Mbërrin në Durrës anija gjigante amerikane “USS Mount Whitney”, krenaria e Flotës së 6-të të SHBA-ve, amerikanët ftojnë presidentin dhe “harrojnë” Ramën
Një ngjarje që pritej të ishte thjesht një ceremoni ushtarake u shndërrua dje në një tronditje politike të madhe. Mbërritja e anijes gjigante amerikane “USS Mount Whitney”, krenaria e Flotës së 6-të të SHBA-ve, ishte parashikuar për të shtunën në Durrës, por gjithçka mori kthesë dramatike kur kryeministri Edi Rama thuhet se refuzoi të pranonte që Presidenti Bajram Begaj të ishte figura qendrore e eventit. Përplasja e tij me organizatorët solli shtyrjen e mbërritjes për disa ditë, një shtyrje që në fakt ishte preludi i një sinjali të fortë politik nga Uashingtoni. Dje, kur “USS Mount Whitney” u ankorua në Porto Romano, skena ishte e qartë: Edi Rama nuk ishte i ftuar. Ai u përjashtua nga lista e të pranishmëve. Në vend të tij, Presidenti Bajram Begaj mori gjithë vëmendjen dhe mbështetjen publike të SHBA-ve, ndërsa të pranishëm ishin edhe ministra të qeverisë dhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali. Në sytë e aleatit më të fuqishëm, Shqipëria nuk përfaqësohej më nga kryeministri, por nga kreu i shtetit.
Vëmendja e SHBA shkon tek Begaj
E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy Van Horn, me një fjalim të gjatë e plot domethënie, e bëri të qartë se kush është partneri i zgjedhur i Amerikës. Ajo falënderoi Begajn për partneritetin e ngushtë dhe për sigurinë që i garanton Shqipërisë dhe NATO-s, duke e vendosur atë në qendër të skenës diplomatike. Në asnjë moment nuk u përmend kryeministri Rama, një heshtje që peshon më shumë se çdo deklaratë zyrtare dhe që u lexua si një mesazh i prerë i përjashtimit të tij. “Komandant Price, faleminderit për atë prezantim të ngrohtë dhe që sollët këtë anije të bukur në Shqipëri. Është një privilegj i vërtetë t’ju mirëpres ju dhe të gjithë ekuipazhin e Anijes së Shteteve të Bashkuara “Mount Whitney” në Shqipëri. Faleminderit gjithashtu edhe grupit të mirënjohur muzikor të Forcave Detare Amerikane në Europë dhe Afrikë dhe Blerina Brakës nga Orkestra e Forcave të Armatosura Shqiptare për interpretimet tuaja.
Gjithashtu, dua t’i shpreh mirënjohjen time Presidentit Bajram Begaj, për partneritetin tuaj të ngushtë – vendet tona janë më të forta dhe më të sigurta për shkak të lidhjes sonë historike dhe miqësisë së fortë. Të nderuar ministra, ambasadorë dhe të ftuar të nderuar, jemi të lumtur që na jeni bashkuar këtë pasdite në Anijen madhështore të Shteteve të Bashkuara “Mount Whitney”. Shtetet e Bashkuara mirëpresin plotësisht dhe nxisin zhvillimin e një baze detare nga Shqipëria me kapacitet portual mallrash në ujëra të thella pikërisht këtu në Porto Romano. Investimi i Shqipërisë në përforcimin e Porto Romanos do t’i tregojë rajonit – dhe të gjithë Europës – aftësinë e Shqipërisë për të qenë një drejtuese e vërtetë në Aleancën e NATO-s. Tashmë, Shqipëria është një aset jetik për NATO-n për shkak të vendndodhjes së saj strategjike.
Por, duke përforcuar Porto Romanon dhe duke e lidhur atë me rrugë dhe hekurudha, Shqipëria do të bëhet një rrugë thelbësore për një operacion të mundshëm të ardhshëm në Krahun Lindor të NATO-s. Presidenti Trump ka theksuar se të gjithë Aleatët duhet të përmbushin angazhimet e tyre dhe të rrisin shpenzimet për mbrojtje për t’u përballur me sfidat e sotme dhe rreziqet e së nesërmes. Zhvillimi i një objekti portual të ujërave të thella në Porto Romano me kalata të sigurta, me mjedise për trajtimin e ngarkesave dhe me lidhje me hekurudhat e rrugët, ndihmon për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje. Kjo do të përmirësojë sigurinë rajonale, do të forcojë Krahun Lindor të NATO-s dhe do të nxisë rritjen ekonomike”, deklaroi dje ajo.
Një cikël përjashtimesh që përcakton fatet politike
Por ngjarja e djeshme kujtoi precedentët e mëparshëm: në vitin 2021 ishte ish-presidenti Ilir Meta i përjashtuar, ndërsa kryeministri Rama në qendër; sot, në 2025, rolet janë ndërruar. Historia duket se përsëritet, por këtë herë me Ramën të shtyrë në hije. Ky izolim i kryeministrit nuk shihet thjesht si çështje protokolli, por si sinjal i qartë i Uashingtonit. Administrata Trump ka shpallur luftë kundër klanit “Soros”, ndërsa lidhjet e Ramës me familjen e miliarderit e kanë bërë atë të padëshiruar në sytë e amerikanëve. Mesazhi është i qartë: SHBA nuk e sheh më Ramën si partnerin e saj kryesor në Shqipëri. Në vend të tij, Presidenti Begaj del në skenën e madhe si figura e re që mbart mbështetjen dhe legjitimitetin amerikan.