“Çimka” e Vetting zbulon keqpërdorimin e Policisë së Shtetit në e bastisjes së redaksive të News24: S’merremi me çështjet e qiramarrjes! Si u fsheh Shefi i Shtabit të FA: Ma sillni kërkesën me shkrim

0

Pamje nga momenti kur policia hyn në godinë. Policia e Shtetit hyri në ambientet e News24 pa vendim gjykate dhe pa përmbarim. Ky veprim bie ndesh me ligjet themelore të Republikës së Shqipërisë. Sipas ekspertëve ligjorë, kjo kompani ka shkelur ligjin, pasi sipas nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:

“Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të tij të ligjshme ose në rast mosmarrëveshjeje për t’u përcaktuar detyrimet e tij, ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”

Sipas avokates Margarita Kola: “Nuk ka qenë fare e nevojshme të ndërhyjë as policia, as ushtria, në një godinë kur marrëdhënia ka qenë ndërmjet një mediaje dhe autoritetit tjetër që e ka dhënë godinën me qira.”

Sipas gazetares Klodiana Lala: “Këtu janë dy godina dhe të gjithë thonë se News24 po qëndron në godina të zaptuara—nuk është e vërtetë kjo. Ministria e ka sqaruar shumë qartë dje: njëra nga godinat ka kontratë deri në vitin 2033; dhe më thoni: përse në atë godinë nuk lejohen gazetarët? Le të më thotë cilido ministër, cilido drejtor, cilido funksionar: përse unë dhe ju dhe gjithë kolegët që janë prapa nesh nuk lejohen që të shkojnë dhe të hyjnë në vendin e tyre të punës? Më thoni: përse nuk transmetojmë zjarret që po djegin Shqipërinë, përse nuk po transmetojmë ngjarjet, përse nuk po transmetojmë ato çfarë ne, në fakt, duhet të informojmë publikun? Dëgjo: mbyllja e një mediaje, në fakt, nuk i bën dëm disa gazetarëve, një grushti gazetarësh, por i bën dëm gjithë interesit publik.”

Neni 17 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:
“Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore mund të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Në asnjë rast kufizimi nuk mund të cenojë thelbin e të drejtave dhe lirive. Çdo veprim që cenon të drejtën e pronës, lirinë personale, ose veprimtarinë e medias, pa vendim ligjor ose gjyqësor, është i paligjshëm dhe penalizohet sipas ligjit.”

Sipas avokates Margarita Kola: “Unë mendoj që vendimi i gjykatës ka qenë plotësisht i drejtë, i mbështetur në standardet e Gjykatës së Strasburgut në lidhje me çështje të tilla.”

Neni 192 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, Shpërdorimi i detyrës:
“Kryerja ose moskryerja e veprimeve nga punonjësi i shtetit apo personi publik, në kundërshtim me ligjin, me qëllim për të sjellë përfitime ose dëme të padrejta për palë të tjera, dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Çdo veprim që cenon të drejtat e palëve të treta, duke përfshirë media ose institucione që bëjnë punën e tyre për të zbuluar korrupsionin, është i dënueshëm sipas këtij neni.”

Sipas avokates Margarita Kola: “Policia, sipas ligjit, ka vetëm detyrë; nuk ka detyrë të bëhet palë me asnjë—as me kreditorin, as me debitorin—në një ekzekutim të vendimit të gjykatës. Policia duhet të rrijë aty dhe është vetëm garantuese e mbarëvajtjes së procesit; që do të thotë: nëse palët krijojnë ndonjë konflikt, ndodh ndonjë situatë e tensionuar e të gjitha; por nuk kanë detyrë as të japin mendim dhe as të bëhen palë me asnjërën nga palët, siç thashë—as me debitorin, as me kreditorin. Natyrisht, nëse është vepruar në mënyrë të tillë—sepse unë nuk kam qenë aty prezent—nëse është vepruar në mënyrë të tillë, është totalisht në kundërshtim me ligjin, por edhe pak më lart: në kundërshtim me parimet e së drejtës. Është plotësisht në kundërshtim me ligjin dhe parimet e së drejtës.”

Neni 283 i Kodit të Procedurës Penale – Detyrimi për marrjen e kallëzimit penal:
“Policia dhe organet e tjera shtetërore janë të detyruara të marrin dhe regjistrojnë çdo kallëzim penal dhe ta përcjellin atë pa vonesë te prokurori kompetent. Mosveprimi i policisë, kur ka një kallëzim penal, është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit dhe përgjegjësia bie mbi drejtuesit e saj.”

Policia, pasi ndërpreu energjinë elektrike, për të shmangur xhirimet e kamerave të sigurisë, duke zgjedhur ditën e shtunë dhe kohën kur një pjesë e mirë e stafit të gazetarëve ishin me pushime, hyri me forcë, nxori gazetarët dhe i vendosi kyçin portës, dhe më pas thirri ushtrinë për të rrethuar godinën. Gazetarët u detyruan të kërkonin ndihmë në komisariatet e policisë, por thirrjet e tyre për ndihmë u injoruan.

Gazetari Igli Celmeta, në një lidhje telefonike me policinë e shtetit, kërkoi ndihmë për të aksesuar te materialet e tij dhe për të kryer një denoncim, por policia nuk erdhi pavarësisht kërkesës për ndihmë.

Gazetari: “Përshëndetje, telefonuam rreth 30 minuta më parë; jemi gazetarët e News24. Një ditë më parë gjykata ka dhënë një vendim që ne si gazetarë të futemi në ambientet e televizionit dhe të marrim sendet tona personale dhe të aksesojmë një godinë tjetër, për të cilën kompania shtetërore KAYO nuk ka pretendime; ndërkohë përmbarimi ndodhet brenda që prej 4–5 orësh së bashku me përfaqësues të kompanisë KAYO dhe nuk na lënë të futemi brenda.”

Policia: “Kemi folur pak më parë me kolegun.”

Gazetari: “Po, dhe ju na thatë që do të dërgonit një patrullë—nuk ka ardhur akoma.”

Policia: “Do rinjoftojmë përsëri. Mirupafshim, gjithë të mirat.”

Në rastin e News24, policia nuk mori as kallëzimin tonë dhe u bë pjesë e shkeljes së ligjit, duke lejuar të hyjnë në zyrat tona pa asnjë vendim gjykate.

Në një rast të ngjashëm, gazetarët e emisionit “Vetting” kërkuan të denonconin në një nga komisariatet e policisë së kryeqytetit faktin që qiraxhiu nuk i kishte paguar qiranë, por oficerët e policisë së këtij komisariati u sugjeruan gazetarëve që duhej t’i drejtoheshin gjykatës administrative. Është ajo që zgjidh konfliktin e problemin, dhe jo Policia e Shtetit. “Nuk na lejohet ne të ndërhyjmë,”—u shpreh oficeri i policisë.

Pamjet e fshehta nga komisariati tregojnë zyrtarët që thonë:

Gazetari: Kam një qiraxhi që kam te shtëpia …

Zyra e informacionit e Policisë së Shtetit: Tek sporteli tjetër…

Gazetari: Si jeni, mirë?

Zyra e informacionit e Policisë së Shtetit: Po.

Gazetari: Kam një qiraxhi, ka tre vite që jeton atje; dy vite ka paguar qiranë. Tani nuk po ma paguan më. Ka një vit; si ta nxjerr? Si t’ia bëj? Mundet të zgjidhet me polici kjo?

Zyra e informacionit e Policisë së Shtetit: A i ke letrat noteriale?

Gazetari: Me letra? Po, mo, patjetër.

Zyra e informacionit e Policisë së Shtetit: Sa lekë të ka gjithsej?

Gazetari: Ka një që nuk paguan (qiranë).

Zyra e informacionit e Policisë së Shtetit: Sa e ka qiranë?

Gazetari: Katërqind mijë.

Zyra e informacionit e Policisë së Shtetit: Bëj kallëzim te oficeri. Ja, të sqaron ai.

Gazetari: Ky është?

Zyra e informacionit e Policisë së Shtetit: Po.

Oficeri i Policisë së Shtetit: Si je?

Gazetari: Mirë.

Oficeri i Policisë së Shtetit: Si dukesh, burrë i fortë? Si e kaloni?

Gazetari: Tani kam një shtëpi te …, nipi ka futur një qiraxhi para tre vitesh.

Oficeri i policisë: Po.

Gazetari: Ka dy vite paguante ai në rregull. Tani nuk paguan; “më hidh në gjyq,” më thotë. Nuk paguan; ka 400 mijë lekë (të vjetra) në muaj; nuk janë pak. Si i bëhet, mundet të ma thuash—si mundet ta zgjidh?

Oficeri i policisë: Ka bërë nipi kontratë me atë?

Gazetari: Po…

Oficeri i policisë: Kush e ka kontratën?

Gazetari: E ka nipi kontratën, se kam unë.

Oficeri i Policisë së Shtetit: Po ta lexosh atë kontratën, në fund fare thotë: “Palët, për çdo marrëveshje, prishje të kontratës ose mosmarrëveshje, i drejtohen gjykatës.” Se këto janë padi civile, nuk janë… Këto raste nuk ndiqen nga policia. Qiradhënie, qiramarrje—janë padi civile.

Për qytetarët e thjeshtë, policia respekton ligjin. Për News24, policia e shkeli atë. Ky nuk është thjesht një shkelje procedure; është një sulm i hapur ndaj lirisë së medias dhe drejtësisë. Çdo dosje që po hetonte korrupsionin u mor, çdo kompjuter dhe dokument u zhduk. Ky është atentat ndaj gazetarisë, ndaj informacionit publik dhe drejtësisë—për më tepër kur ligji shkelet pikërisht nga ata që duhet ta ruajnë të parët, policia dhe ushtria; dhe shteti heshti.

Sipas avokates Kola: “Policia nuk duhet të bëhet palë me askënd; duhet të rrijë aty vetëm të sigurojë rendin, aty që palët të mos bëhen pre e ndonjë konflikti.”

Reagimet ndërkombëtare
https://www.youtube.com/embed/0TPSujjZ79Q

Ngjarja tronditi partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Bashkimi Europian, OSBE dhe organizatat e gazetarëve e cilësuan sulmin si një precedent të rrezikshëm për demokracinë. Të gjithë ata kanë shprehur shqetësimin e thellë për mënyrën se si u trajtua një media që denoncoi korrupsionin dhe shkeljet e shtetit ligjor.

Sipas avokates Kola: “Ambasadat dhe të huajt kanë reaguar, për arsye se ky është një standard që nga ta nuk vihet më në diskutim; këtë standard e vë në diskutim vetëm institucionet tona, sepse të vish dhe të ndërhysh në mënyrë të tillë pa pasur një vendim, pa zbatuar asnjë procedurë, pa paralajmëruar asgjë—të vish dhe të ndërhysh.”

Përfaqësues të BE-së në Tiranë u shprehën se:
“Liria e medias është gur themeli i demokracisë. Ajo që ndodhi me News24 është shqetësuese dhe nuk duhet të përsëritet. Institucionet shqiptare duhet të sigurojnë që gazetarët të jenë të mbrojtur dhe të mos frikësohen për raportimin e tyre. Ne presim që çdo akt i dhunës dhe ndërhyrjes së paligjshme të hetohet menjëherë dhe autorët të përballen me ligjin. Çdo tentativë për të asgjësuar një media të pavarur është një kërcënim i drejtpërdrejtë për demokracinë dhe transparencën në vend. Bashkimi Europian do të monitorojë situatën dhe do të kërkojë garantimin e plotë të lirisë së medias në Shqipëri.”

Reporters Without Borders deklaroi:
“Ne dënojmë ashpër këtë sulm. Shqipëria po dërgon një sinjal të keq: gazetarët nuk janë të mbrojtur. Ky precedent rrezikon të heshtë çdo zë kritik dhe të ndikojë negativisht në gazetarinë investigative në vend. Autoritetet duhet të respektojnë kontratat dhe të garantojnë që media e pavarur të funksionojë pa ndërhyrje. Do të vazhdojmë të mbështesim gazetarët dhe të kërkojmë që drejtësia të vihet në vend.”

Ndërsa OSBE u shpreh:
“Ky akt është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes. Gazetarët duhet të jenë të mbrojtur dhe të punojnë pa frikë nga ndërhyrjet e shtetit apo të kompanive private. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë ligjin dhe të sigurojnë qasje të lirë në media. Çdo sulm ndaj një mediaje të pavarur është një kërcënim për të gjithë shoqërinë dhe demokracinë. OSBE do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet dhe të raportojë mbi çdo shkelje të lirisë së mediave.”

Këto janë disa nga reagimet ndërkombëtare, por numri i tyre është akoma më i madh, ku dënojnë me forcë ndërhyrjen në mënyrë banditeske te ambientet e punës të gazetarëve të News24 dhe marrjen e sendeve të tyre.

Sipas gazetares Megi Latifi: “Po, edhe një xhaketë e imja është cënim i së drejtës për të pasur gjërat e mia personale, të cilat ende nuk i aksesojmë, sepse ndodhen në godinën tjetër—godinë e cila, me vendim gjykate, na takon për t’u aksesuar dhe për të vijuar punën; por që, për çudi, ushtarët vijojnë të qëndrojnë atje, duke mos na lejuar për t’u futur në godinë.”

Panorama Television ka një kontratë qiraje të vlefshme deri në vitin 2033. Asnjë gjykatë nuk e ka shpallur të pavlefshme këtë kontratë.

Sipas gazetarit Artan Hoxha: “Në fakt, nuk ka qenë ky pronari që ka marrë godinën ku ndodhet News24 me qira. Personi që ka marrë me qira këtë godinë dhe që, së bashku me televizionin, i kaloi edhe kontratën e qirasë pronarit aktual, është sot një pronar i medias që është krahu i djathtë i qeverisë. Madje sot që flasim, personi që drejton vendin dhe është kryeministër, ka qenë kryetar Bashkie në atë kohë, kur edhe ka lidhur kontratën e qirasë.”

Por, pavarësisht kësaj, një kompani private dhe Policia e Shtetit e shkelën. Ky është thelbi i shkeljes: shteti ligjor u nëpërkëmb dhe kontrata u zëvendësua nga forcat e armatosura.

Sipas gazetares Klodiana Lala: “Vendosi të vinte një ditë të shtunë, kur ishte pushim, dhe e dinte shumë mirë që një pjesë e gazetarëve ishte pushim, kur institucionet janë të mbyllura.”

Sipas gazetarit Artan Hoxha: “Prezenca kaq e madhe e policisë, ardhja pastaj e njesive të Policisë Ushtarake, veprimi kaq haptazi, pa e çarë kokën fare se cili do të jetë reagimi publik i medias, tregon një arrogancë brutale.”

Ekspertë ligjorë, avokatët shprehen se: Sipas avokatit Redi Ramaj: “Futja e vrullshme e policisë dhe e Policisë Ushtarake, në mënyrë flagrante, në shkelje me ligjin, ka sjellë pasoja: që janë tjetërsuar sendet dhe materialet e televizionit apo të gazetarëve që kishin materiale personale, qoftë pajisje, qoftë laptop, dokumente të cilat u përkisnin atyre. Nuk mundet që këto dokumente të administrohen nga Policia e Shtetit apo nga ushtria; nuk ja lejon ligji dhe nuk kanë asnjë kompetencë, detyrë apo asnjë urdhër për të vajtur deri në këtë pikë.”

Sipas avokatit Arben Llangozi: “Mosfunksionimi në kohë i ligjit gjithmonë sjell pasoja dhe vazhdimësi të një veprimi kriminal—jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera. Mosndërhyrja në kohë e prokurorisë ka lejuar që aktiviteti kriminal të zgjerohet në kohë; edhe në rastin konkret, padyshim që është një veprim i tillë që mosndërhyrja në kohë të sjellë pasoja. Pra, Prokuroria e Posaçme duhej minimalisht të kishte filluar një hetim që të tregonte autoritetin e saj dhe pavarësinë e saj ndaj pushtetit, që është pushteti qendror; dhe, në rastin konkret, me mosveprimin e saj, dashur pa dashur, e bën veten pis—që është palë me institucionin shtetëror.”

“Nëse kontrata ekziston, askush nuk mund të nxjerrë qiramarrësin pa një vendim gjykate. Kjo është shkelje flagrante e ligjit. Veprimet e ndërmarra këtu shkelin Kodin Civil dhe ligjin për median, duke krijuar një precedent shumë të rrezikshëm.”

Sipas gazetarit Artan Hoxha: “Është një mesazh i qartë për të gjitha mediat; dhe është një kërcënim serioz për të gjithë të tjerët—edhe për gazetarët, së pari individualisht, edhe për grupin mediatik, por edhe për të gjitha mediat në tërësi—por tregon sa të pafuqishëm jemi dhe sa represiv dhe regresiv është ky shtet; në rast se të targeton, të bën gjëmën, dhe ti nuk ke mundësi as ku të ankohesh, as ku të gjesh të drejtën.”

Çdo ndërhyrje e forcës në pronë private pa vendim gjykate është jo vetëm e paligjshme, por edhe e rrezikshme për institucionet shtetërore që duhet të mbrojnë shtetin ligjor. Ky rast është një sinjal i keq për investitorët dhe gazetarët që veprojnë në Shqipëri, pasi tregon mungesën e sigurisë juridike.

Sipas avokates Kola: “Edhe kur ke një vendim gjykate, ti duhet të lajmërosh me urdhër ekzekutimi vullnetar (të paktën debitorin); pastaj duhet të nxjerrësh një urdhër ekzekutimi në qoftë se pala debitore nuk e ekzekuton në mënyrë vullnetare vendimin e gjykatës; dhe do t’i dërgosh paraprakisht vendimin e gjykatës dhe do t’i thuash se ‘në filan ditë e filan orë do të jesh atje’. Nuk mund të shkosh si një skuadër banditësh, t’i nxjerrësh njerëzit—qoftë këta gazetarë apo çfarëdo—nga ambientet ku ata qëndrojnë.”

Sipas gazetarit Artan Hoxha: “Ka dalë një vendim gjykate; nuk zbatohet—është fare e thjeshtë—që thotë si duhet ekzekutuar. Ndërkohë, ne pamë aty kamionë që merrnin pajisje; i kanë dërguar në ruajtje. Unë jam i sigurt që ata kanë hyrë atje dhe kanë shfletuar materialet që kanë qenë aty.”

Gjen­erali që nuk di se ku janë ushtarët

Ndërkohë që gazetarët u lidhën drejtpërdrejt me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Arben Kingji, i cili nuk dinte gjë se ku ishin ushtarët e tij.

Gazetari: Përshëndetje, jemi gazetarë të televizionit News24 dhe duam të hyjmë në godinë. Një efektiv i Policisë Ushtarake këtu na thotë se ka urdhër nga Shefi i Shtabit që të mos hyjmë në godinë. I kërkojmë që të na e japë urdhrin me shkrim, por nuk na e jep. A mund të na e jepni këtë urdhër me shkrim? Sillni dikë që mund të sqarohemi. Është godinë për të cilën gjykata ka dhënë vendim që kompania KAYO nuk ka pretendime.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji: Të lutem, shiko vendimin e gjykatës dhe mos bëj gjë.

Gazetari: Ti e ke dhënë urdhrin e Shtabit që këta të mos na lejojnë të futemi. Ne kemi vendimin e gjykatës këtu në dorë, po ja tregojmë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji: Të lutem, bëni një shkresë dhe do t’ju përgjigjemi me shkresë.

Gazetari: O zotëri, ma sill ti urdhrin me shkresë dhe ta kundërshtoj. Por ti e ke dhënë urdhrin verbal; ti ia ke dhënë urdhrin në telefon këtij, dhe unë po të marr ty në telefon tani. Ma jep me shkresë pse unë nuk duhet të futem atje? Është godinë për të cilën nuk keni pretendime. E ke thënë në gjyq; e ka thënë kompania KAYO që nuk kemi pretendime për godinën tjetër. Pra, të futemi te godina për të cilën nuk keni pretendime.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji: Po ja pra, direkt do merremi me këtë çështje edhe një herë dhe do ta sqarojmë.

Edhe sot, godina e News24 dhe Panorama Group mbetet e bllokuar. Gazetarët nuk lejohen të hyjnë. Ushtria mban të rrethuar një media kombëtare. Një precedent i rrezikshëm që mund të prekë çdo zë kritik në këtë vend.

Kjo nuk është thjesht një masë policore; është një paralajmërim për të gjithë gazetarët që guxojnë të denoncojnë korrupsionin dhe shkeljet e ligjit.

Shoqata të ndryshme ndërkombëtare dhe BE-ja kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të rrethimit dhe lejimin e punës së lirë të medias. Gjendja e krijuar tregon qartë tensionin midis forcës dhe shtetit ligjor dhe sa e rëndësishme është mbrojtja e institucioneve të medias në Shqipëri.

Rikthimi në jetë i gjigantit informativ brenda 48 orësh

Pamje fillestare: Godina e News24 e rrethuar nga policia dhe ushtria, kamera dron mbi qytet.

Ndërsa autoritetet e shtetit dhe Policia Ushtarake, në një akt që shkel çdo normë ligjore, tentuan të mbyllnin gojën e gazetarëve të News24, duke ndërprerë sinjalin dhe censuruar lajmet, stafi i televizionit nuk u dorëzua. Në një vend ku çdo përpjekje për të heshtur një media është një precedent i rrezikshëm, ata vendosën të mos pranojnë asnjë kompromis.

Brenda vetëm 24 orësh, grupi ngriti një studio të përkohshme në një lokal, vendosi sinjalin e News24 dhe e bëri të mundur rifillimin e transmetimit brenda 48 orësh. Ky veprim i shpejtë dhe profesional e ktheu gjigantin informativ në jetë, duke garantuar vazhdimësinë e lajmeve dhe investigimeve për publikun shqiptar.

Edhe pse fillimisht transmetimi u rifillua me disa vështirësi teknike, ky sukses tregoi përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj lirisë së medias. News24, një nga televizionet informative më të mëdha në vend, sot punëson 230 persona dhe vazhdon të mbajë gjallë gazetarinë investigative në Shqipëri.

Rikthimi i News24 brenda 48 orësh nuk është thjesht një histori për rikuperim teknik. Është dëshmi e fuqisë së medias së pavarur për të sfiduar çdo presion dhe për të mbrojtur të drejtën e publikut për informacion. Në një kohë kur liria e medias nën kërcënim është realitet, ky gjigant informativ tregoi se, me vendosmëri dhe përkushtim, edhe sulmet më të ashpra mund të tejkalohen.

Rikthimi në jetë i gjigantit informativ brenda 48 orësh është një mesazh i qartë: asnjë presion, asnjë tentativë për të heshtur lajmet, nuk mund të ndalojë gazetarët të bëjnë punën e tyre—të informojnë publikun për atë çfarë ndodh në kohë reale; për të ndarë shqetësimet dhe hallet e njerëzve, por edhe për të denoncuar gjithçka që duket e padrejtë dhe cenon ligjin.

Një shtet që përdor policinë dhe ushtrinë për të mbyllur një media, nuk është më shtet ligjor. Një qeveri që gjunjëzohet para një kompanie private, nuk është më mbrojtëse e qytetarëve.

9 gushti 2025—dita kur u tentua të prangosej fjala e lirë.

Ky është fillimi i një beteje të gjatë për të mbrojtur demokracinë, për të rikthyer të drejtën për të thënë të vërtetën dhe për të shpëtuar gazetarinë, pavarësisht tronditjeve që ka në një vend si Shqipëria—ku drejtuesit e saj duan të shtypin lirinë e fjalës, në mënyrë që të mos u shohim kollaren, xhepat që mbushin pas grabitjes së parave të qytetarëve.

Rasti i News24 tregoi se, edhe pse u tentua të vendoseshin bllokada në shtatin mediatik, burimi do vazhdojë të rrjedhë.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading