Sot festohet Sulltan Nevruzi, ditë e shenjtë që simbolizon rilindjen dhe shpresën. Edhe presidenti Trump uron besimtarët bektashianë në të gjithë botën

Besimtarët bektashinjtë festojnë sot “Sulltan Nevruzin”, një nga festat më të rëndësishme të tyre, ditëlindjen e të madhit imam Aliut.
Fëmijë, gra e burra, të gjitha moshat mblidhen bashkë në kryegjyshatën botërore në Tiranë. Dëshirat dhe lutjet e tyre shkojnë për më shumë lumturi dhe dashuri mes njëri-tjetrit, duke i shprehur nëpërmjet qirinjëve të ndezur, një nga ritet e kësaj feste.
Ndërkohë Kryegjyshi Botërorë i Bektashinjve Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj do i drejtohet besimtarëve bektashinjtë me një mesazh.
Në këtë ditë vijnë dhe urimet nga politika.
22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë.
Çfarë është Sulltan Nevruzi
Fjala “Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve. Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuarën e vitit.
Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit
Dita nis me një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. Ndërkohë ushqimet karakteristike janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike.
Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe.
Presidenti Donald Trump uroi sot të gjithë besimtarët bektashinj në mbarë botën për festën e Sulltan Nevruzit.
“Urimet më të mira për të gjithë ata në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën që festojnë festën e lashtë të Sulltan Nevruzit. Kjo traditë shekullore është një mundësi për të reflektuar mbi bekimet e vitit të kaluar dhe për të pritur pranverën me një frymë të re shprese dhe optimizmi.”
Mesazhi i presidentit Trump u shpërnda në rrjete sociale edhe nga ambasada amerikane në Shqipëri.