SPAK nën hetim 33 zyrtarë të lartë, mbi tre mijë telefona në përgjim, ja si Altin Dumani ka vendosur në monitorim
Prokuroria e Posaçme (SPAK) me në krye Altin Dumanin ka publikuar dje raportin vjetor për luftën kundër korrupsionit, duke evidentuar një rritje të ndjeshme të çështjeve dhe personave nën hetim gjatë vitit 2024. Sipas raportit, janë 33 zyrtarë të lartë kanë qenë objekt hetimi, ku 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, që përfaqëson 52.9% të rasteve. “Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë vitit 2024, rezultojnë 33 zyrtarë të lartë nën hetim (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim.
Nga numri total i ish-zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve. Lidhur me volumin e çështjeve nën hetim për veprat penale në fushën e korrupsionit, gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka shënuar një rritje me rreth 8% krahasuar me vitin paraardhës (nga 447 çështje nën hetim për vitin 2023 në 483 çështje nën hetim për vitin 2024). Po kështu, është rritur me rreth 20%, edhe numri i personave të cilët që kanë qenë nën hetim për vitin 2024 në krahasim me ata të vitit paraardhës (nga 212 persona nën hetim në vitin 2023, në 257 persona nën hetim në vitin 2024). Rritje në masën rreth 8% ka shënuar gjithashtu, edhe numri i hetimeve të përfunduara dhe të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2023 (nga 38 në vitin 2023, në 41 në vitin 2024)”, thuhet në raport.
Gjithashtu në raport evidentohet se,gjatë vitit që lamë pas u përgjuan 3 mijë e 96 telefona. “Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 163 procedime penale ku janë interceptuar 3096 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit ne përgjim). Krahasuar me vitin 2023, numri i pajisjeve fundore të interceptuara është 7,1% më i ulët (3335 pajisje fundore të interceptuara gjatë vitit 2023). Për vitin 2024 janë ekzekutuar 2046 vendime gjykate, e cila shënon një rritje në masën rreth 22,6% (në krahasim me 1669 vendime gjykate për vitin 2023),” thotë SPAK. Sipas burimeve të brendshme, këto përgjime kanë sjellë prova të forta për implikime të drejtpërdrejta në aferat korruptive, abuzimet me tenderët dhe shpërdorimin e fondeve publike. Hetimet janë përqendruar në një rrjet të sofistikuar që përfshin emra të njohur të politikës dhe biznesit shqiptar.
Pra Dumani ka vendosur një strategji të re për të monitoruar dhe goditur rrjetet e korrupsionit brenda administratës publike. Dumani ka përforcuar ekipet e hetimit, duke përdorur teknologji të avancuar për të ndjekur flukset financiare dhe komunikimet mes zyrtarëve të dyshuar. Listat e hetimit përfshijnë një sërë figurash kyçe, të cilët dyshohen për korrupsion në nivelet më të larta. Sipas të dhënave të siguruara, disa prej ministrave nën hetim janë përfshirë në abuzime të mëdha me fonde publike dhe kontrata koncesionare. Ndërkaq, drejtorët e institucioneve shtetërore kanë qenë pjesë e një skeme të gjerë për të shpërndarë fondet publike në mënyrë abuzive.
Kërcënimet dhe presionet ndaj SPAK
Duke parë gjithë këtë situatë të nxehtë dhe alarmante, si në asnjë prej raporteve vjetorë më parë, SPAK e radhit presionin politiko-mediatik mes 10 shqetësimeve serioze për të cilat kërkon zgjidhje në dokumentin e dorëzuar në Kuvend. Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorët politikë dhe medatik, i cili cënon pavarësinë kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme, rrezikojnë gjithashtu integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK.”
Në raportin 109 faqësh, SPAK risjell shqetësimin e prokurorëve se çfarë do të ndodhë me ta pasi tu përfundojë mandati 5-vjeçar në këtë institucion, kur vetë ata i kanë kërkuar Kuvendit mundësinë që të rikandidojnë. Vijimi i mungesës së përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. SPAK konstaton se, kjo problematikë nuk është adresuar ende dhe thekson se mos përcaktimi i qartë i këtij statusi mund të cenojë vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit, të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucionet ndërkombëtare. Siç është nënvizuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, nga mungesa e një statusi të qartë të prokurorëve të posaçëm do të cenohej gjithashtu dhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK”, thuhet në raport.