Nga privatizimet te konçensionet e naftës. Anonimi ‘Nesti Angoni’ në aksion, kallëzon në SPAK deputeten e PD
Nesti Angoni, një personazh anonim, është rikthyer në skenë. Disa muaj pasi denoncoi në SPAK kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej muajit shkurt ndodhet në qeli me vendim të GJKKO pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, ‘Nesti Angoni’ ka bërë denoncimin e rradhës.
Ai ka depozituar në SPAK një denoncim ndaj deputetes së PD-së Albana Vokshi. Sipas Report TV, denoncimi është depozituar ditët e para të shtatorit, për korrupsion dhe pastrimin e parave të fituara nga kjo veprimtari e jashtëligjshme
Sipas Report Tv, se kallëzimi me objekt deputeten Vokshi, bashkëjetuesin e saj Arian Tartarin, si dhe motrën Mimoza Vokshi, përmban disa raste të dyshuara korrupsioni dhe gjithashtu skemën, e cila përdorej për të “pastruar” paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive korruptive të kryera nga ligjvënësja demokrate dhe familjarët e saj.
Në këtë kallëzim denoncohen abuzime me koncesionet në sektorin e naftës, por edhe me disa privatizime të kryera në interes të të kallëzuarve, në kohën kur Drejtoreshë e Privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë ishte Mimoza Vokshi, motra e deputetes demokrate.

