Zgjedhjet e 11 majit, “lufta për Tiranën”,si ndahen mandatet për partitë e mëdha sipas analistëve

0
image

Tirana konsiderohet si beteja më e rëndësishme e zgjedhjeve të 11 Majit, dhe kjo jo pa arsye, pasi në kryeqytet janë në lojë plot 37 mandate. Në emisionin “Opinion”, gazetarë dhe analistë diskutuan mbi ecurinë e rezultateve që nga viti 2013 dhe ndanë pritshmëritë e tyre për mënyrën se si do të shpërndahet “torta elektorale” këtë vit. Rritja e popullsisë në 12 vitet e fundit është një tregues i qartë i transformimeve që ka pësuar Tirana, e cila më shumë se një dekadë më parë kishte vetëm 32 mandate.

Gjatë kësaj periudhe, numri i mandateve është rritur me 5, të cilat janë transferuar nga qarqe të tjera, duke e çuar totalin në 37. Sa i takon sistemit zgjedhor, partitë dhe koalicionet – përfshirë dhe Partinë Demokratike – marrin pjesë në zgjedhje me lista të mbyllura dhe të hapura. Në rastin e Tiranës, 12 mandate do të përcaktohen nga lista e mbyllur, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet përmes listës së hapur.

Por për çfarë luftojnë partitë kryesore në këto votime?

Sipas analistit Artan Hoxha, Partia Socialiste do të qëndrojë në kuotën e votave që ka marrë përgjatë viteve të kaluara duke fituar këtë vit 18 ose 19 mandate.

“Gjasat janë që në 2025-ën probabiliteti më i mundshëm i ngjarjes është që të ketë përsëri 18 ose 19 [mandate]. Pastaj se çfarë ndodh politikisht, që mund ta rrisë ose pakësojë, këto janë pastaj ngjarjet që lidhen me këto zgjedhje”, tha Hoxha.

Sa i përket Partisë Demokratike, ai tha se hyn me avantazhe dhe disavantazhe politike, duke përmendur “betejën” 4-vjeçare brenda partisë. Sipas tij, selia blu bashkë me aleatët mund të ndahen me 15 mandate nga kryeqyteti.

“PD në raport me 2021-shin ka avantazhe dhe disavantazhe politike. Kemi parasysh që nga 2021-shi në 2025-ën, PD-ja vjen pas një 4-vjeçari masakrues për të. Nuk mund të them dot parashikim, por them që 15 do ruhet. PD mendoj lufton për 15 [mandate]”, tha Hoxha.

Ndryshe mendon gazetari Anri Sala sa i përket opozitës. Sipas tij, PD rrezikon, duke bërë krahasimin edhe me zgjedhjet e tjera.

“Mund të marrë Jorida Tabaku 40 mijë vota, por nëse nuk plotësohet lista e 30%, Jorida Tabaku nuk del deputete. Mund të qëndrojë në 12-çe, por nëse nuk e kalon 30 përqindëshin Jorida Tabaku edhe pse ka 40 mijë vota nuk hyn. Këtu e shoh PD-në më të rrezikuar. Unë besoj sipas sondazheve PD minimalisht luhatet mes 12-13 mandateve në Tiranë”, tha ai.

Sa i përket shumicës socialiste, sipas gazetarit, synimi është minimalisht 19 mandate.

“Unë besoj minimalisht 19 mandate”, tha ai.

Për gazetaren Marsela Karapanço, PD-ja në kryeqytet mund të luhatet mes 13 deri në 14 mandate. Sipas saj, për listën e hapur deputetët e selisë blu do të luftojnë maksimalisht për 2 karrige në parlament.

“Partia Demokratike për Tiranën do shkoja mes 13 dhe 14 mandateve, duke bërë një betejë mes kandidatëve në listën e hapur për 1 ose 2 mandateve”, tha ajo.

Sa i përket socialistëve, Karapanço tha se shtesa e mandatit të marrë nga Korça do të shkojë për PS-në.

“Mendoj që shtesa shkon për PS-në, 19 ose 20 mandate. Mbeten diku te 4 ose 5 mandate të lira pastaj që shkojnë për partitë e reja”, u shpreh ajo.

Ndërsa analisti Mark Mark argumentoi se dy partitë më të mëdha në vend hyjnë me disavantazhe të mëdha në garë. Mirëpo kur vjen puna te listat, sipas tij, PS-ja e ka bërë më pragmatiste.

“PS ka bërë një listë më pragmatiste në taktikën elektorale, ka futur figura të pranueshme në listën e sigurtë, nga ana tjetër ka hedhur figurat që kanë ndikim në elektorat dhe ata do luftojnë. Ata kanë jo vetëm 1 prapavijë elektorale, por edhe një përvojë”, tha ai.

Sa i përket opozitës, mendon se LSI-ja është më e dobët se 4 vite më parë. Sipas Markut, zgjedhjet në Tiranë mund të ndahen në këtë mënyrë:

“Unë mendoj që PD-ja është te 14-15 mandate në rastin më të mirë dhe PS-ja është te 18-19”, u shpreh ai.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading