Kush do i përfaqësojë të krishterët në Elbasan? Dash Sula: Kryemagjistarët e listave e kthyen statutin e PD në letër bakalli
Teksa Sali Berisha po prezanton sot kandidatët për deputetë të qarkut të Elbasanit për zgjedhjet e 11 majit, deputeti Dashnor Sula, i lënë jashtë listave të PD, nuk ka kursyer kritikat dhe ironinë.
Në një postim në rrjete sociale, Sula ka kujtuar Primaret, proces që u promovua si garanci e demokracisë brenda PD, por që u zhbënë nga vetë Berisha.
Ai shkruan se demokratët e besimit të krishterë janë të papërfaqësuar në Elbasan, ndërsa akuzon Berishën se ka injoruar anëtarësinë e PD në këtë qark duke ‘djegur’ votat e tyre në Primare. Sipas Sulës, statuti i partisë është kthyer në një ‘letër bakalli’ dhe votat e demokratëve u shndërruan në hi nga ata që ai i quan si ‘kryemagjistratët’ e listave.
“Injorimi i anëtarësisë së Partisë Demokratike të Elbasanit duke i djegur e bërë hi votat e tyre në Primare. Mospërfaqësimi i 6 bashkive nga 7 që ka qarku Elbasanit me kandidatë në listën e kandidatëve për deputetë.
Diskriminimi dhe përçmimi që u është bërë Demokratëve dhe votuesve të zonave rurale në Qarkun e Elbasanit duke mos i përfaqësuar me emra në listë të mbyllur, nuk janë të vetme të probleme në listë e kandidatëve të PD për deputetë.
Pyetje për Kryestrategët e Kryemagjistarët që bërën listat e kandidatëve të PD, kush do ti përfaqësojë votuesit demokrat të besimit të krishter në Elbasan pas 11 majit?
Deri në fund të këtij mandati i ka përfaqësuar denjësisht, me shumë përkushtim dhe integritet Doktoresha Zheni Gjergji, por pas Shtatorit të këtij viti KUSH?
Përgjigja është: Askush!
Kryemagjistarët e listave të PD e kthyen STATUTIN e Partisë demokratike në Letër Bakalli, votat e demokratëve i shnderruan në hi që zhduket pa lënë gjurmë, demokratët e fshatrave i braktisën po ashtu edhe demomratët e komunitetit të Krishterë. Lista është për primarin jo demokratët”, shkruan ai.