Prof.Dr. Zamira Çavo: Nuk mund të presim demokraci nga një kulturë politike e trashëguar nga mesjeta
Demokracia përballë Autokracisë dhe si i fitoi Rama 83 mandate? Por më parë më duhet të sqaroj kuptimin e dy termave:
Demokraci. Në kuptimin e vet teorik dhe disi edhe praktik do të thotë jo thjeshtë ndërtim institucionesh, pra një sistem institucionesh, por edhe kulture! Demokracia do të thotë pjesmarrje, bashkëpunim, barazi, liri, solidaritet, paqe dhe jo dhunë.
Autokracia; Është një sistem ku lideri ka një pushtet pothuaj absolut.
Atëhere të vimë tek rasti ynë: A kemi ne një kulturë demokratike? Në mendimin tim modest tek ne shumë rrallë mund të gjenden individë, që rrezatojnë kulturë demokratike. Shumica e popullsisë dhe e politikës, e njeh demokracinë vetëm si term dhe jo si funksionim. Ku e bazoj këtë? Fare thjeshtë: në dhunën verbale dhe fizike që egziston primarisht në shoqërinë dhe politikën tonë, në mungesën e tolerancës dhe mirkuptimit ndaj njëri tjetrt, në pabarazinë e theksuar që po rrënon gradualisht shoqërinë, në mungesën e solidaritetit etj. Nga vij në këtë konkluzion? Nga realiteti ynë i përditshëm: Në Parlament, në rrjetet sociale, në të përditshme e gjithsecilit prej nesh, në indiferentizmin social, pra në mungesën e pjesmarrjes, (por jo në shfrimin e një urrejtje të jashtëllogjikshme ndaj çdo gjëje apo individi pavarësisht se nuk ke as idenë më të vogël për ngjarjen apo individin që e linçon). Me pak fjalë: Nuk mund të presim demokraci me një kulturë të tillë të trashëguar nga mesjeta!
Ne ndërtuam këtë model hibrid demo-autokracie, në kushtet:
1) Kur për demokracinë disa kishin lexuar teorikisht se çfarë ishte , e disa të tjerë kishin patur mundësinë të shikonin lulëzimin e saj në vitet 60-70-të. Të tjerët e kujtonin demokracinë si liri të pakufizuar, ku pas asaj diktature që lamë pas tashmë mund të flisnim, shanim, e përdornim fjalën e fjalorin kundër çdo individi që nuk na pëlqente e sidomos kundër politikës! Si një liri ku secili mund të bënte çfarë të donte qejfi!(Shembujt i gjeni vetë se janë të panumërt)
2) Kur bota filloi të përjetonte atë që filozofët e kishin parashikuar që nga koha e Platonit : Demokracinë një fill i hollë e ndan nga demagogjia. Demokracia liberale kishte filluar të tregonte shenjat e para të rrënimit, korrupsionit, dhunës e pabarazisë:
a- Teoria politike bazuar në realitete historike ka provuar se në periudha të pabarazisë, krizave ekonomike, korrupsionit, humbjes se besimit tek institucionet, njeriut nuk i bëhet shumë vonë për lirinë, ai kërkon barazinë. Ndaj i beson jo vetëvetes, por liderit të fortë. Kjo e bën të mundur autoritarizmin. Sot duket se pikërisht ky autoritarizëm në mos si sistem ( ka vende plot që e kanë sistem), por edhe me shfaqje të veçanta, të sjelljeve politike të liderve , po bëhet dominues. SHBA ka dukshëm sjellje tipike të tilla, dhe mos harrojmë që është vendi ku demokracinë e kemi marrë si model. Në shënjestër të kritikave është vënë Bashkimi Europian, i cili akoma mbështet një demokraci liberale. Ndoshta për këtë është vënë nën trysnin e etheve të luftës, armatimi, në vend të paqes, mbylljes së syve dhe gojës në vënd të masave politike për ruajtjen e paqes dhe solidaritetit me Palestinën. ( Të paktën rezoluta e OKB për njohjen e Palestinës është diçka në këtë sjellje).
b- Pra nën ethet e luftës, pabarazia shtohet dhe liritë kufizohen. Goditje e fortë për shtyllat e demokracisë.
c- A kishte pabarazi në vendimin tonë kur shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare Edi Ramën? Sigurisht që po. Madje kur qeveria rriti në masën 98% pagat e deputetëve dhe të vetes, pensionet i rriti … 0% kjo pabarazi u bë publike. Atëhere? Demagogjia e thënieve: Do rrisim në fillim pagat që më vonë të rrisim pensionet se do t’u mbajmë më shumë sigurime shoqërore Administratës publike, mashtroi për të disatën herë njerëzit.
Pse ndodhi ky mashtrim ?
a- A ishte Rama një lider që “dënoi” çdo shfaqje të korrupsionit edhe nga bshkëpunëtorët e tij më të ngushtë? Natyrisht që po. Kjo krijoi iluzionin se Ai është i vetmi që mund të luftojë korrupsionin.
b- A ishte Rama ai që në arenën ndërkombëtare ia rriti kuotat Shqipërisë si asnjëherë tjetër? Natyrisht që po. Dhe kjo është gjëja e vetme e mirëfuqishme që ai ka bërë për vendin. Por a e ka përmirësuar krizën ekonomike kjo sjelle? JO! Ka përmirësuar imazhin e Shqipërisë , por më shumë ka lartësuar imazhin e Tij si lider i aftë në këtë Ballkan e Europë të çorjentuar! Atëherë pse votuan njerëzit kaq shumë?
c- Sepse shqiptarët historikisht e kanë vlerësuar më shumë se çdo gjë, vlerësimin që na bëjnë të huajtë. Dhe ky vlerësim tashmë është si asnjëherë tjetër pozitiv! Kaq mjafton për t’i dhënë autoritarizmit edhe një kredencial më shumë. Sepse Rama hoqi dorë nga gjuha dhe sjellja e dhunës që dikur e kishte të tijën, dhe përçoi ironinë sarkazmën duke e bërë edhe më të “pëlqyer” në opinion.
Po opozita zyrtare?
Opozita është ajo që e bën të mundur demokracinë. Në të vërtetë opozita bëri më të keqen e mundshme! Me një mentalitet mesjetar, me fjalor nxitës dhune, urrejtje dhe sidomos me një nxirje të çdo gjëje (edhe ato më pozitivet), ajo humbi dhe do vazhdojë të humbasë kredencialet e saj politike. Sjellja e saj “Nuk i njohim zgjedhjet ama pranojmë të betohemi dhe të marrim pjesë në Parlament” është gjëja më absurde që mund t’i ndodhë një sistemi. Asnjë shqiptar besoj , nuk e pranon këtë sjellje politike, që i jep Ramës edhe një kredencial tjetër politik.
A mund të krijojmë një opozitë të re politike në vendin tonë?
Jo! Të gjitha përpjekjet e bëra deri më sot kanë dështuar në mënyrë të turpshme. Atëhere? Përsa kohë kemi në përparësi kulturën e dhunës, nxjerrjes së syve njeri tjetrit, indiferentizmin social, mos prisni që të instalojmë demokracinë. Autoritarizmi vetëm do forcohet.
Përsa kohë që arsimi është në rënie të lirë, media është e shitur tërësisht në varësi jo të së vërtetës, por të interesave ekonomike, për sa kohë që në rrjetet sociale nuk gjejnë vend fryma positive dhe mirkuptuese, e derisa pjesmarrja aktive e njerëzve zëvëndësohet me indiferentizmin, mos pyesni pse Rama e kaloi për 30 minura miratimin e qeverisë dhe programit të saj!