Sëmuret Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë mungon në seancën në GJKKO për shkak të problemeve me hernien

0
image

Për shkak të problemeve shëndetësore, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, nuk ka qenë sot i pranishëm në seancën gjyqësore në GJKKO.

Përmes një e-maili, avokati i tij, Ermal Yzeiraj informonte Gjykatën e Posaçme se bashkëshortja e Beqajt e kishte vënë në dijeni se gjendja shëndetësore e klientit të tij ishte rënduar dhe se nuk mund të paraqitej në gjyq.

Sipas tij, shkak është bërë problemi i ish-ministrit me hernien. Po ashtu, Yzeiraj informonte GJKKO se as ai vetë nuk mund të paraqitej, për shkak të një angazhimi akademik.

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për datën 7 maj seancën për “sterilizimin”.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur 5 akuza, korrupsion pasiv i zyrtarëve, mashtrim, falsifikim, shkelje e barazisë në tendera dhe fshehje e pasurisë për Ilir Beqajn dhe të pandehurit, Ermal Kurtulaj, Bledar Leka, Gazmend Haxhia dhe Mira Topçiu.

SEKUESTRO E PASURIVE

SPAK vendosI sekuestro preventive për shumat e parave  14 323 125 (katërmbëdhjetë milion e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë; 15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;  42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD.

Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim Gazment Haxhia, Elton Marini, Ilir Beqaj, Ermal Kurtula Bjona Zijaj, Bledar Leka dhe shoqërive tregtare të personave nën hetim

Po ashtu u vendos sekuestrio preventive mbi 19.4% të kuotave të restorant Gzonës në Kalanë e Tiranës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të hetimeve që po kryen për procedimin penal nr. 190, të vitit 2023, lidhur me veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni  257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, parashikuar nga nenet 143//2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë që iu përkasin personave nën hetim, të cilat përbëjnë produkt të veprës penale/ apo në vlerën ekuivalente të tyre.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.430, datë 15.07.2024, i ndryshuar me vendimin nr. 34, datë 09.08.2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera, si më poshtë vijon:

  1.  14 323 125 (katërmbëdhjetë milon e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë;
  2.  15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;
  3.  42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;

Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim G.H., E.M; I.B., E.K., B.Z., B.L; dhe shoqërive tregëtare të personave nën hetim;

  1. Sekuestro preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisëtregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k..
  2. Sekuestro preventive mbi tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim E.K dhe E.M.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e  këtyre vendimeve.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale.

Abuzimet me fondet e SASPAC 

Ilir Beqaj është nën hetim pasuror nga SPAK lidhur me abuzimet me fondet e SASPAC (Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), e cila drejtohej nga Beqja deri në momentin që ky i fundit u detyrua të japë dorëheqje pasi GJKKO caktoi dy masa sigurie ndaj tij: detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.

DOSJA

Pasi ish-ministri i Shëndetësisë u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët dyshojnë se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.

Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.

I drejtuar nga një shef kuzhine që mori famë prej shfaqjes së tij në emisionin ‘Masterchef’, restoranti premton një evolucion të traditës, me pjata të tilla si byreku me qepë-domate, tru viçi me lulelakër në qymyr si dhe njoki panxhari me djathë mishavinë.

Prokurorët shqiptarë dyshojnë se pas listës së shquar të klientëve dhe artit të kuzhinës, restoranti fsheh një skemë korruptive me fatura fiktive për të keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.

Në qendër të kësaj skeme dyshohet se qëndron Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që drejtonte deri në dhjetor Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i programit ‘USAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.

Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmorri më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.

Kontrollin në banesë e konfirmoi për gazetarët vetë Beqaj, i cili u paraqit në SPAK në të njëjtën ditë për shkak të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij sa i përket hetimeve për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore – një çështje paralele ku ish-ministri dyshohet për shpërdorim detyre.

“Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty,” tha Beqaj për gazetarët jashtë dyerve të SPAK.

Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj po ashtu konfirmoi kontrollin për mediat dhe shtoi se ishin sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefonat celularë dhe konfirmoi se veprimet hetimore lidheshin me rolin e ish-ministrit si drejtues i SASPAC.

Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’i caktuar atij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat mbi aferën e sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni i tij si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Kurtulaj nuk ishte i arritshëm për koment.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading