Fundi i “parajsës” penale të Dubait: Por pse nuk po kthehen bosët e mëdhenj?

0
image

Ndër vite, Dubai është shndërruar në një vendstrehim për një numër të konsiderueshëm të personave të përfshirë në aktivitet kriminal me origjinë nga Shqipëria. Ata janë në kërkim nga autoritetet tona apo ndërkombëtare për vepra penale të rënda, kryesisht në fushën e trafikut të narkotikëve, pastrimit të parave dhe vrasjeve me porosi.

Trafikantët e parë shqiptarë të vendosur Dubai datojnë shumë herët në fillimin e viteve 2010, ata patën aftësinë për të kuptuar që në atë kohë se çfarë po ndërtohej në Dubai si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ligjore.

Shtetasit shqiptarë që strehohen në Dubai përfitojnë nga mungesa e një marrëveshjeje bilaterale për ekstradimin mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Por ky nuk është vetëm një problem shqiptare pasi të njëjtën vështirësi kanë edhe prokurori europiane, shumë herë më serioze se ajo shqiptare.

Kjo ka krijuar një vakum një ligjor të cilin këta individë e shfrytëzojnë për të shmangur ndjekjen penale. Pavarësisht ekzistencës së urdhrave ndërkombëtarë të arrestit të lëshuar nga INTERPOL-i, autoritetet vendase në Emiratet e Bashkuara, në shumicën e rasteve, nuk e konsiderojnë këtë dokument të mjaftueshëm për të lejuar ekstradimin.

Trafikantët e parë shqiptarë të vendosur Dubai datojnë shumë herët në fillimin e viteve 2010. Ata patën aftësinë për të kuptuar që në atë kohë se çfarë po ndërtohej në Dubai si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ligjore.

Por do të ishte viti 2015 që do të sillte vendosjen masive të elementëve kriminalë shqiptarë në këtë Emiratet e Bashkuara dhe ndër të parët që u vendosën atje ishin vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja dhe njiheshin si grupi i Dubait.

Lojtarë të dorës së parë në trafikun e kokainës, aktivitetin e drejtonin nga ky vend kryesisht duke furnizuar vendet e Bashkimit Europian ndër vite me tonelata me kokainë.

Aktiviteti i tyre vazhdoi i pashqetësuar pasi askush nuk dinte shumë mbi aktivitetin e tyre, në këtë situatë ishin prokuroria dhe policia shqiptare. Por u desh një ngjarje shumë e rëndë për të kuptuar se cilët ishin vëllezërit Copja dhe çfarë përfaqësonin ata në biznesin e kokainës.

Në 2018 në Elbasan ndodh ajo që njihet si masakra e Bradasheshit, ku vriten 3 persona dhe objektiv kryesorë i saj ishte Endrit Alibej dhe dy të afërm të tij, të cilët nuk i shpëtojnë plumbave.

Endriti së bashku më të vëllanë e tij Erionin, ishin të përfshirë në trafikun e kokainës dhe kishin konsoliduar linjën e tyre të trafikun dhe konsideroheshin shumë të rëndësishëm nga grupi i vëllezërve Çopja. Këtë version ngrit Erion Alibej në Gjykatën e Posaçme ku ai po jep dëshminë e tij si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Nga Dubai vëllezërit Çopja me disa persona të tjerë po nga Elbasani kishin kontraktuar grupin e Talo Çelës për të kryer masakrën. Ndërsa po me porosi të tyre deri në vitin 2020 ata eliminuan edhe disa persona të afërt të Erion Alibejt.

Pas zbardhjes së këtyre ngjarjeve nga SPAK për ta u lëshua urdhër arresti por ende dhe sot Hajdar Çopja nuk është sjellë në Shqipëri për tu përballur me akuzat. Ndërsa i vëllai i tij Franci, sipas mediave belge është ekstraduar drejt këtij vendi pasi ka akuza të hapura në këtë vend për vrasjen e Arjan Spahiut, edhe ky lidhje e Erion Alibej.

Hajdar Çopja mund të konsiderohet një bos i madh shqiptar i krimit të organizuar që deri tani shteti shqiptare nuk ka mundur ta sjellë në vendin tonë për tu përballur me akuzat e vrasjeve, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe organizatës kriminale.

Endrit Dokle është një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, i identifikuar prej më shumë se dy dekadash si pjesë qendrore e të ashtuquajturës “Banda e Durrësit”, një nga grupet kriminale më të strukturuara dhe të dhunshme të viteve 2000.

Dokle, krahu i djathtë i Klodian Salihut dhe më pas drejtues i vetë fraksionit që doli nga banda, u arrestua në vitin 2005 dhe u dënua me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë vrasje, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.

Për 15 vjet, ai qëndroi në burg, duke qenë një nga figurat më të rëndësishme të dënuara për krim të organizuar në Shqipëri. Megjithatë, në janar të vitit 2020, një vendim i diskutueshëm i Gjykatës së Krujës çoi në lirimin e parakohshëm të Dokles, me argumentin e sjelljes së mirë dhe rehabilitimit të tij gjatë vuajtjes së dënimit.

Vendimi shkaktoi reagim të gjerë në publik dhe institucione, pasi u konsiderua i pabazuar dhe i nxituar, duke sjellë edhe hetime ndaj gjyqtares që firmosi lirimin.

Pas daljes nga burgu, lëvizjet dhe aktivitetet e Endrit Dokles mbetën në qendër të vëmendjes së organeve ligjzbatuese. Sipas informacioneve, Dokle ka pasur përplasje të ashpra me një tjetër figurë të njohur të botës së krimit në Shqipëri Ervis Martinajn, i cili gjithashtu rezulton i zhdukur dhe i shumëkërkuar në të njëjtën kohë nga prokuroria shqiptare.

Dokle u mor në pyetje nga prokuroria në vitin 2022 por mohoi të kishte konflikte më Martinajn, siç pretendonin familjarët e këtij të fundit. Motivi i konfliktit mes tyre është ende i panjohur megjithatë Nuredin Dumani një tjetër bashkëpunëtorë i drejtësisë ka dëshmuar se Ervis Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për të eliminuar Endrit Doklen.

Ashtu si në rastin e lirimit nga burgu institucionet shqiptare janë një hap pas Endrit Dokles të cilin tentojnë ta arrestojnë në 2024 në operacion të SPAK. Por ai e kishte lënë Shqipëri përpara se të lëshohej urdhër arresti, duke u zhvendosur në oazin e të kërkuarve shqiptare, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Dokle konsiderohet personazh i rëndësishëm i krimit të organizuar shqiptare me aktivitet të shtrirë që prej fillimit të viteve 2000. Madje edhe gjatë kohës që qëndroi në qeli dënua për trafik drogë nga burgu.

Ashtu si në rastin e Hajdar Çopjas, edhe në rastin e Dokles sërish dështohet për ta sjellë në Shqipëri nga Emiratat Arabe deri në këtë kohë.

Durim Bami është një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, i lidhur me disa prej çështjeve më të ndjeshme penale të dekadës së fundit. Edhe pse nuk ka qenë asnjëherë i dënuar për ndonjë vepër të rëndë penale, Bami ka qenë vazhdimisht nën vëzhgimin e strukturave të sigurisë për dyshime të forta mbi përfshirjen e tij në krim të organizuar, atentate të porositura dhe tentativa për frikësim apo ndikuar në hetime të rëndësishme.

Emri i tij u bë i njohur për publikun në vitin 2014, pas atentatit të bujshëm ndaj tij në zonën e Kamzës, ku ai u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Ky atentat ngriti shumë pikëpyetje për pozicionin e tij real në botën kriminale dhe për lidhjet e tij të mundshme me grupe të ndryshme të krimit të organizuar në Shqipëri. Më pas, u mësua se Bami kishte bashkëpunuar në mënyrë të dyshimtë me organe të hetimit, në disa raste si viktimë e inskenuar apo dëshmitar.

Ai u përfshi më pas në një prej çështjeve më të ndjeshme politikisht të vitit 2015 ku ai do të vriste deputetin Tom Doshi me porosi të Ilir Metës. Ngjarje e hetuar dhe nga prokuroria u mbërrit në versionin se ajo ishte e inskenuar për të përfituar poltikisht nga kjo çështje.

Në vitet në vijim, Bami ka qenë i arrestuar disa herë për vepra penale të natyrës më të lehtë, përfshirë armëmbajtje pa leje dhe kanosje, por në çdo rast është liruar nga gjykatat për shkak të mungesës së provave ose mos vijimit të procedimeve hetimore. Pavarësisht lirimeve të njëpasnjëshme, ai mbeti një figurë me ndikim në qarqe kriminale të lidhura me zonën e Fushë-Krujës dhe Tiranës.

Sipas të dhënave të siguruara nga burime të sistemit të drejtësisë, Bami është përmendur disa herë në hetime të nisura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për raste të lidhura me grupet e strukturuara kriminale në Shqipëri, megjithatë ai nuk është vënë zyrtarisht nën akuzë në asnjë dosje kryesore. Gjithsesi, ka dyshime se roli i tij në disa raste ka qenë si ndërmjetësues mes grupeve të ndryshme apo si financues indirekt në operacione që lidhen me pazare droge ose tentativa për atentate të porositura.

Në të njëjtin operacion ku u shpall në kërkim Endrit Dokle, ishte dhe emri i Durim Bamit. Ata ishin në aleancë me njëri-tjetrin dhe armiku i tyre i përbashkët ishte ish deputeti socialist Arben Ndoka. Para se të finalizohej ky operacion Durim Bami ka lënë territorin shqiptar dhe është vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe, konkretisht në Dubai.

Aty besohet se ka krijuar kushte të qëndrimit afatgjatë përmes investimeve të drejtpërdrejta apo përmes subjekteve tregtare të regjistruara në emra të tjerë. Ai nuk rezulton të ketë pasur ndonjë ndalim në fuqi në momentin e largimit, dhe për këtë arsye udhëtimi i tij jashtë vendit është kryer në mënyrë të ligjshme nga pikëpamja procedurale.

Fakti që ai ndodhet në një shtet ku mungon një marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë, si dhe përdorimi i instrumenteve të ligjshmërisë formale për të justifikuar qëndrimin e tij në Dubai, e kanë bërë të vështirë çdo lloj ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të autoriteteve shqiptare për kthimin e tij, deri në këtë moment.

Rasti i Durim Bamit përbën një shembull të qartë të problematikës së mungesës së vendimeve të qarta gjyqësore për persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, si dhe vështirësive që hasin institucionet shqiptare në gjurmimin, ndalimin dhe rikthimin e këtyre individëve që ndodhen jashtë territorit të vendit.

Por kush janë të deportuarit deri tani nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe a janë ata dora e parë e krimit të organizuar shqiptarë?

I pari i rikthyer ishte Bruno Çoba, i akuzuar për mashtrim në vlerën e 4.7 milionë eurove. Më pas, në gusht 2024, përmes një operacioni të koordinuar, u ekstraduan Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të dy të dyshuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Në maj 2025, u soll në Shqipëri Florenc Çapja, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe në kërkim për disa ngjarje të tjera kriminale.

Në vijim, u deportua Dashnor Dumani, i përmendur si pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit. Bashkë me të, erdhi edhe Armes Stafa, i lidhur me grupin Çopja. Në qershor 2025, nga Dubai u sollën edhe tre persona të tjerë të kërkuar Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika të dyshuar për vrasje dhe ndihmë ndaj Talo Çelës, një nga të shumëkërkuarit e drejtësisë.

Burime policore konfirmojnë se këto rikthime janë rezultat i një bashkëpunimi të intensifikuar ndërkombëtar dhe jo thjesht “dorëzime vullnetare”, siç pretendojnë shpesh të arrestuarit. Takimet në nivel të lartë mes përfaqësuesve të policisë shqiptare dhe drejtuesve të Interpolit kanë luajtur rol kyç në këtë fazë të re të bashkëpunimit.

Rastet e fundit tregojnë qartë se Emiratet nuk janë më një strehë e sigurt për personat në kërkim për krime të rënda në Shqipëri. Institucionet shqiptare po forcojnë rolin e tyre në ndjekjen dhe rikthimin e këtyre individëve, duke treguar se edhe jashtë kufijve, krimi nuk do të mbetet pa ndëshkim. Por duhet thënë edhe diçka tjetër që të deportuarit deri tani përjashtuar Plaurent Dervishajn janë personazhe të dorës së dytë hierakinë e krimit të organizuar shqiptarë. E në këtë situatë pyetja që ngrihet është se kur do të jetë radha e bosëve të mëdhenj të krimit shqiptar për tu përballur me drejtësinë në Shqipëri?

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading