Mos flisni në emrin tim – poezi nga Syrja Kurti

0
image

Mos flisni kurrë në emrin tim

se në fakt asnjëherë nuk e keni bërë siç duhet

dhe gjjithnjë keni gabuar,

ndoshta ndonjëherë nga keqdashja e herë tjetër nga paaftësia,

dhe nëse doni që gjërat ashtu siç janë të thuhen

duhet të dini që as unë vetë

kurrë nuk kam për t’i kuptuar

njëqindpërqind të gjitha ndjesitë e mia,

se brenda çdo shpirti ka një dhomë të fshehtë

ku fle e strukur ajo e vërteta e vërtetë

që mund të zgjohet në një çast të beftë

për t’u sjellë ashtu siç dëshiron me jetën

dhe për të mbushur çdo hije a siluetë me dritë njeriu.

Nuk e di si do të silleshit kur në një ditë të zakonshme

por që brenda saj ka atë zgjimin e çastit të beftë

emrin tim ta nxjerr nga kornizat ku e keni mbyllur,

dhe pastaj të mos sillem fare si xhentëlmen

dhe kostumin e moralit ta fus në sirtarin e parë që më del përpara

për t’u sjellë siç dua,

ndërsa ditën tjetër të ndryshoj përsëri mendje

e si një murg i devotshëm të vesh përsëri mantelin e moralit të kadifenjtë,

dhe vetëm me emrin tim mbi shpinë të vazhdoj të udhëtoj nëpër kohën e trazuar

me dëshirat,trishtimin dhimbjet, ëndrrat e mia

që brenda asaj dhomës së fshehtë i ndjej dhe më dhembin vetëm mua.

..

Kështu që mos flisni kurrë në emrin tim

sepse nuk mund t’u lejoj ta bëni

edhe atëherë kur koha ime të ketë mbaruar.

..

Prandaj mos t’u vijë keq

por s’keni ditur ta bëni siç duhet asnjëherë

se në fakt as unë nuk do të dija të flisja në emrin tuaj

sepse jemi të ndryshëm si njerëz

dhe të gjithë brenda shpirtrave tanë

kemi një kafshë të vogël të huaj

herë të butë por herë-herë dhe të egër

por që prapë se prapë mbetet e panjohur për të tjerët

dhe që ashtu siç është në të vërtetë

kurrë nuk kanë për ta kuptuar.

….

Prandaj mos flisni kurrë në emrin tim.

S.K

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading