Debati mbi numrin e lartë të personave në paraburgim. Avokatja e Popullit për ‘Zërin e Amerikës’: Të merret në konsideratë prezumimi i pafajësisë
Në Shqipëri Avokati i Popullit dhe përfaqësues të fushës juridike në vijimësi kanë ngritur shqetësimin mbi nivelin e lartë të personave në paraburgim, që përbën 62% të totalit të popullisë së burgjeve. Shqipëria është kritikuar nga Këshilli i Europës në lidhje me cënimin e të drejtave të njeriut në këtë drejtim. Njohës të fushës juridike theksojnë se ashpërsimi i masave penale ka kosto të mëdha sociale dhe financiare, ndaj argumentojnë se ndër 7 masat shtrënguese të parashikuara në ligj, ajo e sigurimit “arrest në burg”, duhet të aplikohet e fundit.
Në Shqipëri Avokati i Popullit dhe grupe shoqërore që mbrojnë të drejtat e njeriut, vënë në dukje se rritja e vazhdueshme e numrit të të paraburgosorve në raport me popullsinë e burgjeve është një element që tregon probleme të thella në cënimin e lirisë së personit, pasi ai prezumohet i pafajshëm por praktikisht është në burg.
Sot në institucionet e vuajtjes së dënimit ndodhen 5028 shtetas, 62% e të cilëve të paraburgosur, një shifër që e vendos Shqipërinë në vendin e fundit në rajon dhe Europë për nivelin e lartë të personave që mbahen në burg pa një vendim gjykate të formës së prerë.
Numri i të paraburgosurve në Shqipëri, në raport me popullsinë e burgjeve në tërësi ka qenë i lartë në dy dekadat e fundit. Në vitin 2001 ai ishte 47.8 %, e totalit, në vitin 2015 u ul në rreth 30%, ndërsa pas këtij viti që përkon dhe me nisjen e reformës në drejtësi, ka ardhur duke u rritur ndjeshëm.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca i tha Zërit të Amerikës, se masat e rënda penale nuk ndikojnë gjithmonë pozitivisht dhe se duhet marrë në konsideratë prezumimi i pafajsisë.
“Më herët ka patur një qëndrim të qartë të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, që kanë parashikuar se masa e sigurimit “arrrest në burg” duhet të jetë e fundit dhe me e rënda për t’u përdorur. Kjo dhe në kuptim të parimit të prezumimit të pafajsisë”- thotë Znj. Ballanca.