Edhe “Selman Stërmasi” do të bëhet me kullë, dalin pamjet e stadiumit të ri

OMA + RH DHV + LOLA Landscape Architects + Albanian Investment Construction sh.p.k + Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k është shpallur fituese e konkursit për rijetëzimin e stadiumit ‘Selman Stërmasi”.
OMA është një firmë arkitekturore ndërkombëtare me zyra në Rotterdam, Nju Jork, Hong Kong, Doha dhe Australi. Kryetarja e jurisë ndërkombëtare, Amanda Levete, shprehu disa sugjerime lidhur me projektin.
“Kemi edhe disa sugjerime që do donim t’i shihnim në projektin e përfunduar, për të rafinuar formën e fasadave si për ndërtesat tregtare, ashtu edhe për stadiumin. Do donim që kjo ndërtesa të jetë më pak ndërtesë dhe më shumë në formën e një kulle sahati dhe një obelisku. Ishim jo fort të bindur për aktivitetin publik në tarracë dhe sugjerojmë që përdorimi për energji diellore të jetë aty”, tha Amanda Levete.

ë eventin e shpalljes së fituesit të Garës Ndërkombëtare për Projekt-Ide Arkitekturore për Rilindjen e Stadiumit “Selman Stërmasi”, pesë skuadrat finaliste prezantuan përpara jurisë konceptet arkitektonike për një stadium krejtësisht të ri, sipas standardeve të UEFA-s, kategorisë IV.
Korporata e Investimeve Shqiptare kishte hapur zyrtarisht garën për rindërtimin e stadiumit “Selman Stërmasi”, në fillim të këtij viti. Stadiumi i ri do të jetë i kategorisë IV të UEFA-s, që do të thotë i gatshëm për të pritur ndeshje të niveleve më të larta, përveç finaleve shumë të rëndësishme që kërkojnë stadium me mbi 50 mijë vende.

Ai u ndërtua në vitin 1956 dhe u emërua “Stadiumi Dinamo” deri në vitin 1991 kur iu dha emri i ri. Aktualisht stadiumi ka 9 mijë e 500 vende dhe i është nënshtruar disa herë rikonstruksioneve të ndryshme.