Zgjedhjet në Kosovë. Kush bën qeverinë

0
image

Rezultatet preliminare për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të ekzekutivit të ri, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike. Në bazë të rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota. Kjo parti ka fituar rreth 41.29 për qind të votave, duke mos arritur të përsërisë suksesin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur mori mbi 50 për qind të votave. Me 21.83 për qind të votave, e dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.75 për qind të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë fitoi 7.68 për qind të votave. Lista Serbe ka fituar 3.96 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti. Rezultati përfundimtar i votimeve do të përcaktojë përbërjen e re të Kuvendit me 120 ulëse, ndërkaq deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre, dhjetë ulëse janë të garantuara për komunitetin serb.

“Kalkulimet” pas votave nga diaspora dhe me kusht

Rezultati paraprak aktual krijon situatë të paqartë dhe jopërfundimtare lidhur me atë se sa do të jetë numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës për secilin subjekt politik, si dhe kush do t’i qaset formimit të Qeverisë së re, vlerësojnë nga Grupi Ballkanik për Politika në Prishtinë.

Drejtori i këtij grupi, Naim Rashiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet aktuale mund të pësojnë ndryshime për cilindo subjekt garues, pas numërimit të votave nga jashtë Kosovës dhe të atyre me kusht.

“Lëvizja Vetëvendosje ka rreth 42 për qind, që do t’i bie 47 deputetë. Me votat e diasporës [votat nga jashtë] mund të kemi edhe dy ose tre deputetë. Nëse Vetëvendosje arrin në 49- 50 [ulëse të Kuvendit] do të kemi kalkulime të tjera. Nëse subjektet tjera e ulin dallimin me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë sërish do të kemi kalkulimet tjera”, konsideron Rashiti.

KQZ-ja ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës. Përderisa numri i votuesve me postë mbetet të verifikohet, në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë kanë votuar 15.552 persona. Numri i personave që kanë votuar me kusht ende nuk është bërë i ditur nga KQZ-ja.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading