Nuk ka më inceneratorë! Kumbaro i frikësohet BE: Keqmenaxhimi i mbetjeve dënohet me burg, do kemi sanksione europiane
Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro ka paralajmëruar masa të reja ligjore lidhur me keqmenaxhimin e mbetjeve.
Në një aktivitet për Reformën e Trajtimit të Integruar të Mbetjeve që u prezantua nga Edi Rama, Kumbaro theksoi rëndësinë e menaxhimit të drejtë të mbetjeve si një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në përmbushjen e standardeve europiane.
Ajo shtoi se keqmenaxhimi i mbetjeve sipas saj duhet të dënohet edhe me burg, megjithatë sanksionet që do të aplikohen do të jenë të matur dhe në përputhje me kërkesat dhe masat e Bashkimit Europian.
Kumbaro theksoi se edhe do të ketë edhe një periudhë tranzitore për rritjen e detyrimeve ligjore ndaj subjekteve të ndryshme.
Ministrja përmendi katër kategori kryesore të mbetjeve që kërkojnë vëmendje të veçantë: ambalazhet, pajisjet elektro-shtëpiake, bateritë, të cilat përbëjnë një rrezik serioz për mjedisin për shkak të ndotjes që shkaktojnë.
Në vijim të planit kombëtar, Kumbaro theksoi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës për menaxhimin e mbetjeve në nivele rajonale. Ajo përmendi zonat administrative ku po bëhen investime për ndërtimin e landfill-eve dhe stacioneve të transferimit, përfshirë Shkodrën-Lezhën, Kukësin, Dibrën, Tiranë-Durrësin, Fierin, Beratin, Korçën, Vlorën, Gjirokastrën, si dhe ndarjet veriore jugore të Vlorës.
Ministrja foli dhe për një sërë investimesh të reja. Në përfundim, Kumbaro theksoi se përveç përmirësimit të infrastrukturës, duhet të punohet intensivisht për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe për uljen e volumit të mbetjeve që përfundojnë në venddepozitime, duke e cilësuar këtë si një nga sfidat kryesore për të ardhmen mjedisore të Shqipërisë dhe rrugën drejt integrimit europian.