Mbyllet numërimi i diasporës përveç Greqisë, emigrantët i dhanë 1 deputet PS në Vlorë

0
image

Ka përfunduar numërimi i votës së diasporës në shtetet e tjera përveç Greqisë, pas kontestimeve të PD që çdo zarf i ardhur nga shteti helen të ndahet veç. Në total janë numëruar 145 441 zarfe nga 194 889 dhe mbeten pa numëruar 53 mijë zarfe nga Greqia, fatin e të cilave do ta vendosë sot në 09:00 në një mbledhje kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Nga vota e diasporës, Partia Socialiste ishte e vetmja që arriti të marrë një mandat. Bëhet fjalë për mandatin në qarkun e Vlorës, që e rriti PS nga 8 mandate që kishte fituar brenda vendit, në 9 mandate dhe PD-ASHM zbriti nga 4 mandate që kishte në vetëm 3.

PS mbetet me 83 mandate në rang vendi, PD me 50 mandate, PSD merr 3 mandate, 2 Partia Mundësia e Agron Shehajt dhe nga 1 mandat Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit dhe Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt.

Edhe në diasporë, Partia Socialiste ka marrë mbështetjen më të madhe me 77 901, ose 54.18% të totalit të votave të numëruara. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) renditet i dyti me 40 510 vota ose 28.17%. Në vend të tretë është Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (NISMA-SHB) me 11 651 vota (8.10%).

Partia Mundësia ka marrë 5 358 vota (3.73%), ndërsa Lëvizja Bashkë ka siguruar 3 848 vota (2.68%). Partia Socialdemokrate (PSD) ka marrë 1,947 vota (1.35%), ndërsa Partia Koalicioni Euroatlantik (KEA) ka grumbulluar 1 058 vota (0.74%).

Votat preferenciale për kandidatët nga diaspora ende nuk kanë nisur të numërohen. Në Tiranë, Partia Mundësia e Agron Shehajt mbrojti mandatin e dytë me disa dhjetëra vota dhe nuk u rrëzua as nga diaspora duke e lënë PD-në këtë qark, me 13 mandate.

Aktualisht të gjitha votat nga vendi fqinj janë të ndara veçmas, në kuti të ndryshme për të 12 qarqet. Shkak për këtë ndarje u bë një kërkesë e Partisë Demokratike që kur kutia e parë u hap, me argumentin e manipulimeve, kërkesë që u pranua nga kryekomisioneri Celibashi. Çdo zarf i Greqisë u kontestua dhe u veçua. Vendimi i Celibashit u rrëzua nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, vendimmarrja e të cilit u dërgua në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Demokratike.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading