Rama :Hera e parë në histori që njerëz të rëndësishëm dalin para drejtësisë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje e në Shqipëri është hera e parë në histori që ka njerëz politikisht të fuqishëm të cilët shkojnë përpara një prokurori e gjyqtari të pavarur. Kryeministri Rama ishte i pranishëm në diskutimet në panelin e konferencës që u zhvillua në Tiranë lidhur me fituesit e çmimit të madh ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh”, një nga nderimet më të larta europiane për personalitete me kontribut në bashkimin dhe përparimin e Evropës. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se, “sot po zhvillojmë këtë diskutim të jashtëzakonshëm të drejtësisë që shkon pas apo ndjek figurat e profilit të lartë. Nuk është e përsosur ka mjaft disavantazhe, por është hera e parë në histori që kemi njerëz politikisht të fuqishëm të cilët shkojnë përpara një prokurori e gjyqtari të pavarur.
Kurrë nuk ka ndodhur. “Qysh nga 1912-a, nga Pavarësia jonë, e deri disa vite më parë kur finalizuam Reformën në Drejtësi me ndihmën e Bashkimit Evropian, kurrë nuk kishim parë një ministër apo një individ të profilit të lartë, i lidhur me pushtetin politik, të çohej përpara gjykatës, e jo më të dënohej. Tashmë po i shohim këto gjëra dhe pa Bashkimin Evropian harrojeni, harrojeni! Dhe ka dhe më shumë e më shumë se kaq për të thënë për BE-në në këtë drejtim”, tha Rama. Sigurisht, shtoi Rama, “nuk jemi naivë, por jemi mjaft idealistë ende për BE-në, kjo është e sigurt. Jemi aq idealistë, sa dashuria e dikujt për martesën përpara sesa ta provojë”. Por, theksoi Rama, “përvoja më thotë se nuk ka plan “B” përkundrejt martesës. E kam provuar dhe m’u desh të rimartohesha. Kështu që pak a shumë kjo është qasja ime për këtë”.