarkesës së dyshuar toksike, me destinacion Tajlandën.
Pikëpyetjet
Ministrja Balluku, që është bërë pjesë e kësaj marrëveshje okulte me firmën e saj, duhet t’i shpjegojë shqiptarëve dhe opinionit publik se si është e mundur që një kompani paguan të paktën 13 milionë euro, për një koncension që nuk ekziston më dhe mbi të cilin ka një arbitrazh. Këtë pazar të pistë që nuk ka dalë ende në dritë e ka ngritur si alarm edhe deputeti Agron Shehaj. Ky i fundit nënvizoi se shitja e koncesionit është bërë te një subjekt i ri, pas të cilit nuk dihet se kush fshihet, duke ngritur dyshimet për një marrëveshje të fshehtë të ndërmjetësuar nga kryeministri Rama. “Kompania koncensionare gjermane e Portit të Durrësit, i ka kërkuar në Arbitrazh Qeverisë Shqiptare 40 milionë euro, sipas tyre për prishje të kontratës.
Ndërkohë që gjyqi në arbitrazh vazhdon, zevëndëskryeministrja Belinda Balluku ka lejuar që ky koncensionar, i cili i kërkon 40 milionë euro qeverisë, të shesë koncensionin te një subjekt i ri, pas të cilit nuk dihet se kush fshihet”, u shpreh dje Shehaj. Pyetjet që ngre deputeti dhe që Balluku e Rama duhet t’ju shpjegojë shqiptarëve janë se kush qëndron pas pronarëve të rinj të koncensionit? Çfarë i ka premtuar qeveria shqiptare pronarëve të rinj të koncensionit? A vazhdon gjyqi në arbitrazh apo është vendosur kusht tërheqja nga arbitrazhi? Pse është mbajtur i fshehtë transferimi i koncensionit dhe a është vendosur në qershor largimi i kompanisë koncensionare gjermane për të vazhduar në qetësi trafikun e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit?