Tensionet midis opozitës dhe mazhorancës, analisti Kikia: Po tërheqin edhe sistemin e drejtësisë në betejën e tyre.
Analisti Mentor Kikia, i ftuar në një studio televizive, tha se mazhoranca dhe opozita po tërheqin në betejën e tyre dhe sistemin e drejtësisë.
Duke vijuar, Kikia tha se ditën e nesërme (në të cilën është parashikuar të zhvillohet seanca plenare e radhës) beteja e vërtetë do të zhvillohet para derës së Kuvendit.
“Ajo lloj paqeje që supozohet që u mboll me një marrëveshje që u konsiderua për të ashtuquajturën reformë zgjedhore u gris shpejt dhe atmosfera politike është rikthyer atje ku ishte dimrin e kaluar, por me tensione më të mëdha.
Ka bashkërendim të veprimeve konkrete të opozitës për të pamundësuar zhvillimin e seancave plenare. Përfshirë kaosin me djegien e karrigeve, por edhe me dërgimin paralelisht të padive pasi palët ndryshe nga herët e tjera, në betejën e tyre po tërheqin dhe sistemin e drejtësisë. Do të jetë interesante për të parë sjelljen e prokurorisë me padinë ndaj 23 deputetëve dhe padinë e opozitës ndaj grupit parlamentar të PS-së.
Arena e vërtetë e betejë do të jetë hyrja e Kuvendit, pasi kryesia do të përjashtojë pjesën më të madhe të grupit parlamentar të PD-së se nuk do të duhet të lejohen të hyjnë. Kjo do të jetë detyra e gardës. Kemi hyrë në një stinë politike e cila është tërësisht agresive por nuk dimë sa do të zgjasë dhe në fund çfarë do të prodhojë.”
Më tej, Kikia tha se opozita nuk po e përkthen dot pakënaqësinë e qytetarëve në votë për shkak të liderit politik.
“Opozita ka një problem të madh, këtë numër të madh njerëzish, këtë lloj mosaprovimi nuk e merr dot ta shndërrojë në votë. Kjo ka arsye, dhe kjo arsye është lideri politik.”