Rama, ky sharlatan ‘autik’ me mikrofon në dorë!

0
image

Në fund, ndjesa e Ramës  si gjithmonë  erdhi pas presionit publik. Jo se kuptoi gabimin, por sepse skenari i spektaklit duhej ndrequr pak, që të vazhdohej më tej loja e manipulimit emocional dhe e propagandës në Shqipëri.

“Të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, kënetën, domethënë nuk je mirë… Politikisht je autik, nuk je mirë.”

Ishte kjo deklarata shokuese e kryeministrit Edi Rama nga Gjirokastra në kuadër të fushatës elektorale të 11 majit 2025, me kërkesën se do të na japë pasaportën e BE.

Ky koment, i shoqëruar me një kërkesë ndjesë të vonuar, ka ngjallur reagime të forta duke lënë të kuptohet se videoja në mesnatë ishte më shumë një detyrim se sa një reflektim i sinqertë.

Edi Rama, protagonisti i tallavasë, mjeshtri i metaforave që s’lë asgjë të pathënë, në Gjirokastrën e gurit dhe historisë, zgjodhi të lërë pas historinë dhe kulturën, për të hedhur baltë.

Kryeministri i një vendi europian, në një mandat ku pretendon integrim, përdor fjalorin e një çuni rrugaç të lagjes, që sapo ka zbuluar Wikipedian por akoma nuk e ka mësuar empatinë.

Në stilin e tij të preferuar, ku grotesku bëhet normalitet dhe fyerja paketë humori, Edi Rama nuk ndalet me një gafë. Ai nuk kërkon më thjesht votën. Ai kërkon një mandat të katërt që të jetë i “plotë”, që të ketë kohë të mjaftueshme jo për të ndërtuar dhe reformuar shtetin, por për të shkatërruar dhe grabitur atë që ka mbetur në këtë vend.

Dhe çfarë fushate po bën? Një fushatë ku kundërshtarët janë “çyrikë”, qytetarët që s’e votojnë janë “politikisht autikë”, dhe ai vetë është një lloj supermeni që fluturon mbi realitetin shqiptar, me syze dielli dhe buzëqeshje të përhershme, ndërkohë që vendi përmbytet nga mungesa e shpresës.

Le ta bëjmë të qartë se nuk është lapsus. Nuk është humor. Nuk është metaforë e gabuar. Është arrogancë e përkthyer në gjuhë urrejtjeje. Kur një kryeministër përdor fjalën “autik” për të fyer një zgjedhës, ai nuk po tallet me kundërshtarin, ai po tallet me çdo fëmijë, çdo prind, çdo mësues, çdo punonjës që lufton për dinjitetin e personave me çrregullime të spektrit autik. Ai po e përdor këtë si një mënyrë për të ulur të tjerët që të duket vetë i madh.

Ironia është se në këtë përpjekje, ai thjesht tregon sa i vogël është.

Kjo është e njëjta logjikë që ka udhëhequr Ramën gjatë gjithë rrugëtimit të tij, kush nuk është me të, është i prapambetur, është injorant, është “çyryk”, është i shëmtuar, është “politikisht autik”.

Tani niveli është ulur aq shumë sa në vend të debatit, kemi fyerje. Në vend të programit, kemi batuta. Në vend të zgjidhjeve, kemi shfaqje. Shqipëria e Ramës nuk është më republikë, por skenë stand-up ku publiku është detyruar të qeshë me zor, edhe kur humori është i zi, i pashije dhe i rrezikshëm.

Nëse kjo është mënyra si Edi Rama kërkon të bindë shqiptarët për një tjetër mandat, me një fjalor që do ta turpëronte edhe një nxënës të klasës së tretë, atëherë problemi nuk është më vetëm ai. Problemi është edhe ata që e duartrokasin këtë vulgaritet politik, duke e ngatërruar arrogancën me autoritetin dhe përçmimin me lidershipin.

Në fund, ndjesa e Ramës  si gjithmonë  erdhi pas presionit publik. Jo se kuptoi gabimin, por sepse skenari i spektaklit duhej ndrequr pak, që të vazhdohej më tej loja e manipulimit emocional dhe propagandës në Shqipëri. Por ky vend nuk ka më nevojë për batuta. Ka nevojë për dinjitet. Dhe dinjiteti nuk matet me numrin e votave të fituara nga një fjalë e ulët, por me mënyrën si i trajton më të pambrojturit.

Dhe kur një lider tallet me më të pambrojturit ai nuk është më lider. Është thjesht një sharlatan me mikrofon në dorë dhe një publik të lodhur përballë./ Pamfleti

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading