Bojkoti i “Belës” në grup dhe parlament, sinjale nga Spak per arrestimit të Veliajt, koka e Ballukut e rrezikohet nga tunelit të Llogarasë
Ditët e fundit kanë sjellë zhvillime të bujshme në politikën shqiptare, ku kryefjala mbetet arrestimi i Erion Veliajt, i cili pas viteve të gjata në bashki, ka “ndryshuar” zyrë duke u transferuar në qeli. Ky kalim befasues duket se ka hapur “kutinë e Pandorës” në radhët e mazhorancës, duke vënë në provë kohezionin e ekipit dhe aftësinë e tyre për të improvizuar narrativat e radhës. Por, pasojat nuk ndalen vetëm te Veliaj.
Mësohet se SPAK ka nisur të shikojë më thellë në kabinet, dhe pas “Skënderbeut” të Bashkisë, radhën dyshohet se e ka “Xhenierja” e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Po, ajo që ka premtuar rrugë të reja, por për momentin po i duhet të merret me “rrugët” që çojnë në SPAK. Siç duket, tuneli i Llogarasës nuk qenka i vetmi që ka probleme në stabilitet. Bojkoti i Belës pas arrestimit të Veliajt në grupin parlamentar ishte sinjali i parë se mazhoranca e ka nuhatur erën e gjakut politik. Gjithashtu dhe dy mungesat e saj të fundit në Kuvend kanë ngjallur dyshime.
Strategjia e njohur e qeverisë Rama, “zhdukje taktike” e personazheve të rrezikuar, ka hyrë në fazën e saj të zakonshme: ftohje graduale, përçmim të heshtur dhe pastaj një dorëzim elegant të kokës së radhës. Sakaq, opozita e gëzuar me këto zhvillime ka vendosur të hapë shampanjë. Por, edhe atje ka dilema: a duhet të festojnë për goditjen e SPAK ndaj qeverisë, apo të kenë frikë se kush është radha pas Ballukut? Shumë nga ata që deri dje bërtisnin “Drejtësi!” tani po rrudhin vetullat e po pyesin “A mos e kemi zënë vetën në kurth?” Ndërkaq, Tuneli i Llogarasë vazhdon me punimet, ndonëse kjo nuk dihet nëse do të çojë drejt jugut apo drejt ndonjë fundi të errët për numrin dy të qeverisë.
Detajet nga afera
Hetimet e SPAK janë përqendruar që në mars të vitit 2021, ku qeveria shqiptare tenderoi për herë të parë ndërtimin e tunelit të Llogarasë me fond limit 19 miliardë lekë ose 190 milionë euro me kursin e sotëm. Në tender u paraqitën 6 oferta ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë shqiptare Gjoka Konstruksion me 14 miliardë lekë ose 140 milionë euro. Por ministrja Belinda Balluku e anuloi tenderin me arsyen zyrtare se asnjëra nga ofertat nuk ishte e përshtatshme. Tuneli i ritenderua në korrik të vitit 2021.
Qeveria shpalli fitues të garës bashkimin e dy kompanive turke pasi sipas denoncimit të fundit ajo nuk i plotësonte dot kushtet ta merrte e vetme. Këtë herë nuk e mori me vlerën 17 miliardë lekë ose 170 milionë euro. Pra 30 milionë euro më shumë se oferta në tenderin e parë që u anulua. Por skandali që po heton SPAK në këtë mes nuk mbaron me kaq. Tuneli i Llogarasë u ndërtua përmes nënkontraktimeve nga kompania “Gjoka” që dha ofertën 140 milionë euro në tenderin e parë të anuluar në mënyrë anti-ligjore nga Balluku. Kompania turke dyshohet se veproi kryesisht si ndërmjetës, duke përfituar diferencën prej 30 milionë eurosh. Pra qytetarët shqiptarë paguan 170 milionë euro, pasi 30 milionë shkuan si divident në Ankara.
Punimet i bëri e njëjta kompani dhe Balluku detyrohet të fusë në tender sërish “Gjokën”, kompani që u refuzua në fillim edhe pse paraqiti ofertë më të ulët se kompania turke. Nga analiza e pasqyrave financiare për vitet 2021 – 2024, kompania turke ka deklaruar se ka fituar në total gati 30 milionë euro, ndërkohë që në detajimin e zërave të shpenzimeve rezulton se 97.5% – 99% janë pagesa të kryera për nënkontraktim, pra kompanisë “Gjoka Konstruksion” sh.a. Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të Arben Ahmetajt, një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.
Belinda mal me kallëzime në SPAK
Nuk është vetëm tuneli i Llogarasë që rrezikon Belinda Ballukun. Ajo ka mal me kallëzime në SPAK. Prokuroria e Posaçme ka futur pothuajse në skaner të gjithë sektorët e ministrisë ku Balluku, që në momentin kur është emëruar ka denoncime, hetime dhe arrestime për korrupsion e vjedhje me tenderë e PPP rrugësh, shit-blerje energjie, ankande, kontrata koncesionare për portet detare, privatizime, dhënie trojesh e pyjesh falas për gurore, naftë, miniera, resorte në bregdet. Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah skema korruptive të ngritura në institucione kyçe që varen nga ministria që drejton Balluku. Dyshohet se SPAK ka në duar përgjime dhe fakte që implikojnë zv.kryeministren në korrupsion.