Tom Doshi shpërthen kundër Ramës në Shkodër: Gjysmën e kabinetit e ke në burg
Kreu i PSD, Tom Doshi teksa po vijon fushatën e tij elektorale, betejën më të madhe e ka në Shkodër.
Doshi nga Shkodra ka akuzuar Ramën se gjysmën e kabinetit e ka në burg.
Gjatë fjalës së tij, Doshi pati disa kritika për qeverinë për të cilën tha se gjysma e kabinetit të Ramës ndodhet nën hetim ose në burg.
“Të vjen zor kur shikon gjysmën e qeverisë në burg dhe nën hetim. Shumë kush thotë pse po e sulmon qeverinë? Ne nuk mund ta marrim në mbrojtje, njerëzit që vjedhin qytetarët, nuk i përkasin Shqipërisë.”, tha Tom Doshi.
Këto sulme të Doshit ndaj Ramës vijnë pas përplasjeve të muajt Prill në mbledhjen e këshillit bashkiak të Shkodrës, e cila dështoi të zhvillohej pasi këshilltarët e PSD dhe PD braktisën sallën duke bërë që të mos arrihet kourumi i duhur.
Pasi u miratuan disa nga pikat e para të rendit të ditës që lidheshin me ndihmën për shtresat sociale, këshilltarja e PSD-së së Tom Doshit, Marin Duhani njoftoi se se socialdemokratët nuk do vijojnë më këtë mbledhje.
Ata akuzuan se vendimet e tjera bëheshin për fushatë elektorale. Pas një pushimi 5-minutësh të njëjtin vendim morën edhe këshilltarët e PD-së të cilët gjithashtu e lanë sallën. Të majtët të mbetur pa numra thanë se vendimi për braktisjen e mbledhjes ishte në dëm të qytetarëve.
Një prej pikave më të rëndësishme të rendit të ditës ishte dhënia e një sipërfaqeje të madhe në plazhin e Velipojës në administrim të ndërmarrjes “Bio Strajca sh.a” me qëllim që shezllonet në këtë sezon veror t’i vendosë kjo shoqëri aksionere e administruar nga bashkia dhe jo më privatët apo operatorë turistikë siç ka qenë më përpara.
Kjo braktisje e mbledhjes së këshillit bashkiak nga PSD-ja është e pazakontë pasi deri tani ata kishin bashkuar votat me PS në çdo vendim. Nga 51 anëtarë që ka Këshilli Bashkiak i Shkodrës, PS ka vetëm 18 anëtarë, 12 i takojnë PSD-së ndërsa pjesa tjetër i përket PD dhe partive tradicionalisht të djathta.