Nëse do të ishim një vend normal, dikush duhet ta kishte mbrojtur

0
image

Nuk mund ta përcjell dhe ta kaloj sikur nuk ka ndodhur asgjë dhunimin e një kamarieri 18 –vjeçar në qytetin e Vlorës për një shishe ujë të dërguar gabim.

Ai djalë ka shkuar të punojë se nuk di të vjedhë. Ka shkuar të punojë për t’i dhënë një dorë familjes sepse jeta është e vështirë. Dhe aty del një monstër që nuk mund ta quaj dot polic se fëlliq uniformën e policisë se i paska çuar një shishe ujë më tepër.

Unë kam katër fëmijë dhe të katërt gjatë gjithë jetës i kam porositur “ Mos vidh, mos shaj, mos merr atë që nuk është e jotja, respekto çdo njeri, puno me djersë dhe sillu mirë me të gjithë

Por kur sheh pamje të tilla, të gjitha ato që i kemi mësuar dhe u kemi thënë fëmijëve tanë nuk vlejnë më.Para një dhune të tillë të pajustifikuar nuk kemi se çfarë flasim më.

Por ajo që vret më shumë se dhuna është indiferentizmi kolektiv që tashmë është bërë pjesë e ditëve tona.Ne nuk mbrojmë më, ne nuk ngremë më zërin për asgjë.

Edhe kur e dimë se kjo duhet bërë ne nuk kemi më ndjeshmërinë për ta bërë. Edhe kur një i moshuar është rrëzuar në rrugë ne nuk bëjmë asgjë, por kalojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë

Edhe kur një njeri me probleme të shëndetit mendor bën veprime të pakontrolluara në rrugë dhe ka nevojë sikur edhe për një shishe me ujë, ne prapë nuk bëjmë asgjë. Ne nuk bëjmë asnjëherë asgjë

Ne nuk po bëjmë më asgjë. Është një indiferencë e frikshme që i ka lënë rrugë të lirë arrogancës, fodullëkut dhe injorancës prandaj të rinj si ai kamarieri 18 vjeçar këtu tani janë tepër.

Nuk kam më asnjë thirrje patetike për të rinjtë për të qëndruar këtu. Le të ikin nga ky vend nga sytë këmbët. Edhe fëmijët e mi bashkë me ta. Ky nuk është më vend i njerëzve normalë. Këtu nuk të mbron më askush. As shteti dhe as individi.

Sepse nëse do të qëndrojnë këtu do të shqyhen nga arroganca nën shikimin indiferent të turmës, ashtu siç turma e antilopave shikon me indiferencë turmën e luanëve që shqyejnë prenë e radhës dhe brenda vetes kanë një gëzim të fshehur që preja nuk janë ata.

Por do t’u vijë radha.Janë të gjithë në listë për t’u ngrënë. Dhe atëherë nuk do të jetë askush për të shikuar se si do të shqyhen. Sepse do të jenë mbaruar edhe indiferentët.

Djali im i vogël këtë vit kërkoi të punonte kamarier por duke qenë se është vetëm 14 vjeç ne nuk e lamë. Pra ai djalë mund të ishte dhe djali im, djali i secilit prej nesh. Dhe atë djalë, atë kamarier që ishte aty për të siguruar bukën e gojës me ndershmëri askush nuk e mbrojti, as shteti dhe askush tjetër.

Dhe në një vend ku nuk të mbron askush, nëse ai kamarier do të ishte djali im betohem në Zot që ai njeri (se polic nuk mund ta quaj atë lloj llumi) nuk do të kishte më shans jo të dhunojë më kamarierët e pafajshëm të lokaleve për një shishe ujë por nuk do kishte më shans që të pinte ujë

S.K.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading