Dodona ndodhet në Tomor dhe jo në Kamnik, Deshnicë apo Janinë

0
image

Nga Viol Algionasi

Historia kërkon fakte, jo dëshira personale. Dodona, qendra e shenjtë e pellazgëve dhe më vonë e grekëve të lashtë, nuk mund të vendoset aty ku dikush do me patjetër ta shohë. Ajo duhet të gjendet aty ku dëshmojnë burimet historike, gjeografia sakrale dhe arkeologjia. Dhe të gjitha këto e drejtojnë gishtin kah mali i Tomorrit, jo Kamniku, Deshnica apo Janina.

Përse Tomorri? Sepse ai është mali i shenjtë i Ilirisë dhe një pikë referimi i pandryshueshëm në besimet e hershme. Në Dodonën e përshkruar nga Herodoti dhe Straboni, orakulli fliste përmes gjetheve të lisit të shenjtë dhe pëshpëritjeve të erës – një përshkrim që përputhet më së miri me Kulmakun e Tomorrit, ku pelegrinazhet vazhdojnë ende sot me të njëjtën fuqi mistike. Kulti i Zeusit pellazgjik, që më vonë u shndërrua në kultin e Baba Tomorrit, ka një vijimësi të pandërprerë pikërisht në këtë mal, ndryshe nga Kamniku apo Deshnica, ku s’ka asnjë traditë të tillë.

Tani, çfarë pretendojnë këta “studiues” lokalë? Se një vendbanim neolitik në Kamnik apo Deshnicë mund të jetë Dodona? Atëherë, mbi ç’logjikë mund të thonë se një qendër orakullore e njohur nga të gjithë autorët antikë ndodhet diku vetëm sepse aty ka pasur njerëz në kohët e hershme? Me të njëjtën arsyetim, do të mund të thonim se çdo qytet neolitik është qendra e botës! Nëse do ndjekim këtë metodë, atëherë edhe Mali i Dajtit, Tomorricat apo malet e Devollit do ishin Dodona.

Po si shpjegojnë këta pseudostudiues faktin që asnjë burim antik nuk e përmend Kamnikun, Deshnicën e Përmetit apo Janinën si Dodonë? Si ka mundësi që Dodona e vërtetë përmendet nga Homeri, Herodoti, Plutarku dhe Straboni, por askush prej tyre nuk përmend as Kamnikun e Kolonjës, as Devollin, as Deshnicën? A mund të bëhet arkeologjia vetëm duke dëshiruar që një vend të jetë më i rëndësishëm se ç’është në të vërtetë? A mjafton një emër i lashtë apo një vendbanim për ta shpallur atë qendër orakullore?

Në fund të fundit, argumenti është i thjeshtë: Dodona nuk është një koncept që mund të zhvendoset sipas qejfit të dikujt. Ajo ka një histori të dokumentuar dhe një vazhdimësi kultike që çon drejt Tomorrit. Çdo përpjekje për ta çuar atë në Kamnik, Deshnicë apo Janinë nuk është gjë tjetër veçse një spekulim pa baza. Historia nuk mund të rishkruhet me dëshira, por vetëm me fakte dhe faktet flasin qartë, se Dodona është në Tomorr.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading