“Mos prekni nënat tona, ndalni aksionin”. Protesta në Theth, deputetja: Banorët kanë të drejtën kushtetuese
Ditën e sotme banorët në Theth organizuan një protestë kundër prishjes së ndërtimeve pa leje.
Në protestë mori pjesë edhe deputetja e Partisë Demokratike, Gerta Bardeli e cila debatoi me policinë dhe tha se ata nuk duhet që ti pengojnë banorët. Ajo u shpreh se banorët janë në të drejtën e tyre kushtetuese dhe në tokën e tyre.
“Edhe këto janë në përmbushje të të drejtës së tyre kushtetuese. Asnjë shtyrje atje. Me banorët s’keni punë, kanë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Ata janë në truallin e tyre”, tha deputetja.
Ata patën një përplasje me forcat e policisë dhe nuk i lejuan që të futeshin në fshat ndërsa bënë thirrje që të mos preken nënat, gratë dhe familjarët e tyre duke u shprehur se po qëndrojnë aty për të mbrojtur pronat dhe jetesën e tyre.
“Mos prekni nënat tona, ndalni aksionin,” kanë thirrur banorët, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të ndaluar prishjen e objekteve që, sipas tyre, janë ndërtuar në tokën e tyre dhe pa elementë betoni, vetëm me materiale druri tradicionale.
Drejtuesit e Policisë iu bënë thirrje banorëve, për rreth një orë, që të zhbllokonin rrugën e bllokuar si formë proteste ndaj aksionit të IKMT por pavarësisht insistimit të policisë, banorët nuk pranuan të tërhiqeshin.
Situata qëndroi e tensionuar deri në momentin kur nisën reshjet e shiut, çka solli një tërheqje graduale nga të dyja palët.
Banorët liruan rrugën, ndërsa forcat e policisë u tërhoqën nga zona, duke sjellë kështu një normalizim të përkohshëm të situatës.
Kujtojmë që këtë të mërkurë banorët e fshatit turistik Theth bllokuan hyrjen në urën kryesore që çon në fshat, në shenjë proteste dhe kundërshtie ndaj vijimit të operacionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Ky aksion ka nisur para dy ditësh me qëllim heqjen e objekteve e vendosura në mënyrë të paligjshme, kryesisht ato të përshtatura për bujtina turistike.
Operacioni i IKMT nisi pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kritikoi ashpër edhe veprimet e prokurores së Shkodrës, që sipas tij, nuk kishte nisur çështje penale për këto objekte. Të hënën, në qendër të fshatit IKMT ndërhyri për të hequr 12 kabina të vendosura pa leje.
Banorët shprehin shqetësimin për pasojat që do të sjellë heqja e objekteve në zhvillimin turistik dhe ekonominë lokale, duke kërkuar një dialog të hapur me autoritetet.