Ilir Meta fut në sherr demokratët, Kreshnik Çollaku i del kundër Nokës: Kreu i PL nuk ka punë te listat tona

Ilir Meta ka futur në sherr Partinë Demokratike. Një ditë më parë Flamur Noka paralajmëroi se kreu i PL do të futet te lista e PD, pavarësisht se është në qeli, por jo të gjithë kanë dalë krah tij. Kreshnik Çollaku, është shprehur se PD dhe PL nuk duhet të garojnë me lista të përbashkëta. Pra kreu i PL nuk duhet të jetë te lista e PD. Sipas tij, PD dhe PL janë parti me ideologji dhe qëndrime të ndryshme dhe futja me një listë të përbashkët nuk sjell shtim të votave, por pakësim të tyre. Ai tha gjithashtu se futja me lista të përbashkëta e PD dhe PL ka bërë që të majtët të mos votojnë për PD-në dhe vota të djathta të mos shkojnë për listën e PD kur kanë parë që aty ndodhet një parti e majtë.
“Mendoj se Ilir Meta pavarësisht se në gjendjen në të cilën ai ndodhet, pavarësisht burgosjes, pavarësisht goditjes totalisht të paligjshme e të padenjë, unë mendoj që PD dhe PL janë dy parti të ndara, kanë dy elektorate të ndarë, kanë dy qasje të ndara dhe kanë dy qëndrime të ndara. Unë do të isha në favor të tolerimit dhe të akomodimit në listat e PD të aleatëve historikë të djathtë që na bashkojnë programet politike. I uroj shumë sukses Metës në betejën e tij ligjore, i uroj shumë sukses PL në garën elektorale, por unë mendoj që ne jemi dy parti të ndara dhe futja në lista të përbashkëta nuk ka prodhuar në asnjë rast histori suksesi.
Ka bërë që vota të majta të mos votojnë për PD-në dhe vota të djathta të mos votojnë për listën e PD kur kanë parë që aty ndodhet një parti e majtë”, tha Çollaku dje në “A2 CNN”. Pra duket se në prag të zgjedhjeve, PD vijon të jetë e ndarë. Berisha është në dilemë për Primaret, teksa Gazment Bardhi i ka dalë hapur kundër për këtë lloj procesi. Tani duket se ka dhe zëra kundër aleancës me Metën, çka do të thotë se në momentin që do të dal lista e deputetëve do kemi sërish përplasje.