Studentët në Tiranë i nisin ëndrrat e të ardhmes me sfidën për një shtrat
Një ditë më parë, JOQ Albania raportoi shqetësimin e studentëve të rinj, të cilët u përballën me dhunën e forcave të policisë në ambientet e konvikteve të Qytetit Studenti.
Ngjarja ndodhi në një moment kur me qindra studentë ishin mbledhur për t’u regjistruar në konvikte. Pamjet e publikuara tregonin momente kur punonjësit e policisë krijuan një “mur”, duke penguar hyrjen e studentëve në godina. Përplasja shkaktoi indinjatë, veçanërisht pasi studentët thanë se u ndjenë të rrezikuar, për shkak se ngjarja ndodhi pranë disa shkallëve të larta.
Situata u tensionua edhe më shumë kur disa prindër, të cilët shoqëronin fëmijët e tyre për regjistrim, u konfliktuan me policinë dhe përfunduan të shoqëruar në komisariat.
Kështu shumë studentë që dje erdhën në Tiranë me ëndrrën për të ndërtuar një të ardhme të ndritur, i nisën sfidat e jetës me “luftën” për të siguruar një shtrat.
Pse ndodhi përplasja?
Shkaku kryesor lidhet me kërkesën e lartë për akomodim në konvikte në prag të vitit të ri akademik. Studentët që vijnë nga rrethet drejt Tiranës për studime përballen me një numër shumë të kufizuar shtretërish, vetëm rreth 7 600 vende, një shifër shumë më e ulët krahasuar me nevojat reale.
Një tjetër faktor është pamundësia ekonomike për të përballuar qiratë në kryeqytet. Aktualisht, një apartament me qira në Tiranë kushton mesatarisht rreth 600 euro në muaj, shumë herë më tepër sesa mund të përballojnë studentët. Edhe nëse ata punojnë “part-time”, paga e zakonshme nuk e kalon shifrën e 40 mijë lekëve të reja, çka e bën pothuajse të pamundur sigurimin e strehimit jashtë konvikteve.
Përballë kësaj situate, studentët pretendojnë se vendet në konvikte shpërndahen shpesh “me mik”, duke favorizuar ata që kanë të afërm të sistemuar më herët në këto godina, ndërsa shumë të rinj të tjerë mbeten pa mundësi strehimi.
Kjo problematikë përsëritet çdo vit dhe tregon nevojën urgjente për shtimin e kapaciteteve në konviktet e Tiranës, si e vetmja mënyrë për të shmangur skena të tilla përplasjesh mes studentëve dhe institucioneve.